Ballina / Kulturë / Rebeka Qena dhe Aurita Agushi e ndriçuan skenën e Dodonës

Rebeka Qena dhe Aurita Agushi e ndriçuan skenën e Dodonës

Një shfaqje e mrekullueshme, “Sapotlem”, me fillim në ora 20:00, e mërkurë (sot), në teatrin “Dodona”, me një ide autentike të dramatizuar nga Mentor Haliti, me një tekst brilant nga J. J. Arreola, me një regji kreative nga Sevdije Ajeti, me një skenografi imagjinative, me një kolanë të zgjedhur, me një ndriçim ekzotik e me një disenj autorial nga ekipi përrallor i skenës së teatrit “Dodona”.

Një tekst që flet për kohën dhe hapësirën, treguar nëpërmjet artit skenik dhe të regjisë, me dy prej aktoreve më të shquara të skenës së teatrit tonë, Rebeka Qena dhe Aurita Agushi.

Nuk është Godoja sepse ngjarja nuk zhvillohet në rrafshin abstrakt. Është një tekst që vendos ngjarjen në një hapësirë konkrete, në stacionin e trenit të kapur nga merimangat, ku asgjë nuk lëvizë dhe ku punonjësja e hekurudhës nuk e di as itinerarin e trenit, sepse në atë vend të punës ajo është kot, vetëm një figurë. Ajo di se herë pas herë aty kanë parakaluar trenat, por nuk e di kur, nuk e di pse dhe nuk e di as për ku ishin nisur ata. Makinistja nuk mund ta ndihmojë udhëtaren e cila kërkon ndihmë. Nuk e ndihmon sepse nuk di, mu ashtu si nuk dinë mijëra të tjerë që mbajnë vendet e punës kot, sepse falë lidhjeve e nepotizmit janë aty ku janë.

Udhëtarja në anën tjetër ka një cak, ikjen drejt Sapotlemit. Ajo nuk arrin cakun dhe mbetet peng e ndihmës që nuk i ofrohet. Mbetet e ngujuar në stacionin ku asgjë nuk lëvizë, në stacionin e pushtuar nga rrjeti i merimangave. Një stacion krejtësisht i izoluar e jo funksional.

Falë zgjidhjeve regjisoriale dhe aktrimit fantastik të aktoreve të shquara kosovare, Rebeka Qenës dhe Aurita Agushit, shfaqja ia doli të nxitë asociacione të fuqishme për gjendjen në shoqëritë e kapura nga e keqja dhe të të vë në lëvizje për reflektim. Të prekë thellë në rrafshin e tretë ideor dhe të zbret në rafshin praktik real për tu ballafaquar me gjendjen ku janë katandisur shoqëritë e tilla.

“Ky teatër nuk është një teatër absurdi, por një teatër autorial, i cili bazohet në konceptin e idesë artistike që në këtë rast është ideja e lëvizjes së lirë, të drejtave individuale dhe psikologjisë së të qenit të lirë në kohën kur pasiguria në rritje rrezikon t’i shkelë dhe nëpërkëmbë të drejtat më themelore dhe më të shenjta të njeriut”, ka deklaruar për InfoGlobin, Mentor Haliti autori i skenarit ‘Sapotlem’.

“Teksti i përket realizmit magjik dhe shpreh një ide universale përmes disa rrethanave konkrete në një situatë krejt të pazakonshme. Një udhëtar arrin në stacion dhe pret një tren, i cili mund të mos vie sepse makinisti nuk është kompetent i detyrës së tij”, shpjegon Haliti.

Në përgjithësi ,Haliti shprehet kritik ndaj teatrit dhe mediave. Ai nuk fshehë zhgënjimin me ate që e cilëson si “helmim të ambientit artistik e intelektual” .

“Këto shfaqje në teatrin tonë paraqesin ngjarje të vërteta kulturore dhe është e çuditshme se si mediat tona të asfiksuara nga ndotja e thashethemeve shoqërore nuk arrijnë të shquajnë ngjarjet e vërteta kultutore. Kaq shumë është helmuar ambienti ynë artistik dhe intelektual sa të mos e vërejë këtë gjetje krijuese”, thotë Haliti dhe vazhdon: “Ekziston një bindje e pashkruar se në teatër duhet t’i bësh të gjitha vetëm si një autor shumëdimensional që është një ide e gabuar. Në teatër duhet të krijohet përmes një ekipi sepse teatrit është një art shumëautorial, i cili i përfshin disa vepra autoriale e që përmblidhen me një koncept që quhet teatër”.

Sa i përket teatrit dhe gjendjes në të cilën ndodhet ai Haliti e pranon se “për fat të keq ka shumë për të kritikuar e shumë pak për t’u lavdëruar pikërisht për shkak të kontaminimit të hapësirës kulturore”.

Ndërkaq regjisorja e shfaqjes Sevdije Ajeti, thekson se edhe kjo shfaqje si shumë të tjera në Kosovë , u realizua në rrethana aspak të lehta.

“Buxheti i vogël dhe kushtet në të cilat i realizojmë shfaqjet janë kufizime serioze, por arti në Kosovë është mësuar me sfidat e mbijetesës, dhe po vazhdon të hapërojë”, thotë për infoGlobin Ajeti. Sipas saj “falë ambicieve të mëdha dhe qëllimeve të mira për zhvillimin e artit u realuzua një shfaqje mjaftë domethënse. Ku për mes lojes së dy aktoreve  Rebeka Qenaj dhe Aurita Agushit dhe me një dramatizim të shkelqyer të Mentor Halitit ne arritëm të realizojmë një shfaqje të suksesshme”./infoglobi/e.b.

 

 

Provo po ashtu

INSPIRUESE: Lufta kundër kuçedrës

Efekti i cili e përcjell përqendrimin konstant në të keqen gjithmonë është katastrofal. Ata, të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.