Rama e Ahmeti zbulojnë shtatoren e Ismail Qemalit

Është përuruar shtatorja e Ismal Qemalit në Prishtië nga Kryeministri Edi Rama e Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Nën intonimin e himnit kombëtar dhe me këngë labe, është përcjellur ceremonia e zbulimit të shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë, e vendosur përpara ndërtesës së ish Rilindjes. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri zbulimin e shtatores. Kryeministri Rama foli me këtë rast edhe për konceptin e bashkimit kombëtar, ndërsa nuk la anash as shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Luginës së Preshevës.

Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se bashkimi kombëtar mes Kosovës e Shqipërisë do të jetë një bashkim shpirtëror, ekonomik dhe shoqëror. Ai tha se Kosova e Shqipëria duan të bashkohen edhe me vendet fqinje në familjen evropiane. “S`kemi ndërmend të shkelim fjalën e dhënë me Amerikën e Europën për ta kryer bashkimin kombëtar si kulmim përveçse si kulmim të bashkimit shpirtëror, ekonomik e shoqëror me BE-ne, dhe kurrsesi si përçmim ndaj fqinjëve, me të cilët duam po ashtu të bashkohemi nën çatinë e përbashkët të Evropës”, tha Rama.
Në ceremoninë ku nuk ishte i pranishëm kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kryeministri Edi Rama u mor edhe me shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Luginës së Preshevës.
“Kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë t’i imponojnë një faturë të padrejtë një shteti të vobektë, por rreken të besojnë shpesh edhe kundër të besueshmes se fjala dhe besa as nuk nëpërmben, as nuk poshtërohen, as nuk pushkatohen dhe as nuk treten. Kur shqiptarët e Preshevës ngenë zërin, ata nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa që kanë serbët e veriut të Kosovës”, tha Rama.
Rama tha më tej se rrugëtimi i shëmbëlltyrës së Ismail Qemalit qoftë në bronz apo në gurë, me gjithë ndalesat e saj në shumë qytete shqiptare, por edhe evropiane, nuk do të ishte i përmbushur, nëse nuk do të ishte ndalur edhe në Prishtinë.
Shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet komunës së Prishtinës dhe bashkisë së Vlorës, me idenë e një grupi intelektualësh nga Vlora, në emër të së cilëve foli Gëzim Zilja. Ndërsa kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri të ditur se Prishtina e Vlora kanë marrëveshje edhe për diçka tjetër.
“Sot e përfunduam kapitullin e parë të kësaj marrëveshje. Deri në fund të vitit ne zotohemi si komunë e Prishtinës se do ta dërgojmë edhe shtatoren e Hasan Prishtinës në Vlorë”, tha Ahmeti.

Shtatorja e Ismail Qemalit, njërit prej themeluesve kryesor të shtetit shqiptar, që shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u punua nga skulptori i njohur nga Kosova, Luan Mulliqi.