Ballina / KRYESORE / Rukiqi: Kosovës i duhen dekada për të arritur standardin e BE-së
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Rukiqi: Kosovës i duhen dekada për të arritur standardin e BE-së

Për të arritur standardin jetësor të Bashkimit Evropian, Kosovës do t’i duhen dekada dhe jo vite. Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Në këtë intervistë, Rukiqi flet edhe për shkallën e lartë të informalitetit, veçmas në veri të vendit, si dhe për vendimin e Qeverisë për vendosjen dhe më pas heqjen e masës mbrojtëse për importet e produkteve bujqësore.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rukiqi, me gjithë përmirësimet që Kosova ka pasur gjatë viteve në ekonominë e vendit, vazhdon të mbetet nja nga vendet me ekonomi të dobët, standard të ulët jetësor e rritje ekonomike të pamjaftueshme për ta zbutur nivelin e papunësisë dhe varfërisë. Çfarë po e pengon një zhvillim më të hovshëm ekonomik?

Berat Rukiqi: Kosova ka nivelin më të ulët të investimeve të huaja direkte dhe ka mungesë të kapitalit të freskët. Në të njëjtën kohë, shumë sfida të pasluftës e kanë orientuar fokusin e politikave në diçka që ka qenë më prioritare për një kohë, sidomos investimet në infrastrukturë. Pastaj është krijuar një kategori e madhe e personave që përfitojnë nga skemat sociale dhe realisht instrumenti kryesor i atyre që udhëheqin me politikat, buxheti i ka pasur kufizimet për të përkrahur më hovshëm zhvillimin ekonomik.

Gjithashtu jostabiliteti, për shkak se për një kohe të gjatë të paqartësive politike dhe jostabiliteti që ka ardhur si pasojë e sfidave të shtet-ndërtimit, e ka kufizuar një rritje më të shpejtë të zhvillimit ekonomik. Kjo rritje ekonomike nuk po garanton. Para së gjithash, (rritja ekonomike) vjen prej burimeve të paqëndrueshme, ka një varësi të madhe nga konsumi dhe në këtë aspekt është problematike që ne ta kemi shkallën e zhvillimit atë që po pretendojmë, e cila mund të reflektohet në uljen të papunësisë dhe rritje të mirëqenies sociale dhe rritjen e standardit të jetesës në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: Ku do të duhet të orientohet rritja ekonomike e Kosovës që të jetë më e qëndrueshme?

Berat Rukiqi: Besoj që fokusi duhet të jetë te rritja e eksporteve dhe rritja e investimeve private. Nxitja e investimeve private vetëm me burimet që janë aktuale ose me mundësitë e financimit që janë në Kosovë është problematike. Prandaj, gjithmonë duhet të shihet mundësia e nxitjes së investimeve të huaja direkte si një nga burimet e një rritje më të madhe ekonomik. Derisa te mundësia e rritjes së eksporteve, duhet të përkrahet aftësia konkurruese e ndërmarrjeve tona. Tregu jonë është i vogël dhe e vetmja mundësi që të ruajmë shkallën e zhvillimit, është rritja e eksportit.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur takime të shumta me bizneset prodhuese në Kosovë. Cila mund të na thoni është gjendja e këtyre kompanive dhe problemet më të cilat ato përballen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre?

Berat Rukiqi: Konkurrenca e padrejtë e importit. As ne si Odë Ekonomike dhe as kompanitë prodhuese nuk jemi për masa kufizuese të importit, por kërkohet që të ketë një konkurrencë të drejtë në treg. Konkurrenca e padrejtë vjen nga produktet që janë pa kurrfarë verifikimi, pa kurrfarë standardi e kriteri në treg dhe nga informaliteti i lartë që është në tregun e brendshëm, ku një pjesë e kompanive shfrytëzojnë mekanizëm joformal për të rritur aftësinë e vetë konkurruese. Këto janë problemet kryesore që ballafaqohen prodhuesit në vend.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë ato lehtësira që Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte për industrinë prodhuese?

Berat Rukiqi: Nëse e shohim cilat janë problemet që i kemi ato janë energjia elektrike, pastaj aftësimi i fuqisë punëtore si dhe kemi konkurrencën e padrejtë. Realisht fokusi i Qeverisë duhet të jetë në këto tri pika.

Tek aftësimi i fuqisë punëtore duhet sa më shumë të promovohet aftësimi profesional, pasi që është nevojë. Nëse vizitohen dhjetë kompani në Kosovë, sidomos kompanitë prodhuese, të gjitha e theksojnë që kanë problem me fuqinë punëtore dhe aftësimin e tyre. Duhet të një transformim i sistemit të edukimit. E dyta, tek informaliteti duhet të forcohen kapacitetet e inspektoratit, kapacitetet e kontrollit të cilësisë, kapacitetet e luftimit të informalitet dhe kontrabandës, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës. Dhe e treta, tek energjia ku duhet të ndodhë sa më parë investimi në krijimin e një furnizimi të rregullt me energji elektrike. Nga hulumtimet që i kemi bërë, kostot shtesë nga investimet që bizneset i bëjnë për të pasur furnizim të rregullt me energji elektrike, shkojnë deri në 300 milionë euro.

