Ballina / Kulturë / REL: Fëmijët të rrezikuar nga varësia prej internetit
Kamera përcjell mrekullitë në internet

REL: Fëmijët të rrezikuar nga varësia prej internetit

Përdorimi i tepërt dhe i pakontrolluar i internetit nga ana e fëmijëve mbetet problem shqetësues. Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat që merren me studime kibernetike, janë 97 për qind e fëmijëve që kanë qasje në internet.

Në hulumtim thuhet se janë 85 për qind e fëmijëve që luajnë lojëra online, ndërkaq 35 për qind kyçen në lojëra agresive.

Teuta Musmurati, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Studime të Avancuara, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga viti 2012 punojnë në vetëdijesimin në fushën e përdorimit të internetit në mënyrë të drejtë.

Megjithëkëtë, ajo shton se misioni i tyre është që ta fusin edhe si lëndë në shkollë, përdorimin e drejtë të internetit.
“Në bazë të hulumtimeve tona, fëmijët nuk janë të sigurt në përdorimin e internetit. Ka rreziqe me të cilat ballafaqohen vazhdimisht gjatë përdorimit të internetit, qofshin rrjetet sociale, lojërat online që i luajnë, pastaj pamjet joadekuate për moshën e tyre e kështu me radhë”.

“Qendra për Studime të Avancuara, prej vitit 2012 ka për qëllim vetëdijesimin në fushën e sigurisë së internetit. Ne punojmë në rast nevoje me trekëndëshin, fëmijë- prind- mësimdhënës”, tha Musmurati.

Psikologët thonë se shumë prindër tashmë po kërkojnë ndihmën e tyre në lidhje me varësinë e fëmijëve të tyre nga interneti në përgjithësi, e në veçanti nga lojërat online.
Adelina Ahmeti Pronaj, psikologe, i tha Radios Evropa e Lirë se problemet më të shumta që i kanë prindërit me fëmijët, janë orari i çrregullt i përdorimit të telefonave dhe internetit.

“Në shumicën e rasteve vijnë fëmijët me prindër karshi problemeve të sjelljes së fëmijëve. Më së shumti kërkojnë ndihmë si pasojë e orarit të çrregullt, e që më pas manifestohet me ankthe, ndryshon ushqyeshmëria, ritmi ditë- natë dhe më pas ndryshon sjellja. Kur eksplorojmë, shohim se marrja e informatave të fëmijëve karshi në zhvillimin intelektual dhe emocional nuk përkon me informatat e marra karshi me zhvillimin e fëmijës, dhe ajo ka efekte negative. Në bisedë me fëmijët shohim se kalojnë kohë të gjatë kryesisht në telefon”, tha Adelina.

Leka është një trembëdhjetë vjeçar nga Prishtina. Ai thotë se gjatë ditës i kalon disa orë me lojërat online. Ndonëse potencon faktin se prindërit janë kundër qëndrimit të gjatë pranë ekranit, ai thotë se janë edhe gjithë shokët e tij që luajnë me orë të tëra.
“Unë jam 13 vjeçar. Rri në internet 2 ose 3 orë më së paku, por kur kam pushim rri edhe më shumë. Luaj me shokë on-line lojëra të ndryshme. Pjesën tjetër të kohës e kaloj në telefon, rri në rrjete sociale zakonisht”.

“Prindërit nganjëherë më bërtasin se nuk dëshirojnë që unë të rri gjatë në internet, por unë prapë kam shumë dëshirë që të luaj”, thotë ai.

Ndryshe, më 5 shkurt shënohet Dita ndërkombëtare e internetit të sigurt. Kjo ditë shënohet në 140 vende të botës, duke bërë organizime të ndryshme për t’i vetëdijesuar fëmijët për përdorim të drejtë të internetit. Edhe në Kosovë që nga viti 2004 shënohet kjo ditë.

Këtë vit edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar rezultatet e anketës së përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) për vitin 2018.

Nga rezultatet e dala nga ky publikim, del se në vitin 2018, 93.2% e ekonomive familjare në Kosovë kanë pasur qasje në internet nga shtëpitë, nga çfarëdo pajisje.

@Fluidi

Provo po ashtu

themelimi i ldk

Ja 119 themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1989

Lista e pjesëmarrësve në Kuvendin Themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbajtur më 23 …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.