fbpx

Rrëfim tronditës i të mbijetuarit të tërmetit

Katmandu. – Një burrë, të cilin e kanë nxjerrë nga hoteli i kollabuar tri ditë pas termetit shkatërrues në Nepal, ka deklaruar se është detyruar ta pijë urinën e vet për të mbijetuar.

Rishi Khanal (27) sapo e kishte përfunduar drekën në hotel dhe kishte shkuar në katin e dytë, kur gjithçka kishte filluar të rrënohej rreth tij. E kanë goditur pjesë të tavanit dhe ka mbetur i burgosur pasi që një gur i ka rënë në këmbë.

– Kisha shpresë në fillim, po dje qesh dorëzuar. Thonjtë më qenë zbardhuar dhe buzët plasaritur… isha i sigurt se askush s’do të më gjejë. Isha i sigurt se do të vdes, ka thënë Khanal për AP-në, pasi që e ka nxjerre ekipi i shpëtimtarëve francezë.

Në rrënojat e hotelit ishte i rrethuar me kufoma dhe kundërmim të tmerrshëm, por i godiste gurët përreth vetes, duke krijuar zhurmë, e cila i tërhoqi shpëtimtarët francezë.

Operacioni i shpëtimit ka zgjatur shumë orë, ndërsa në çastin kur e kanë nxjerrë ishte i burgosur tashmë 82 orë.

– Nuk kam dëgjuar kurrëfarë zërash. I godisja copat e hotelit përreth deri sa përfundimisht dikush nuk erdhi në ndihmë. Nuk kam ngrënë e as që kisha diçka për të pirë, kështu që e kam pirë urinën time, ka deklaruar Khanal.