Ballina / KOSOVA / Rreth 300 infermierë ikën nga Kosova këtë vit
mjeket, greva, ikja

Rreth 300 infermierë ikën nga Kosova këtë vit

Që prej fillimit të këtij viti, rreth 300 infermierë kanë ikur nga Kosova për në vendet e Bashkimit Evropian. Këto janë të dhënat e fundit që i posedon Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës si qendër terciare, referente për tërë Kosovën, ka gjithsej 1900 infermierë të profileve të ndryshme, por që si numër, del të jetë i pamjaftueshëm. Ndërkaq, në gjithë sistemin publik shëndetësor, janë rreth 6.500 infermierë të punësuar.

Nga Federata Sindikale e Shëndetësisë thonë se për një sistem të mirëfilltë, do duhej edhe punësimi i rreth 4 mijë infermierëve, për t’i plotësuar nevojat e pacientëve.

Përpos këtij numri të infermierëve që tashmë kanë ikur nga Kosova, ka edhe të tjerë që po presin të largohen. Njëri nga ta është Muhamet Hyseni, i cili duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tashmë ka vendosur të ikë për në Gjermani për shumë arsye. Ai thotë po ashtu se tashmë ka bërë një kontratë me shtetin gjerman.

“Pika e parë pse unë kam vendosur të ikë nga Kosova ka të bëjë me kushtet, pra që të shtyjnë të bësh një zgjidhje më të mirë për veten dhe familjen. Pra, kushtet elementare për një punë të rregullt, e që te ne në QKUK nuk ekzistojnë. Te ne përpos kushteve jo të mira të punës, është edhe paga jo e dinjitetshme dhe kjo më bën që për shkak të familjes të gjej një vend ku atyre dhe vetes mund t’ju ofrojë një jetë më të mirë. Unë tashmë jam në kontakt me njerëz që rekrutojnë infermierë, ata na kanë testuar dhe janë ndarë shumë të kënaqur me ne. Tash po pres të iki”, tha Hyseni.

Naser Rustemi, kryetar i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se çdo ditë infermierë të profileve të ndryshme kërkojnë dokumente që dëshmojnë se ata janë infermierë të licencuar nga kjo Odë, e që iu shërben atyre për të punuar jashtë vendit. Megjithëkëtë, ai thotë se nuk kanë statistika se sa infermierë po ikin jashtë Kosovës.

“Ne si Odë kemi marrë kompetencat nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2018. Prej atëherë kemi licencuar rreth 24.500 infermierë me shkollë të mesme me gamë të gjerë. Ne kemi bërë rilicencim të gjithë profesionistëve shëndetësorë me shkollë të mesme dhe 2.580 me bachelor dhe mami 128 me bachelor. Shifrat që ne posedojmë janë mbi 27 mijë infermierë të punësuar në institucione publike dhe private”, tha Rrustemi.

Në anën tjetër, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë tha se ndonëse po kërkojnë statistika zyrtare nga institucionet relevante për ikjen e stafit mjekësor nga Kosova, një gjë e tillë është e pamundur, pasi siç thotë ai, po i fshehin numrat e saktë.

“Në Kosovë janë rreth 4 mijë infermierë më pak se që duhet, për një sistem të mirëfilltë. Por, gjithmonë arsyetimi është se nuk ka buxhet për punësimin e tyre. Ikja e infermierëve ka arritur në 300 sosh, vetëm gjatë këtij viti. Kjo është informata zyrtare që e kemi si Sindikatë. Mund të ketë edhe më shumë, por ne nuk kemi informatë tjetër pasi po i mbajnë të fshehta numrat. Ne kemi kërkuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale numrin e saktë të ikjes së infermierëve, por nuk po mund t’i marrim, pasi po i mbajnë të fshehta. Me shtetin gjerman po lidhin kontrata edhe universitetet private, por prodhojnë infermierë dhe po dërgojnë infermierë jashtë vendit”, tha Syla.

Ndërkaq sipas Rrustemit arsyeja pse infermierët po ikin jashtë vendit ndërlidhet me pagat më e larta dhe kushtet më të mira të punës. Gjithashtu, siç thotë ai, duhet cekur edhe diskriminimi që iu është bërë me Ligjin e ri për paga.

“Një numër shumë i madh i këtyre infermierëve e lëshojnë punën çdo ditë për shkak të pagesës jo të dinjitetshme dhe një numër i madh po e lëshojnë punën nga vendet kyçe siç është kujdesi intensiv, urgjenca etj. Tash edhe me ligjin e ri janë diskriminuar. Nuk e kanë marrë parasysh shkollimin, i kanë futur në të njëjtën kategori, si ata me shkollë të mesme, si ata me bachelor, gjë që ka zgjuar një pa kënaqësi tek ta”, tha Rrustemi.

Ndryshe, së fundmi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë punësuar 100 infermierë të rinj, por ky numër nuk i ka plotësuar nevojat që ka ky institucion për stafin e mesëm. Zyrtari për informim Shpend Fazliu, ka bërë të ditur se ky numër është përcaktuar në bazë të mundësive buxhetore që ka pasur ky institucion, por, sipas tij, pritet të ketë edhe konkurse të tjera, meqë edhe 100 infermierë të rinj që janë punësuar, nuk paraqet numër të mjaftueshëm.

Oda e Infermierëve të Kosovës tashmë është bërë anëtare e Organizatës Botërore të Asociacioneve Ndërkombëtare. Kjo u mundëson infermierëve që t’u njihen licencat jashtë Kosovës, gjë që deri më tani nuk ka qenë.

Kjo Odë gjithashtu ka bashkëpunim të mirë me Slloveninë, ku tashmë kanë edhe memorandum bashkëpunimi, qoftë për trajnime të ndryshme apo edhe edukim të vazhdueshëm profesional për infermierët.

Provo po ashtu

Mësimet e Kosovës nga lodhja e BE-së me Ballkanin Perëndimor

Pengesa më e madhe, mbetet ajo e mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.