fbpx
habilajt

Rasti Habilaj, sekuestrohen 622 metra katrorë apartamente e dyqane

Policia e Vlorës njoftoi “sekuestro preventive” mbi 5 prona, tre dyqane dhe dy apartamente, në pronësi të vëllezërve Habilaj dhe personave të lidhur me ta, me dyshimin se janë pasuri të fitura nga trafiku i narkotikëve.

Tre dyqane dhe dy apartamente, në një total prej 622 metrash u sekuestruan prej policisë së Vlorës, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe prokurorisë, pasi dyshohet se janë pasuri të vëna nga paratë e trafikut të narkotikëve. Në një njoftim për shtyp, policia e Vlorës bëri me dije se pasuritë e vëna në sekuestro preventive i përkasin vëllezërve Artan e Florian Habilaj dhe dy personave të lidhur me ta me inicialet K.H, F.M.

Hetimi për Habilajt dhe pasuritë e tyre filluan pas lëshimit të 11 fletë arresteve më 12 tetor 2017, nga gjykata e Katanias në Itali. Mes të akuzuarve shqiptarë ishin dy prej vëllezërve Habilaj, Moisiu dhe Florian, 39 dhe 37 vjeç, dy vëllezërit Sulaj, Maridian dhe Armando, 29 dhe 33 vjeç si dhe Sabaudin Çelaj, 49 vjeç e Fatmir Minaj, 55 vjeç.

Ndërkohë Dosja “Habilaj” u kthye në çështje dite të politikës në Shqipëri, pasi në përgjimet e anëtarëve të dyshuar të bandës përmendet disa herë emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria e Krimeve të Rënda çeli hetimet kryesisht për Tahirin dhe i kërkoi kuvendit autorizim për arrestimin e tij, por shumica parlamentare duke e cilësuar akuzën të motivuar politikisht dhe pa prova, rrëzoi këtë kërkesë.

Nga ana tjetër menjëherë pas hapjes së dosjes për këtë grup, bazuar në përgjimet italiane, prokuroria dhe policia arrestuan dhe ndaluan disa persona në Babicë të Vlorës, përfshi Nazer Seitin, i cili po ashtu kërkohet nga drejtësia italiane. Në kërkim ndërkohë ndodhen Florian Habilaj dhe të tjerë persona të dyshuar si pjesë e grupit.

Hetimet po ashtu u përqëndruan në sekuestrimin e pasurive të personave të akuzuar, kështu sot policia e vlorës njoftoi disa sekuestrime për të cilat dje Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte vendosur “sekuestro preventive”. Sipas policisë “sekuestro preventive” është vënë mbi, “Një njësi shërbimi me sipërfaqe 157 m2, ndodhur ne lagjen ”28 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shoqërisë Turi&Mzb shpk dhe Florian Habilaj; njësi shërbimi me sipërfaqe 136 m2, në lagjen ”29 Nëntori”, Vlorë, në pronësi të shtetasit Florian Habilaj; Apartament banimi në Vlorë, në pronësi të shtetasit Artan Habilaj; Apartament banimi me sipërfaqe 69 m2 , në lagjen ”Uji i Ftohtë”, në pronësi të K.H.; Apartament banimi me sipërfaqe 104.5 m2 në Vlorë, në pronësi të shtetasit F.M; njësi shërbimi dhe banimi, me sipërfaqe 156 m2, në Vlorë, në pronësi te shtetasit Artan Habilaj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.