Ballina / OP./INTERVISTA / "Rajoni Vlorë-Gjirokastër, në Kongresin e PS-së me 25 mijë anëtarë"

"Rajoni Vlorë-Gjirokastër, në Kongresin e PS-së me 25 mijë anëtarë"

Deputeti i PS-së në qarkun e Vlorës dhe njëherësh koordinatori për rajonin Vlorë-Gjirokastër, Koço Kokëdhima, komentoi për gazetarët e Vlorës zgjedhjet që po bëhen në strukturat e PS-së për Kongresin e 19 marsit si dhe akuzat më të fundit që bënë drejtues të PD-së, gjatë një proteste në Orikum.

Z.Kokëdhima, cili është objekti i aktivitetit të sotëm?

Sot, në këtë aktiv të Partisë Socialiste të Bashkisë së Vlorës dhe Bashkisë së Selenicës do të hapim fushatën e zgjedhjeve në organizatat e PS-së për kryetarë dhe sekretarë organizatash dhe pastaj zgjedhjet për delegatët e Kongresit të Partisë për këto dy bashki. Për të 12 bashkitë e tjera të rajonit, kjo fushatë tashmë është hapur.

Ju premtuat se do të kishte shumë anëtarësime. Sa është numri i anëtarësive të reja në PS?

Partia Socialiste është në procesin e reformimit, hapjes dhe shumëfishimit të radhëve të saj. Sot që flasim bashkë, në regjistrin elektronik të PS-së janë më shumë se 17 mijë anëtarë dhe është një strukturë në formim e sipër. Partia Socialiste e rajonit Vlorë-Gjirokastër do të shkojë në Kongresin e Partisë me 25 mijë anëtarë, aq sa ishte parashikuar rritja dhe shumëfishimi i radhëve të saj.

Ka emra kandidatësh për kryetarë të PS-së në Bashkinë e Vlorës?

Nuk është momenti që të zgjidhet kryetari i PS-së së Bashkisë së Vlorës. Kjo vjen në një fazë tjetër, pas zgjedhjeve në organizatat socialiste. Atëherë do të formohet asambleja e PS-së së Vlorës dhe më pas do të zgjedhim kryetarin.

Kur do të finalizohet ky proces?

Ky proces do të finalizohet pas muajit shkurt. Në muajin shkurt do të bëjmë zgjedhjet në organizatat socialiste dhe zgjedhjet e delegatëve të Kongresit do të bëhen deri në 5 mars.

Ju jeni akuzuar nga PD-ja si personi që keni abuzuar me tenderat e dhënë një kompanie të huaj.

Siç më kanë vënë në dijeni, ka patur një protestë të familjes së Saliut, për dy projekte në Vlorë, të cilat i kanë lidhur me emrin tim, ashtu siç lidhin me mua çdo lëvizje të planeteve e galaktikave, për shkaqe politike, jo për shkaqe të tjera. Një prej këtyre projekteve, është një projekt që e ka bërë të ditur kryetari i bashkisë për një ndërtim, një pishinë të hapur në det. Është një investim i Bashkisë së Vlorës, prej 12 milionë lekësh. Është një investim që Bashkia e Vlorës e ka parashikuar në buxhetin e saj dhe që dëshiron të bëjë një mjedis të hapur për të trajnuar dhe stërvitur të rinjtë që ushtrohen për not në Vlorë. Ky është një investim publik i Bashkisë së Vlorës që nuk ka asnjë lloj arsyeje për ta paragjykuar, as politikisht dhe as për motive të tjera.

Bën pjesë në ato sjellje shpifëse, të ulëta, jo etike, jo të vërteta të familjes së Saliut, që e kanë marrë peng PD-në dhe opozitën e vendit dhe që mendojnë se mund të cenojnë besueshmërinë e popullit dhe të rajonit tonë, për punën dhe sjelljen, si timen ashtu edhe të njerëzve të tjerë, përfaqësuesve të PS-së. Veç kësaj, është edhe një çështje tjetër që ka lidhje me një projekt për vaska peshku, për të cilat unë nuk kam absolutisht asnjë lidhje dhe asnjë impenjim, asnjë angazhim dhe asnjë interes. Përkundrazi, për këtë projekt, dua të jem shumë i hapur. Jam informuar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, se ekziston një interes për këtë çështje javë më parë dhe këshilla ime ka qenë vetëm një: mos u nxitoni me çështje të tilla, duhet të jenë të kujdesshëm hapat në këtë drejtim, sepse investime të tilla mund të kenë pasoja në mjedis, në cilësinë e ujërave etj. Pra, nuk ka absolutisht asnjë gjë të vërtetë. Saliu e dërgon dhëndrin, siç dërgon edhe pjesëtarë të tjerë të familjes në misione kundër meje, por këto nuk i japin absolutisht asnjë cenim figurës time, besueshmërisë së saj dhe asnjë avantazh mendjes së tij pa princip dhe të paskrupullt në opinionin publik.