Radio Evropa e Lirë: Së fundi Qeveria e Kosovës Kosova vendosi taksa për produkte bujqësore, por kjo taksë u tërhoq shumë shpejt. A mendoni se Kosova nuk ka kapacitete prodhuese për të vendosur taksa të tilla?

Berat Rukiqi: Kur të merren këto masa duhet të shikohet komplet situata, komplet konteksti ekonomik, kohor e rajonal. Kur them kontekstin ekonomik i referohem mundësive që në i kemi për t’u përballur një masë mbrojtëse, në kohën kur nuk kemi prodhimtari të mjaftueshme edhe kur një pjesë e prodhimit është sezonal. Në kontekstin kohor, duhet të shihet se masat mbrojtëse edhe pse nuk e kufizojnë tregtinë e lirë, por në anën tjetër edhe ato e kanë një periudhë paraprake monitoruese e cila duhet t’i paraprijë një masë mbrojtëse. Dhe e treta, duhet të shikohet edhe tregu, pasi që në treg nuk janë vetëm prodhuesit apo kultivuesit, por janë edhe përpunuesit dhe konsumatorët. Një masë mbrojtëse kur të merret, duhet të ketë kujdes që të mos favorizojë dikë dhe të dëmtojë të tjerët.

Marrja e masave mbrojtëse është e domosdoshme, sidomos kur kemi rritej të madhe të importit, mirëpo duhet të jetë e menduar mirë. Në rastin e fundit nuk i sjelli efektet e duhura dhe u anulua.

Radio Evropa e Lirë: Rritja e pagave dhe shpenzimeve për projekte të ndryshme si ato të autostradave sa mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë e buxhetit e Kosovës?

Berat Rukiqi: Po, ne kemi thënë që duhet të ketë një racionalitet për investimet në infrastrukturë, të mos bëjmë projekte që i konkurrojnë njëra-tjetrës, të mos bëjmë projekte të cilat nuk kanë fizibilitet dhe të mos bëjmë projekte të cilat realisht janë vetëm përmbushje e ambicieve politike. Veçmas tek autostradat duhet pasur kujdes që të mos hyjmë në obligime, të cilat pastaj munden të na dalin problem, siç është rasti kur ishte në kohën e autostradës për Shkup, filluan edhe disa projekte të tjera infrastrukturore, u krijuan vonesat në pagesat për kompaninë “Bechtel & Enka” në këtë rast, dhe pastaj erdhëm deri te ky debati i fundit, kjo zhurma e fundit që lidhet me ato dënime që duhet t’i paguajë Kosova.

Radio Evropa e Lirë: Në aspektin e standardit jetësore edhe sa kohë i duhet Kosovës t’i përafrohet standardit jetësorë të vendeve të Bashkimit Evropian?

Berat Rukiqi: Nëse e marrim rastin e shteteve të fundit që janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian, siç është Rumania dhe Bullgaria, ose Kroacia më vonë, që gati një dekadë dhe ende nuk janë afër standardit që kanë shtetet edhe më të vogla të Bashkimit Evropian, siç është Austria. Nuk është çështje kohe. Është rasti i Çekisë për shembull, që diku 14 vjet pasi është anëtarësuar në Bashkimin Evropian është në situatë më të mirë ekonomike sesa shumë vende që janë shumë më herët anëtarë të Bashkimit Evropian. Ose rasti i Irlandës, që i janë dashur dy dekada, mirëpo tani është njëra ndër vendet që e ka një shkallë jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit dhe një normë stabile të rritjes ekonomike. Normalisht, ajo ka pasur kriza, mirëpo ekonomia gjithmonë karakterizohet me kriza.

Kështu që, nëse do të më pyesnit se cilin rast duhet të ndjekë Kosova, ose cilin shembull duhet të ndjekë, rasti i Irlandës, që para se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian gati një dekadë para anëtarësimit në BE ka qenë në kushte të njëjta si Kosova. Mirëpo, kanë bërë politika të mençura, politika stabile, politika të qëndrueshme, e kanë pasur në fokus zhvillimin ekonomik, e kanë pasur në fokus edukimin e të rinjve, kanë ditur që të absorbojnë fonde nga BE-ja, por në të njëjtën kohë kanë ditur që të nxisin investime të huaja direkte dhe sot janë vend shumë stabil, prandaj për Kosovën është çështje e dekadave, jo e viteve.

@Fluidi

Provo po ashtu

trump

Trump thotë se SHBA tërhiqet nga traktati me Rusinë për armët bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të tërhiqet nga marrëveshja me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.