Reagon Presidenca: Kurti nuk u konsultua me Thaçin për politika të jashtme

Zyra për Informim e Presidentit të Kosovës, pas Ekipit negociator të proklamuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në largim nuk është konsultuar me presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës i politikës së jashtme.

Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim. Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese, thuhet në komunikatë.

Për më tepër Zyra për informim e Presidentit thotë se kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvend dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim.

Lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë, përfundon komunikata.

Kurti i ka dërguar më 3 prill të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak listën e ekipit negociator për dialogun me Serbinë.

Përbërja e ekipit është: Albin Kurti – kryeministër dhe udhëheqës i ekipit negociator, Hashim Thaçi – president, anëtar, Vjosa Osmani – kryetare e Kuvendit, anëtare, përfaqësuesi i LVV, anëtar, përfaqësuesi i LDK, anëtar
përfaqësuesi i PDK, anëtar, përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar, përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar, përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar dhe përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.