“Shekulli”: Në atë zonë ka edhe operatorë të tjerë që ushtrojnë aktivitetin e rritjes dhe kultivimit të peshkut. Përse në këtë moment hidhet kjo akuzë?

Ka edhe mund të ketë. Por, një gjë është e qartë: Unë jam deputet, nuk jam qeveri. Unë, si deputet, sigurisht që do mbështes politikat e qeverisë, sepse kjo është kërkesa e elektoratit tim, e PS-së dhe ky është në motivimin dhe qëllimin tim, për të gjitha punët e mira dhe për të gjitha projektet që janë në avantazh të publikut dhe të zhvillimit. Por, specifikisht, për çdo lloj projekti duhen pyetur njerëzit që kanë njohje dhe angazhime, që i kanë trajtuar ato projekte, siç mund të jetë Ministria e Bujqësisë, ose edhe organet e tjera kompetente të qeverisë. Nuk jam unë personi që shqyrtoj, miratoj, apo refuzoj projekte të caktuara.

Rikthehemi tek PS-ja. Thatë pak më parë që PS-ja ka shumë anëtarësime të reja, është e hapur. Çfarë po bëhet me njerëzit që duket se janë shumë të zhgënjyer?

Kjo që thoni ju nuk besoj se është një përjetim personal, sepse ju nuk jeni as e vjetër dhe nuk besoj se jeni pjesë e PS-së, apo jo? Por, të vjetrit e Partisë Socialiste, d.m.th. ata që kanë shumë vite që kontribuojnë, nuk ndihen keq nga anëtarësimet e reja, përkundrazi ndihen shumë të lumtur. Më besoni mua për këtë gjë, sepse kam një komunikim shumë të gjerë politik në të gjithë rajonin. Ndihen shumë të lumtur që Partia Socialiste është shumëfishuar dhe ka përfshirë kaq shumë të rinj e të reja që do t’i çojnë më përpara kontributet dhe qëllimet për të cilat luftuan të gjithë veteranët e PS-së dhe militantët historikë të saj.

“Shekulli”: Ajo që i thatë koleges (Ebrietës), ishte një ftesë për t’u bërë pjesë e PS-së?

(Qesh) Unë besoj që në këtë lumë, në këtë vërshim që po ndodh drejt PS-së, nuk është fare surprizë që zonja të jetë në radhët e partisë sonë dhe të kontribuojë së bashku me ne për një Vlorë më të mirë, më të bukur dhe më të begatë.

Akuzat e PD-së për pishinën dhe investimin turk
Dy ditë më parë, në Orikum, PD-ja zhvilloi një protestë, duke akuzuar kryeministrin Rama dhe deputetin Kokëdhima se fshihen pas dy projekteve që po bëhen në territorin e Bashkisë së Vlorës. Bëhet fjalë për një pishinë, në të cilën po investon Bashkia e Vlorës për fëmijët e qytetit dhe një investim për kultivim peshku në Karaburun. Të dyja investimet, sipas PD-së, i përkasin dyshes Rama-Kokëdhima, edhe pse faktet flasin ndryshe. Pishina që po bën Bashkia e Vlorës do të jetë mes një kalate ekzistuese në Orikum dhe do të ngrihet edhe një tjetër, për të përshtatur vendin për trajnimin e fëmijëve në sportin e notit. Ndërsa investimi për kultivimin e peshkut është marrë përsipër nga një kompani turke, e cila ka investime të këtij lloji edhe në Durrës, edhe në Shkodër. Kompania turke me qendër në Bodrum të Turqisë synon të investojë edhe në Vlorë, për kultivimin e peshkut.

Provo po ashtu

ekonomia informale

Ku dallojnë programet ekonomike të LDK-së dhe VV-së?

Programet ekonomike të dy partive me më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.