barnat-qkuk

Rriten shpenzimet familjare për ushqime e barna

Sipas të dhënave të Eurostat, konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 39 për qind të buxhetit për të blerë ushqime dhe pije joalkoolike.

Nga viti në vit janë rritur dhe shpenzimet familjare për ilaçe.

Shqipëria mund të ketë çmime më të lira se në shumë vende të Europës, por të ardhurat e ulëta, që marrin në raport me vendet e tjera, bëjnë që ata të shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit për të siguruar nevojat minimale jetësore të të ushqyerit. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, që matin shpenzimet finale për konsum nga familjarët sipas qëllimit të konsumit, konsumatorët shqiptarë shpenzojnë 39% të buxhetit për të blerë ushqime dhe pije joalkoolike. Kjo është përqindja më e lartë jo vetëm nga shtetet e Bashkimit Europian, por edhe në raport me fqinjët në rajon.

Pesha e ushqimeve në buxhetin familjar

Në Anketën e Buxhetit të Familjes realizuar nga INSTAT në 7,335 Njësi Ekonomike Familjare, e cila bën të mundur përshkrimin e shpenzimeve për konsum të tyre, shpenzimet mesatare mujore të NJEF vlerësohen 70.766 lekë, ku peshën më të madhe e zë grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”. Grupi i dytë më peshë më të lartë në shpenzimet e njësive familjare është grupi i “shpenzimeve për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira të paguar” me 10.3%. Ndërsa peshën më të vogël të shpenzimeve e zë grupi “shpenzime për arsim” me 2.1% .Sipas qarqeve, mbi mesataren e shpenzimeve mujore të vendit në total, janë qarku i Tiranës (81.750 lekë), ndjekur nga qarku i Lezhës (79.374 lekë), Gjirokastrës (74.933 lekë), Shkodrës (74.602 lekë), dhe Durrësit (74.602 lekë) . Qarku me shpenzimet më të ulëta mesatare mujore është qarku i Vlorës me 51.198 lekë. Qarqe që janë nën mesataren e shpenzimeve mujore të vendit janë Fieri (69.125 lekë), Kukësi (68.989 lekë), Berati (65.840), Korça (64.417 lekë), Dibra (56.221) dhe Elbasani (55.671).

Ushqimet, krahasimi me rajonin

Shpenzimet për ushqime zënë peshën më të madhe në buxhetin e familjeve. Ushqime bazë të shportës, si: qumështi, buka, vezët, djathi, orizi apo dhe perimet marrin një pjesë të madhe të të ardhurave të familjeve. Duke krahasuar të dhënat për rajonit, të cilat janë të mbledhura nga portali Numbeo, që ka një databazë të kostove të jetesës, çmimet e pasurive të paluajtshme, përkujdesin shëndetësor, ndotjen, trafikun dhe cilësinë e jetës për të gjitha shtetet në botë, shikojmë se Shqipëria ka çmimet më të larta për produktin e bukës dhe të qumështit. Buka. 500 gramë bukë e bardhë kushton në Shqipëri 0.54 cent, referuar të dhënave të Numbeo.com. Ndërsa në Prishtinë, të njëjtën masë buke mund ta blesh për vetëm 0.29 cent. Në Beograd, 500 gramë bukë e bardhë kushton 0.4 cent. Qumështi. Produkti tjetër më i shtrenjtë është qumështi. Për një litër qumësht shqiptarët paguajnë mesatarisht 0.92 cent, më shtrenjtë se i gjithë rajoni. Të njëjtën sasi, shqiptarët e Kosovës e blejnë në Prishtinë mbi 10 lekë më lirë. Sarajeva është kryeqyteti ballkanik me çmimin më të lirë të qumështit, ku një litër blihet për 0.69 cent. Produktet bazë në përgjithësi prodhohen nga industria vendëse dhe duke qenë se një pjesë e mirë e industrisë vendëse nuk është konkurruese dhe operon me kosto të larta, çmimet për disa produkte janë më të shtrenjta se rajoni. Veza dhe djathi. Për sa u përket vezëve, një duzinë me vezë, që është dhe standardi i paketimit kushton në Shqipëri mesatarisht 1.11 euro. Çmimin më të shtrenjtë të vezëve e ka Sarajeva, ku një pako standarde kushton 1.36 euro. Edhe djathi kushton më shtrenjtë në Sarajevë, ku një kilogram bën 5.77 euro. Më lirë djathi kushton në Prishtinë, ku një kilogram është 3.58 euro. Shqipëria, shteti që shpenzon më shumë për bukë dhe drithëra në Europë. Sipas tabelave të publikuara më herët nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Europë. Shteti i dytë pas nesh është Mali i Zi, me 3.9% të GDP-së si shpenzime për bukë dhe drithëra, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3.3% dhe Maqedonia me 2.9%. Edhe Greqia, ndonëse një vend në Bashkimin Europian, shpenzon 2.7% të GDP-së për bukë dhe drithëra. Të dhënat e Eurostat tregojnë se jo vetëm shqiptarët shpenzojnë më shumë për të siguruar këtë nevojë bazë jetike, por kjo përqindje është më e lartë se 10 vjet më parë. Në 2007-n, viti më i hershëm kur i raporton të dhënat INSTAT, kjo përqindje ishte 4.4, ndërsa në 2016-n u shënua niveli maksimal prej 4.9% e PBB-së (të dhënat e Eurostat janë përditësuar në qershor 2017). Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 183 euro në vit, më të lartat në rajon.

