Ballina / OP./INTERVISTA / Revolucioni i mbetur në vend numëro
revolucioni i mbetur ne vendnumero

Revolucioni i mbetur në vend numëro

Francezët, amerikanët, rusët e kanë bërë nga një; Kuba, Meksika dhe Irani, po ashtu. Po gjermanët? Ata thuajse e kanë harruar, por po ua kujton një aksion aktual: Revolucionin demokratik të nëntorit 1918.

Gjermanët janë thirrur të kujtojnë historinë; jo me një aplikacion në celular, e as me ekspozita nëpër muze, por me aksion, si dikur: “Sillni katër flamuj të kuq dhe tetë pankarta me mbishkrimin: ‘Poshtë lufta!’ dhe ‘Zgjedhje të lira!’ si edhe 1120 shirita të kuq krahu”. Aksioni “Die Revolution rollt” (Revolucioni rrokulliset) po rrokulliset tani në të gjithë Gjermaninë nëpërmjet rrotave të trenit, pikërisht në ato pika që kanë qenë sheshngjarjet kryesore të revolucionit të vitit 1918. Aksionin e organizon shoqata “Weimarer Republik”.

Transporti bëhet me trena, si në kohën e revolucionit. Trenat ndalen në 47 stacione të shpërndara në të gjithë Gjermaninë, e aty shfaqen pjesë teatrale 15-minutëshe me aktorë dhe statistë ” që japin një përshtypje se ç’ ngjau, para 100 vjetësh, kur Gjermania kërkonte demokraci”.

Në prag të rënies heroike

Si filloi revolucioni? Kjo nuk mund të thuhet me saktësi. Në fund të tetorit 1918, Flota Detare e perandorit gjerman ishte duke u përgatitur për betejën e fundit, për “rrëzimin heroik”, por lufta kishte kohë që ishte humbur. Qysh në fund të shtatorit prijësit kryesorë të Ushtrisë Perandorake, gjeneralët Ludendorff dhe Hindenburg – kishin dërguar lajm në Berlin se Gjermania nuk mund të fitonte dot më, prandaj duhet t’u kërkonte armëpushim aleatëve të frontit të perëndimit.

Marinarët në Kiel dhe Wilhelmshaven nuk iu bindën urdhrit për t’u nisur në det. Kjo mosbindje u shndërrua në kryengritje, së cilës iu bashkuan edhe ushtarët e këmbësorisë dhe më pas edhe punëtorët. Më 3 nëntor ata krijuan “Këshillat” dhe formuluan kërkesa të qarta politike: Kaiser Wilhelm II të abdikojë, lufta të përfundojë njëherë e përgjithmonë. Kërkesa, të cilat shumë shpejt do të bëheshin realitet. Më 7 nëntor dha dorëheqjen në Mynih mbreti i fundit nga dinastia Wittelsbach, më pas fluturuan në të gjithë Gjermaninë kokat e aristokratëve që qeverisnin. Perandoria Gjermane asokohe ishte një federatë e përbërë prej 26 subjektesh shtetërore, 22 syresh mbretëri, dukata e principata.

Revolucioni kërkon viktima

Dhe më 9 nëntor revolucioni arriti në Berlin. Kryeministri Max von Baden, shef i qeverisë së përkohshme, bëri të njohur dorëheqjen e perandorit Wilhelm II. Ai ishte në Spa të Belgjikës dhe nuk kishte kërkuar aspak dorëheqjen. Por e bëri, i detyruar nga presioni i revolucionit.

Dhe në mesditë, në orën 14:00, deputeti socialdemokrat Philipp Scheidemann, në një dritare të ndërtesës së Rajhstagut shpalli republikën: “Ne kemi fituar në të gjithë linjën, e vjetra iku”. Me këtë Scheidemann u tregua më i shpejtë se socialist i majtë Karl Liebknecht, i cili dy orë më pas do të proklamonte para Kështjellës së Qytetit të Berlinit, duke u mbështetur dhe nga krerët e revolucionit të proletariatit berlinez, “Republikën Socialiste të Gjermanisë”.

