Ballina / Kulturë / Röhm: Kadare, akullthyesi për letërsine Shqiptare

Röhm: Kadare, akullthyesi për letërsine Shqiptare

Përkthyesi i veprave të rreth 40-të autorëve shqiptarë në gjuhën gjermane, Joachim Röhm, thotë se ka rënie në fushën e letërsisë në Kosovë dhe Shqipëri. Röhm, përkthyes edhe i veprës së Ismail Kadaresë, thotë se vepra e tij është akullthyesi për letërsinë shqiptare.

Ai gjithashtu, ka përkthyer dhe veprat e disa autorëve nga Kosova siç janë: Anton Pashku, Mirko Gashi dhe Rexhep Qosja. Në intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se jo çdo libër që është me rëndësi për vendin e vet, është me rëndësi edhe për botën e jashtme.

RTK: Jeni përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane. Çka ju lidhi me gjuhën shqipe?

Joachim Röhm: Me gjuhën shqipe me lidhi fakti se kam jetuar në Shqipëri nga viti 1977 deri në vitin 1980. Si anëtar i një organizate marksiste – leniniste në atë kohë, erdha në Shqipëri  të përhap  idetë e saja, si në punët e Shtëpisë Botuese “17 Nëntori”. Pastaj, pas kthimit në Gjermani, u largova nga marksizmi – leninizmi shumë kohë përpara Shqipërisë, por kontaktet e mia më Shqipërinë kanë qenë të rregullta prej asaj kohe. Që nga viti 1986 kam përkthyer vepra të letërsisë shqiptare, sidomos veprat e Ismail Kadaresë.

RTK: Si vlerësohet vepra e Ismail Kadaresë te gjermano folësit?

Joachim Röhm: Ismail Kadare, është një nga autorët e njohur për publikun letrar por jo autor bestsellerash. Por, Kadare është një faktor fiks në letërsinë botërore, si në Gjermani ashtu dhe në vendet e tjera të botës. Çdo libër i tij që botohet, ka jehonën  e vet te publiku dhe te shtypi.

RTK: Përveç Ismail Kadaresë, cilët janë autorët e tjerë që i keni përkthyer?

Joachim Röhm: Kam përkthyer mbi 40-të autorë shqiptarë, kështu që është e vështirë t’i përmend të gjithë. Më duket jo e drejt t’i përmend vetëm disa autorë. Kam përkthyer rreth 40-të autorë shqiptarë, pa përmendur antologjitë, revistat letrare, televizionet, radiot. Por, autorë nga Kosova kam përkthyer Anton Pashkun, Mirko Gashin, Rexhep Qosjen dhe veprën e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, dhe shumë të tjerë.

RTK: Meqenëse e njihni letërsinë shqipe, si e vlerësoni ju personalisht letërsinë që krijohet në Kosovë dhe në Shqipëri?

Joachim Röhm: Është një pyetje jashtëzakonisht e vështirë, sepse në fund të fundit besohet se ka një rënie në fushën e letërsisë në të dy vendet. Kjo shkaktohet nga shumë faktorë, konkretisht nga politizimi i gjithë jetës nga sistemi jashtëzakonisht i dobët i botimeve, nga fakti që shumë të rinj largohen nga vendi…letërsia shqiptare gjithmonë do të ekzistojë, por kushtet aktuale për letërsinë shqipe në të dy vendet, ose në të gjitha trojet shqiptare, nuk janë shumë të përshtatshme sipas mendimit tim.

RTK: Çka duhet të bëjmë në shqiptarët që të jetë letërsia në nivelin e duhur?

Joachim Röhm:  Për mua do të thotë që këtu nuk ka botues,  ka pronarë shtypshkronje, që fitojnë paratë e tyre duke marrë para nga autorët e jo nga publiku. Kjo është pengesa kryesore për mendimin tim. Letërsia mund të zhvillohet vetëm kur ka një jetë të gjallë, sistematike letrare që duhet ta ketë bazën te shtëpitë botuese që kanë përgjegjësi jo për profitet e tyre, por për letërsinë. Dhe e dyta, është mungesa e një kritike letrare të pavarur. Këtu ka recensione në shtyp, por janë më shumë me porosi që bëhen nga shoku për shokun.

RTK: Autorët që i keni përkthyer në gjermanisht, si janë pritur në përgjithësi nga gjermanët?

