Rugova dyshohet se jashtëligjshëm ia dha një familjari pronën publike

Për të dytën herë kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, do të përballet me drejtësinë, për dyshimet se në cilësinë e kryetarit të komunës i ka krijuar favore të mëdha financiare kompanisë së një familjari.

Arrestimi i Rugovës së bashku me ish-nënkryetarin e Komunës, Lulzim Blakaj, e një zyrtar tjetër të Komunës, Faton Bujupi, lidhet me dhënien e disa parcelave të Komunës, të cilat janë shfrytëzuar për gurëthyes.

“4 vendime të Kuvendit Komunal për dhënie të Parcelave publike në shfrytëzim për gurthyes” ka thënë avokati Besnik Berisha , teksa ka treguar arsyen e arrestimit të klientit të tij, Haki Rugovës.

Në Komunën e Istogut nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

Policia e Kosovës, pa folur për identitete, ka treguar dyshimet fillestare për këta zyrtarë.

“Mund të konfirmojmë se hetuesit e Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, më 9.10.2020, kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “konflikt interesi” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria në Pejë iu ka shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Dhënia e dy parcelave të komunave në shfrytëzim për këtë kompani është bërë dy vjet më parë. Në vitin 2018, nënkryetar i Komunës ishte Lulzim Blakaj.

“Kryetari nuk i ka nënshkruar vetë kontratat. E ka shmangur konfliktin e interesit. Pra, nënkryetari i ka nënshkruar”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.