Ballina / KOSOVA / Rreth 500 kosovarë vdesin çdo vit nga “sulmi në tru”
truri_infoglobi

Rreth 500 kosovarë vdesin çdo vit nga “sulmi në tru”

Mbi 1 mijë e 300 kosovarë për çdo vit pësojnë “sulm në tru”, apo aksident vaskular trunor, siç njihet ndryshe me termat mjekësorë. Këta persona trajtimin e parë e marrin në Klinikën e Neurologjisë pranë QKUK-së.

Sipas drejtuesve të Neurologjisë, rreth 40 për qind të këtyre rasteve vdesin, që i bie rreth 500 persona në vit. Kjo klinikë, sipas udhëheqësve të saj, nuk ka kushte adekuate, e as staf të mjaftueshëm, për t’i trajtuar të gjitha këto raste. Përveç mungesës së infermierëve e aparaturës, aty mungon edhe trajtimi adekuat.

Fatmire Gashi, 53 vjeçe nga Vushtrria, dy vjet më parë pësoi aksident vaskular në tru, apo siç njihet ndryshe sulm në tru. Ajo derisa ishte duke ngrënë bukë pësoi sulmin ku si pasojë, asaj iu deshën dy vjet që të rikuperohet. Për Express, 53-vjeçarja ka shpjeguar rreth trajtimit që ajo ka marrë si dhe terapive që tash e një kohë ajo është duke i kryer.

“Jam shtri në spital. Për 8 muaj pas sulmit kam qenë në gjendje të keqe, nuk mbaja mend shumë gjëra. Pas 8 muajve me ndihëm e familjes kam fillu pak me i ditë gjërat. E ja tash dy vjet e gjysmë pas sulmit unë jam mirë. Dal, lëviz, të gjitha gjërat i bëj normalisht”, ka thënë Gashi.

Fat të njëjtë si të 53-vjeçares nga Vushtrria kanë edhe mijëra kosovarë të tjerë. Veç për një vit në Klinikën e Neurologjisë në QKUK rreth 1 mijë e 500 kosovarë kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e aksidentit vaskular trunor apo sulmit në tru. Si pasojë e kësaj më shumë se 500 persona në vit gjejnë vdekjen në këtë klinikë.

Kështu i ka thënë Expressit, Nexhmedin Shala, neurolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Në klinikën e Neurologjisë, ku unë jam përgjegjës dhe udhëheqës i këtij shërbimi, diku 1200 deri në 1300 pacientë shtrohen brenda një viti nga disa lloje të aksidenteve vaskulare trunore. Shkalla e vdekshmërisë prej aksidenteve vaskulare trunore është e madhe. Mund të shkojë deri në 40 për qind”, i ka thënë Shala Expressit.

Ai ka treguar se sëmundja e sulmeve në tru radhitet për nga rëndesa në sëmundjen e tretë në vend.

“Pika në tru, apo aksidentet vaskulare trunore janë sëmundje që në raport me shkurtësinë dhe të gjitha të tjerat renditen në sëmundjet e treta për nga rëndesa, ndërsa është sëmundja e gjashtë për nga balla që e mban familja dhe shteti”.

Megjithëkëtë, drejtori i Neurologjisë thotë se sfidë mbetet trajtimi i këtyre personave në klinikën që ai drejton. Thotë se mungesa a infermierëve, aparaturës janë disa nga barrierat. Por me gjithë këtë numër të pacientëve e gjithë Kosova ka vetëm një rezonancë magnetike në të cilën pacientët që pësojnë sulme të tilla detyrohen që të presin me muaj për ta kryer këtë shërbim, por ka edhe të atillë që një shërbim të tillë e kryejnë në spitalet private në vend.

Pavarësisht kësaj, Shala thotë se Klinika e Neurologjisë nuk e ka një rezonancë të saj. Por që pacientët e Neurologjisë këtë shërbim e kryejnë në aparaturën që gjendet e shfrytëzohet nga e gjithë QKUK-ja.

“Klinika në kuadër të QKUK-së disponon një aparaturë, qoftë skaner, apo rezonancë magnetike apo aparatura tjera ndihmëse për ta diagnostikuar shkakun e aksidenteve vaskulare. Kushtet e punës në të cilat shtrohen këta të sëmurë në klinikën tonë, unë me keqardhje them që ato nuk janë më të mirat dhe ky është ai segmenti ku shteti duhet ta shtrijë dorën e vet”, shpjegon neurologu.

Ai thotë se për një shërbim më cilësor duhet shtuar numri i infermierëve për këtë klinikë.
“Ne çalojmë edhe në atë që quhet ofrim cilësor i ndihmën mjekësore. Është mungesa e stafit infermieror. Ne nuk kemi staf të mjaftueshëm. Duhet të ketë staf të mjaftueshëm për të ofru minimumin e cilësisë dhe kujdesit që në këtë rast mungon dhe institucionet tona nuk e kemi”, thotë tutje Shala.

Por rreth kësaj çështjeje SHSKUK-ja, po kërkon që në QKUK të punësohet edhe së paku 180 infermierë të rinnj për të gjitha klinikat.

Kështu i ka thënë Expressit drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

“Për momentin kjo do të jetë një zgjidhje shumë e mirë. Shërbimet të cilat vuajnë për infermierë, kjo do t’iu bëjë zgjidhje të madhe”, ka thënë Sejdiu.

E ndërkohë, shkaqet kryesore që çojnë në sulmin në tru, sipas neurologut, Nexhmedin Shala janë të lindura apo edhe të fituara.

“Të lindura janë ato gjenetike, kur persona të caktuar janë bartës të kësaj sëmundjeje. Të fituara janë problemet me enë të gjakut, problemet me zemër, indet e gjakut, mund të jenë probleme në nivel të sistemit nervor qendror”, ka shpjeguar për Express Shala.

Megjithëkëtë, Shoqata e Neurologëve të Kosovës dhe Klinika e Neurologjisë në QKUK kanë shprehur nevojën e vetëdijesimit të popullatës por edhe të personelit mjekësor për masat parandaluese të kësaj sëmundjeje dhe njëkohësisht kërkon nga autoritetet shtetërore rritjen e mbështetjes për profesionistët, në luftë kundër kësaj sëmundjeje. /Express/

@Fluidi

Provo po ashtu

theresa may

May: BE duhet të respektojë Britaninë në negociatat për Brexit

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë Mbretërinë e Bashkuar …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.