Sa kushtonin paketat e cigareve në kohën e socializmit

Në kohën e realizimit socialist tregu i mbyllur limitonte mundësitë për të gjetur një paketë cigaresh me filtër. Megjithatë, ekzistonin disa marka cigaresh, natyrisht të gjitha me emra dhe prodhime të vendit. Ja cilat ishin markat e cigareve që qarkullonin në ato vite dhe çmimet përkatëse, që varionin nga 18-40 lekë për paketë.

Paketa “Partizani” kushtonte 18 lekë dhe ishte ndër më të lirat e asaj kohe. Bëhet fjalë për cigare pa filtër, të cilat edhe nga paketimi dukeshin modeste. Kjo ishte edhe paketa më e përhapur në dyqanet kohës.

Ndoshta jo aq e njohur dhe e përhapur sa “Partizani”, paketa “Arion” është një tjetër markë, që në dyqanet e realizimit socialist tregtohej për 20 lekë të rinj.

Paketa “Porti” kishte një kosto 25 lekë të rinj dhe ishte një tjetër emër i njohur i cigareve të dikurshme me filtër, prodhuar në Durrës. Me të njëjtin çmim, prej 25 lekësh, gjendeshin edhe paketat me filtër “Nora”,”Apollonia” dhe “Diamant”.

Cigaret “Gent”, gjithashtu kanë qenë të njohura për cilësinë e tyre, dhe konsideroheshin si paketa të shtrenjta për kohën. Kjo lloj cigareje edhe eksportohej, ndërsa në vend, shitej përkatësisht 30 lekë paketa e bardhë dhe 40 lekë për cigaren me shiritin e zi.

Një cigare cilësore por ndoshta jo shumë e lehtë për t’u gjetur ishte “Arbëria”, e cila kushtonte 35 lekë. Ndërkohë, paketa të tjera të asaj kohe, janë edhe “Kruja”, “Dimal”, “Drin”, “DS”, “Dukati”, “Riviera” etj. /Opinion.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.