Joachim Röhm: Ky nuk është problemi i gjermanëve, besoj se jehona e letërsisë shqipe është njësoj në të gjitha vendet e Evropës. Mund të thuhet se Ismail Kadare është akullthyesi  për letërsinë shqiptare. Do të thotë se pa Kadarenë, jehona e letërsisë shqiptare jashtë vendit do të ishte me e vogël. Gjuha shqipe është një gjuhë e vogël, si p.sh. edhe disa gjuhë të tjera si finlandishtja, hungarishtja etj, nuk mund të thuash se suksesi i letërsisë shqipe është më i vogël se sa suksesi  i letërsisë finlandeze p.sh, në Gjermani. Çdo letërsi, kur kapërcen kufijtë e vendit të vet, duhet të qëndrojë në përballim me gjithë letërsinë botërore, në një treg krejtësisht kapitalist të librit. Kjo, sigurisht është shumë e vështirë. Më fjalë të shkurtra, është shumë e vështirë që të botosh një libër të një autori shqiptar momentalisht në Evropë, jo vetëm në Gjermani.

RTK: Çfarë ndikimi ka letërsia në zhvillimin e një populli?

Joachim Röhm: Përsëri është pyetje e vështirë, sepse jetojmë në një kohë ku ka zhvendosje nga letërsia që është bërë në letër në letërsinë digjitale, në rrjetet sociale, apo në media të tjera. Gjithmonë ka pasur letërsi, çdo popull ka pasur letërsi dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Unë mendoj që momentalisht, rangu i letërsisë, kur flasim për Shqipërinë dhe Kosovën, rangu i letërsisë midis të gjitha aspekteve, nuk është i mjaftueshëm, nuk është ai që duhet të jetë.

RTK: Kriteret tuaja për përzgjedhjen e një libri për përkthim, janë në bazë të shijes personale apo në bazë të vlerave letrare që ka libri?

Joachim Röhm:  Fakti është që nuk jam unë që i përzgjedh librat, por janë botuesit. Kontakti nga autorët me botuesit e huaj bëhet përmes agjentëve letrarë, ose me botuesit në Shqipëri ose Kosovë. Por, për mua është thjeshtë një kriter. Është cilësia, lidhur me shansin për të pasur sukses në një vend tjetër. Kjo do të thotë se jo çdo libër që është me rëndësi për vendin e vet, është me rëndësi edhe për botën e jashtme. Mendoj se ka njëfarë fenomeni shumë negativ midis autorëve shqiptarë. Ata nuk mendojnë për tregun e vendit, nuk mendojnë për publikun e vet në vendin e vet, por të gjithë duan patjetër dhe pa kusht, të përkthehen në një gjuhë tjetër. Ky është gabim.

RTK: Për çfarë qëllimi e bëjnë këtë?

Joachim Röhm: Me qëllim nderi  apo me qëllim lavdie. Ata mendojnë se është një sukses më i madh të botohen jashtë vendit, por nuk është ashtu.  Në të gjitha vendet e kësaj bote e edhe në Gjermani, ka autorë që kanë rëndësinë e tyre në tregun e vendit, por nuk do të përkthehen kurrë në gjuhë të huaja. Për të përballuar konkurrencën me letërsinë botërore, duhet të kesh cilësi të posaçme. Jo çdo libër ka cilësi të tilla.

RTK: Cili autor pritet të përkthehet nga ju në të ardhmen e afërt?

Joachim Röhm: Ismail Kadare, patjetër! Por, sa u përket autorëve të tjerë të mundshëm, nuk jam unë ai që vendos, por janë botuesit gjermanë. Qëllimisht nuk dua të përmend emra sepse kjo do të ishte e padrejtë. Ka disa autorë të brezit të mesëm, që do të thotë se tani janë rreth 40-45 vjeç në moshë, që meritojnë të botohen jashtë vendit dhe nuk janë botuar akoma. Të shohim.

RTK: Cila do të ishte porosia juaj për autorët dhe botuesit në Kosovë dhe në Shqipëri?

Joachim Röhm: Për botuesit kryesisht është porosia që të fillojnë të punojnë si botues e jo si pronarë shtypshkronje. Domethënë, një botues duhet të jetë i interesuar jo vetëm për përmbajtjen e letërsisë por për të gjitha kushtet për një libër, jo vetëm ta sjellë në treg. Ndërsa për autorët, thjeshtë të vazhdojnë punën e tyre por të mos këqyrin gjithmonë për botën e jashtme. Të përpiqen të krijojnë vepra të denja.

Provo po ashtu

torino, itali, hiroshima mon amor, koncertet, madona, bob dilan

Koncerti i parë pa telefon celularë

Nëse hyn në koncert nuk duhet ta mbash me vete celularin, të bësh foto, të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.