Rrethi vicioz i epsheve politike

Ku është Kosova politikisht pas rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe nisma e re e bisedimeve Prishtinë –Beograd me qeverinë Hoti ?

Shkruan: Hysen Gecaj

Albin Kurti dridhi skenën politike në Kosovë me fitoren e tij në zgjedhjet e fundit dhe këtë dridhje e ndien që të gjithë. Ata të cilët e përkrahën dhe e deshën këtë fitore, por edhe ata të cilët nuk e deshën. Të gjitha palët kishin arsyet e veta që t’i ndienin dridhjet.
Njëra palë ndiente dridhjet nga emocionet e fitores, të tjerët nga emocionet e humbjes, por kishte edhe nga ata që dridheshin nga pasiguria se çka do të sillte qeveria e re në krye me Albinin. Paaftësia e Albinit për të qëndruar në pushtet bëri që kjo qeveri të bie, por edhe me ndihmën e një lufte të pakursyer të atyre që tashmë ishin mësuar me pozitat në pushtet. Albini u sulmua nga të gjitha anët dhe haptazi shihej që, përveç dëshirës së pjesës më të madhe të atyre që ishin mësuar me pushtetin, tani sulmohej edhe nga ata që, në fakt, nuk i donin qeverisjet paraprake, porse u orientuan prapë “për një të keqe më të vogël”, pasi që për 50 ditë të Qeverisjes Kurti u pa se kjo qeveria nuk kishte njerëzit e duhur për ta udhëhequr shtetin. Ishte qeveri amatore. Megjithatë Albini ua futi dridhmat në barkë liderëve, të cilët ishin mësuar me “fitoret” e deritanishme, prandaj ata harruan armiqësitë politike dhe krijuan një front të përbashkët për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Tani kemi një qeveri legjitime, por të brishtë, e cila para vetes ka sfida, të cilat, po nuk u menaxhuan si duhet, Kosova do t’i ndjejë pasojat dhe do të ketë dëme të pa riparueshme. Nëse duam që kjo të mos na ndodhë, liderët partiakë, pa dallim, duhet ta mbështesin këtë qeveri në arritjen e përmbushjes së interesave nacionale dhe përfundimin me sukses të dialogut me Serbinë.
Mirëpo, me kalimin e kohës, disave nga liderët tanë ka filluar që t’u rikthehet sindroma e trurit te peshkut për shkak të epsheve personale politike.
Me fillimin e dialogut me Serbinë dalin zëra që na i kujtojnë kohërat kur nuk mund të arrihej asnjë marrëveshje pa “izën” e tyre dhe, si pasojë, humbëm shumë vite me luftërat e brendshme, se cili është më patriotë se tjetri, por që, në fakt, veprimet ishin antipatriotike dhe të dëmshme për Kosovën. Për një kohë, këta liderë e frikësuan popullin se oponenti i tyre politik do ta tradhtojë Kosovën në llogari të Serbisë dhe se vetëm kur ata janë në pushtet, Kosova do të shpëtojë. Këtë luftë të brendshme Serbia po e shfrytëzon shumë mirë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, duke propaganduar kundër Kosovës deri në atë shkallë, sa tani Serbia disi ka filluar të shihet si viktimë në sytë e ndërkombëtarëve.
Shkathtësia e propagandës serbe
Cinizmi i politikës serbe lidhur me historinë serbe gjithmonë ka shkuar deri në skajshmëri dhe të paktë janë politikanë ose intelektualë serbë, të cilët kanë ndërgjegje në raport me ngjarjet dhe tragjeditë të cilat serbët u shkaktuan popujve në ish- Jugosllavi. Cinizmi i tyre shkon deri aty sa fajësohen shqiptarët e Kosovës për moslejimin e kthimit të serbëve në trojet e tyre, të cilët ikën bashkë me forcat ushtarake e policore serbe nga Kosova, për shkak se ata i dinin të bëmat e tyre gjatë luftës së Kosovës.
Nuk përmendin ata mijëra civilë të vrarë, gra pleq e fëmijë; nuk flasin për dhunimet e grave dhe vajzave nga forcat serbe; nuk flasin për shkatërrimet e pasurive shqiptare dhe pakicave të tjera deri në themel.
Po ashtu, këto ditë me të madhe propaganda serbe, në përvjetorin e “Operacionit Olluja” në luftën e Kroacisë, tenton ta paraqesë veten viktimë dhe ta fajësojë ushtrinë kroate për shpërnguljet e serbëve nga Kroacia, ndërsa dihet se kush e nisi luftën në Kroaci dhe kush bëri krime atje.
Po kështu edhe në Bosnjë e Hercegovinë, Srebërnica ishte “ Holokausti “, ku u bë gjenocidi më i madh në Evropën e civilizuar kundër myslimanëve boshnjakë nga forcat ushtarake serbe në prani të UMPROFOR-it.
Derisa liderët tanë me tru peshku kanë filluar të ringjallin urrejtjet (harruan fitoren e Albinit që ua pat futë të drithërimat ) e brendshme dhe mospajtimet e brendshme për shkak të epsheve të tyre politike, Serbia po përfiton terren politik në arenën ndërkombëtare dhe po bënë kthesa në interesin e saj, duke fituar përparësi në dialogun, i cili pritet që të vazhdojë me qeverinë Hoti e përfaqësuar tani nga Skender Hyseni. Disa nga liderët tanë nuk harrojnë ta quajnë Qeveri Koti, të paaftë,të brishtë, jolegjitime etj., por nuk duan ta kuptojnë se në raport me Serbinë edhe si e tillë kjo qeveri duhet të mbështetet.

Hysen Gecaj është ekspert i pavarur i sigurisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.