Plakja e popullsisë, më shumë ilaçe

Gjatë periudhës janar-gusht 2017 importet e produkteve farmaceutike pësuan një rritje vjetore 14 % në vlerë dhe 7 % për qind në sasi. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë 8-mujorit u importuan 3374 tonë produkte farmaceutike në krahasim me 3128 tonë në 8-mujorin 2016. Në të njëjtën periudhë të vitit 2015 ishin importuar 2702 tonë medikamente. Në ecuri të drejtë me sasinë e medikamenteve të blera jashtë vendit patën edhe shpenzimet të cilat arritën në 15.9 miliardë lekë gjatë janar-gusht 2017, nga 13.9 miliardë lekë që ishin më 2016, me një rritje 14%. Në lidhje me këto zhvillime farmacistët dhanë disa arsye, duke pohuar edhe trendin në rritje të konsumit të ilaçeve. Plakja e popullsisë, rezistenca në rritje të ndaj medikamenteve dhe rritja e sëmundshmërisë janë tri shkaqet kryesore që sipas farmacistëve në pikat e pakicës kanë rritur konsumin e medikamenteve. Plakja e popullsisë është faktori kryesor. Shtimi i numrit të të moshuarve, shpjegojnë farmacistët, rrisin sasisë e konsumit të ilaçeve për tensionin, zemrën, parkinsonin etj. Moshat e thyera vuajnë më shumë se nga një sëmundje kronike në shumë raste, ndaj dhe ata janë kontingjenti më i madh i blerjes të medikamenteve.

Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8 për qind të krejt totalit të popullsisë nga 15.4 për qind që ishte në 2011. Farmacistët pohojnë gjithashtu se, numri i personave që po bëhen rezistencë ndaj ilaçeve po rritet. Përdorimi i shpeshtë i ilaçeve rrit rezistencën ndaj tyre, për pasojë ky grup gjithnjë e në rritje konsumon më shumë medikamente. Edhe ushqimet e pakontrolluara, apo dhe jeta sedentare kanë ndikuar në uljen e reagimit të trupit ndaj virozave. Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24 për qind të rasteve pa recetë mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre. Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, teksa në të gjitha vendet ballkanike, përveç Greqisë, ky numër ishte shumë i lartë. Aktualisht, Shqipëria është vendi i vetëm në rajonin e Europës Juglindore, i cili ka shënuar rritje në nivelin e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës në dy dekadat e fundit.

Çmimet e ushqimeve në rritje

Sipas EUROSTAT rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin gusht në Shqipëri ishte 2,5 për qind dhe rritja më e madhe e çmimeve prej 6,1 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,9 % etj. Ndërsa, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 2,1 %, pasuar nga grupi “Mobilie shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,8 % etj. Me këto shifra Shqipëria renditet në mesin e pesë vende europiane me nivelin më të lartë të rritjes së çmimeve në rang europian. Ndërkohë sipas matjeve të INSTAT rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin korrik është dominuar nga çmimet e ushqimeve. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet” u rriten me 13,7 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 11,2 %, “peshk” me 4,3 %, “qumësht, djathë e vezë” me 4,1%, “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 3,1 % etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 3,0 %.

Shpenzimet për ushqime sipas Eurostat

Sipas Eurostat, për mesataret e 28 shteteve të BE-së, pesha që shpenzohet për ushqime është vetëm 12.4% e totalit të shpenzimeve mujore të një familjeje. Britanikët janë ata që shpenzojnë më pak për ushqime e pije jo alkoolike, me vetëm 8.7% të totalit, të ndjekur nga Luksemburgu me 9.1%. Të dhënat të tjera të Eurostat tregojnë se në vlerë absolute, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri janë më të lira, sa 68% e mesatares europiane, të dytat më të lira pas Maqedonisë, teksa çmimet në shtetin fqinjë janë sa 58% e mesatares së Bashkimit Europian. Më të shtrenjtat në Europë, çmimet e ushqimeve janë në Zvicër, në 172% të totalit të mesatares së BE-së. Edhe në Britani, që ka shpenzimet më të ulëta për ushqime, çmimet janë 11% më të shtrenjta se mesatarja e BE-së, por britanikëve nuk u rëndon blerja e produkteve jetike, për shkak të të ardhurave të larta. Janë pikërisht të ardhurat e ulëta ato që bëjnë që konsumatorët shqiptarë të shpenzojnë më shumë për ushqim e pije joalkoolike, dhe më pas të mendojnë për shëndetin, energji, argëtim, veshje, ngrohje etj. Po sipas Eurostat, Shqipëria renditet një nga vendet e fundit në Europë për sa i përket të ardhurave për frymë, që prej disa vitesh ka ngecur në 30% të mesatares së BE-së, e fundit në rajon. Sipas peshave të publikuara nga INSTAT, pasi harxhojnë rreth 40% të buxhetit për ushqime, familjarëve shqiptarë u mbeten 4.4% për Pije alkoolike dhe duhan; 4% për Veshje dhe këpucë; 20.7% për Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji; 6.5% për Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë; 3% për Shëndetin; 6.2% për Transportin; 2.5% për Komunikimin; 2.6% për Argëtim dhe kulturë; 2.5% për Shërbimin arsimor; 2.9% për Hotele, kafene dhe restorante; 4.7% për Mallra dhe shërbime të ndryshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.