Reichel liderëve për vizat: Të paaftë për plotësim kushtesh

Ernst Reichel, ambasador gjerman në Ukrainë, pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Ukrainës, ka përmendur edhe Kosovën. Ai ka thënë se liderët kosovarë ishin të paaftë për t’i plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave.

Përmes një shkrimi, ambasadori gjerman në Ukrainë, Ernst Reichel ka uruar qytetarët e Ukrainës që tani e tutje mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Europian, pasi atyre sot iu liberalizuan vizat.

Në këtë shkrim, Ernst Reichel, i cili ishte ambasador i Gjermanisë edhe në Kosovë, ka thënë se Kosova ka dëshmuar paaftësi në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Për dallim, Kosova ka dëshmuar se nuk është në gjendje t’i përmbushë kushtet. Në vend se ta bëjë këtë, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. S’kam koment”, ka thënë ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel.

Komentet e tij, ai i ka bërë në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe lajmin që qytetarët e Ukrainës mund të udhëtojnë tani pa viza.

Reichel, para se të emërohet në Ukrainë, ka qenë edhe përfaqësuesi i kancelares gjermane, Angela Merkel, për Ballkanin.

Kosova ka pasur si kusht të fundit ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi për të fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen.

Komisioni Komisioni Evropian kishte propozuar më 4 maj të vitit të kaluar heqjen e vizave për popullin e Kosovës, duke e transferuar Kosovën në listën pa viza për të hyrë në zonën Shengen.

Komisioneri për Migracion dhe Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos kishte thënë se kosovarët kishin bërë punë të mirë.

“Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në arritjen e reformave të vështira në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme dhe më gjerë, duke ndikuar në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi. Unë e di se sa është i rëndësishëm udhëtimi pa viza për  popullin e Kosovës dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj se Parlamenti Evropian dhe Këshilli do të miratojnë propozimin tonë shumë shpejt”, ka thënë Avramopoulos.

Sido që të jetë kushti i fundit i mbetur demarkacioni nuk është plotësuar ndërkohë që nuk dihet ende edhe sa kohë kosovarët do të presin para ambasadave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.