Ballina / KOSOVA / Reeker: Kosova mund të rrezikojë gjithçka nëse nuk ulet në tryezën e negociatave
phillip reeker

Reeker: Kosova mund të rrezikojë gjithçka nëse nuk ulet në tryezën e negociatave

Marrëdhëniet bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës janë dëmtuar. Kështu ka thënë diplomati amerikan, Philip Reeker, ndihmës sekretari ardhshëm i Shtetit për Evropë dhe Azi, gjatë konferencës për media të mbajtur sot në Shkup.

Reeker, i cili po merr pjesë në një seminar dyditor për sigurinë, raportet rajonale dhe zhvillimin ekonomik, “Ballkani 360”, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të suspendojnë taksën doganore të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut dhe arritjes së marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Sipas Reeker, i cili është raportuar se do të emërohet së shpejti në pozitën e asistentit të sekretarit të Shtetit për Ballkan, situata e krijuar është pasojë e taksës së vendosur.

Diplomati amerikan është fokusuar në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, me ç’rast ka theksuar se “normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në kornizën e dialogut që po udhëhiqet nga BE-ja, është mundësi për zgjedhjen e problemit që cungon gjithë Ballkanin”.

“Nëse Prishtina zyrtare nuk kthehet në negociata siç ka thënë ‘pa kushte’, atëherë do të rrezikojë të ardhmen e saj evropiane dhe jo vetëm”, tha Reeker.

“Ne nuk kërkojmë nga Kosova që t’ia japë Hënën, por të heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës për një kohë të caktuar”, u shpreh ai.

“Pastaj do të mund të shohim se çka do të mund të arrihet në tryezën e bisedimeve. Asnjë marrëveshje nuk është nënshkruar përderisa nuk arrihet ujdi për të gjitha aspektet e saj”, theksoi Reeker.

Kosova, nënvizoi ai, nuk humb asgjë nëse negocion, por “mund të rrezikojë gjithçka nëse nuk ulet në tryezën e negociatave”.

Gjithashtu, ai ka ftuar edhe Beogradin, i cili sipas tij, ka qenë agresiv në negociata, të angazhohet për të normalizuar marrëdhëniet.

Ai ka përmendur edhe mbështetjen amerikane për Kosovën, duke tërhequr vërejtjen për pasojat që mund të ketë mospezullimi i i taksës.

“SHBA-ja ka investuar shumë në suksesin e Kosovës si shtet i pavarur, multietnik dhe sovran. Ne qëndrojmë pas jush në vazhdimësi. Por, në disa raste ne kemi ardhur te ju me kërkesa të rëndësishme dhe kjo është njëra prej këtyre herëve”, theksoi diplomati amerikan.

“SHBA-ja, ndoshta mikja juaj më e afërt strategjike, beson se arritja e një marrëveshje me Serbinë është e vetmja rrugë që Kosova të shkojë përpara. Fakt është që Kosova nuk mund t’i kthehet dialogut me Serbinë pa suspendimin e taksës, gjë që ne besojmë se është në interes të Kosovës, SHBA-së dhe të gjithë rajonit. Është fatkeqësi dhe e habitshme që akoma kemi mosmarrëveshje serioze me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Kam frikë se Kosova dëmton marrëdhëniet tona bilaterale, marrëdhënie të cilën ne e vlerësojmë shumë”, tha Reeker.

Reeker ka thënë edhe se SHBA nuk ka dyshime ne pavarësinë e Kosovës, porse është me rëndësi pjesëmarrja ne dialog. Kosovën askush nuk e detyron të nënshkruajë një marrëveshje qe nuk i pëlqen, por ajo do dëmtohet nëse nuk hyn ne bisedime, ka nënvizuar Reeker.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.