fbpx
qkuk

Riorganizime në QKUK, ndihet mungesë e mantelbardhëve

Shtretër shtesë janë dërguar në objektin e Mjekësisë Sportive për pacientët me Covid-19.

Rritja e numrit të pacientëve të shtrirë në klinikat e QKUK-së ka detyruar SHSKUK-në që t’i riorganizojë sërish disa klinika.

Përveç Klinikës Infektive e asaj të Pulmologjisë, për trajtimin e pacientëve me Covid-19 është vënë në funksion sërish hapësira e Mjekësisë Sportive.

“Ju informojmë se me vendim të Komitetit të SHSKUK-së për menaxhim të situatës me COVID-19, është bërë riorganizim i hapësirave të brendshme në QKUK, ku në bllokun e klinikave internistike është krijuar Njësia COVID-3. Po ashtu, i njëjti komitet ka vendosur që pas kryerjes së punimeve në hapësirat e Mjekësisë Sportive, të fillojë vendosja e pacientëve në objektin COVID-4. Pra, aktualisht në QKUK për COVID përdoren; Klinika Infektive (COVID-1), Klinika e Pulmologjisë ( COVID-2) Njësitë Internistike (COVID-3). Mjekësia Sportive (COVID–4) dhe Mjekimi Intensiv COVID”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Klinika Infektive tashmë është duke punuar me kapacitete maksimale dhe fluksi i pacientëve, sipas mjekëve, aty është shumë i madh.

“Unë mendoj që jemi në një fazë mjaft të ashpër të epidemisë, kërkesat për spitalizim të pacientëve janë mjaft të mëdha, unë mendoj edhe në nivel të spitaleve regjionale e të QKUK-së asnjë pacient që ka pasur nevojë për spitalizim nuk ka mbetur pa u trajtuar, por format janë të rënda”, ka thënë infektologu Salih Ahmeti.

Përveç klinikave të QKUK-së, edhe 7 spitale rajonale janë duke trajtuar pacientë të infektuar me Covid-19.

Derisa disa nga këto spitale kanë treguar se kanë vetëm edhe pak vende të lira për pranimin e pacientëve, Spitali i Prizrenit ka problem tjetër.

Sipas drejtorit të këtij spitali, Afrim Avdaj, problem nuk janë hapësirat, por mungesa e stafit shëndetësor.

“Numri i pacientëve që është duke u trajtuar në spitalin tonë i ka arritur kapacitetet maksimale, sidoqoftë deri në momentin që po flasim ne i kemi mbi 463 shtretër nën sistemin e oksigjenimit qendror dhe 560 shtretër, por duhet të kihet parasysh që kemi personel shëndetësor që janë në vetizolim pasi që ndonjë familjar i tyre ka rezultuar pozitiv apo ka ndonjë shenjë klinike me COVID dhe e bënë më të rënduar ofrimin e shërbimeve maksimale shëndetësore”, ka deklaruar ai.

Gjatë së enjtes, 900 pacientë kanë qenë duke marrë trajtim spitalor në klinikat e QKUK-së dhe në spitale regjionale, prej tyre 654 të konfirmuar me Covid-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.