E majta gjermane ishte e përçarë: Këtë e bëri të qartë edhe njëherë 9 nëntori i vitit 1918. Ndërsa shumica socialdemokrate u bashkua me Friedrich Ebert-in dhe Philipp Scheidemann-in, që kërkonin një demokraci parlamentare dhe besonin se nuk mund ta qeverisnin dot Gjermaninë pa elitat e vjetra pushtetare, shumë të tjerë, të ashtuquajtur “të pavarur” kërkonin një rrugë tjetër.

E majta e përçarë

E ashtuquajtura “Lidhja e Spartakut” nën drejtimin e Karl Liebknecht-it dhe Rosa Luxemburg-ut, e shikonte modelin e Gjermanisë te Bashkimi Sovjetik dhe revolucioni rus i vitit 1917. “I gjithë pushteti këshillave” ishte parulla e tyre. Në përfundim të vitit 1918, Lidhja e Spartakut u përça dhe prej saj doli Partia e Pavarur Socialdemokrate e Gjermanisë (USPD) dhe Partia Komuniste e Gjermanisë (KPD). Së bashku me SPD-në u bënë kështu tre parti me orientim majtist marksist.

Më 6 dhjetor në Berlin u zhvilluan luftimet e para të rënda me barrikada ndërmjet kryengritësve të majtë dhe ushtarëve. Revolucioni solli viktimat e para në njerëz. Trazirat, të cilat tani njiheshin me nofkën “Kryengritja e Spartakut”, u përhapën edhe më tej. Nga kjo de facto luftë civile, deri në pranverën e vitit 1919, humbën jetën deri 5000 njerëz. Rosa Luxemburg-u dhe Karl Liebknecht-i, udhëheqësit e kryengritjes, u vranë shtazërisht nga trupat paraushtarake djathtiste.

Republika e Vajmarit

Pas rrëzimit të kryengritjes së Spartakut, gjermanët zgjodhën më 18 janar një Asamble Kushtetuese. Fituesit ishin: SPD (37,9 për qind), Qendra katolike (19,7) dhe Partia Demokratike Gjermane (18,5). Këto tre parti krijuan një koalicion. Forcat antirepublikane të djathta dhe ato revolucionare-socialiste të majta ishin në pakicë në këtë Asamble Kombëtare.

Por Asambleja nuk i bënte mbledhjet në Berlinin e paqetë, por në qytetin e vogël Vajmar, i cili do t’i jepte emërtimin edhe republikës së re. “Qeveria provizore e mori pushtetin falë revolucionit”, thotë presidenti i Rajhut, Friedrich Ebert, në seancën kushtetuese. “Ajo tani po e kthen pushtetin në duart e Asamblesë Kombëtare.”

Demokraci pa demokratë

Por ç’është e vërteta: Republika e Vajmarit njihet në histori si “Demokracia pa demokratë”. Historianët i quajnë ngjarjet e nëntorit 1918 “revolucioni i ngecur”. Aristokracia i mbajti privilegjet dhe ndikimin politik, nëpunësit e shtetit, të cilët tradicionalisht ishin konservatorë, mbeten po ashtu në poste, dhe ushtria me kreun e saj nacionalist nuk u prek.

E megjithatë, për nismëtarët e shoqatës “Republika e Vajmarit” ky revolucion ishte një hap i parë dhe i rëndësishëm drejt demokracisë dhe nuk duhet harruar. Kurse në kujtesën kolektive të gjermanëve, ai nuk ka nam të mirë – sepse republika që doli prej tij, ishte politikisht aq e dobët, saqë në vitin 1933 u rrëzua për t’ia lënë vendin nazizmit.

@Fluidi

Provo po ashtu

schilling dhe berani

Ballkani Perëndimor nga perspektiva e ish ministrit gjerman Christian Schwarz-Schilling

Christian Schwarz-Schilling , ish ministër i Gjermanisë ka dhënë intervistën ekskluzive për RTK3.  Intervistën e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.