Avdullah Hoti, i nominuar për Kryeministër të Kosovës nga LDK

Rikthehen vezët, ‘viktima’ e parë për sivjet Avdullah Hoti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti (LDK) është sulmuar me vezë sot afër ndërtesës së qeverisë.

Gjatë incidentit kur u hodhën vezë drejt tij, në prapavijë dëgjohet një zë mashkulli të thotë: Taksën nuk bën me heq.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas sulmit me vezë, të shtunën në mesditë.

Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se “Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar”.

“Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka shkruar ai.

Ky është postimi i plotë i tij:

Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë.

Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në.

Sinjalet qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar.

Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale.

Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë.

Historiku u taksës

Si dihet taksa apo më saktë tarifa prej 100 ndaj produkteve të Serbisë dhe atyre të Bosnjë e Hercegovinës është shqiptuar parvjet në nëntor nga qeveria e Kosovës e drejtuar nga ish kryeministri Ramush Haradinaj në shenjë pakënaqësie ndaj lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Pas një kohe të shkurt kjo masë u interpretua si kusht që Serbia e Bosnjë dhe Hercegovina të njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Pro tarifës kishin votuar ministrat e koalicionit të atëhershëm qeverisës, ku përfshihej edhe partia sot më e madhe opozitare PDK.

Në shenjë pakënaqësie për masën e shqiptuar dhe për shkak të Ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  Serbia atëbotë kishte ndërprerë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Kusht për rikthimin e Beogradit në tryezën e bisedimeve me Kosovën, sipas Serbisë është heqja e tarifës.

Pas presionit mbi një vjeçar të bashkësisë ndërkombëtare  që  tarifa të hiqet, qëndrimet e subjekteve politike në Kosovë mbesin të ndara.

AAK dhe lideri i saj Ramush Haradinaj që tash është në opozitë kundërshton heqjen e taksës. PDK-ja ka ambiguitet në qëndrimet e saj. Lideri i kësaj të fundit Kadri Veseli kishte pranuar vjet sygjerimin e SHBA-ve që taksa të pezullohet, kurse Vetëvendosje dhe LDK, dy subjekte që qeverisin aktualisht me vendin, janë pro heqjes së taksës dhe vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë.

Jo zyrtarisht, infoGlobi mëson se taksa do të hiqet së shpejti, kurse reciprociteti do të menaxhohet në bashkëveprim me SHBA-të. Të paktën këte e synon LDK-ja por, ende nuk dihet nëse diçka të tillë do t’a pranojë edhe Washingtoni, i cili nuk parapëlqen as reciprocitetin.

Bashkësia ndërkombëtare është e interesuar më shumë për dialogun dhe epilogun e tij. Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti (VV) që të vijë me ndonjë ide kreative , e cila do të mundësonte vazhdimin e tij dhe normalizimin përfundimtar të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. /infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.