Radosavleviqi dënohet me 6 muaj burg, përdori veturën zyrtare për nevojat private

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, këshilltaren politike në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Vinka Radosavljeviq.

Ajo akuzohet se në kundërshtim me udhëzimin administrativ ka shfrytëzuar veturën zyrtare për qëllime private, duke ia dhënë që atë ta drejtonte djali i tezes së saj, me të cilën kishin tentuar që nga Kosova të shkonin në Serbi, por që ishin ndaluar në pikën kufitare në Jarinje.

Por, dënimi me burg ndaj saj, nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Krahas kësaj, e pandehura është e obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Këtë dënim e ka shqiptuar gjykatësi Tomisllav Petroviq, pasi në seancën e shqyrtimit gjyqësor, e akuzuara e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Prokurori Naim Beka ka deklaruar se janë plotësuar kushtet ligjore për pranimin e fajësisë nga e akuzuara, derisa edhe mbrojtësi i saj, avokati Ljubomir Pantoviq, e ka mbështetur atë, të cilin akt më pas e ka aprovuar trupi gjykues.

Kurse, në fjalën përfundimtare, avokati Pantoviq, ka deklaruar se veprimet e të mbrojturës së tij janë të rëndësisë së vogël dhe ka kërkuar që e pandehura të lirohet nga akuza, ose në të kundërtën ajo të dënohet me kusht.

“Edhe pse e pandehura sot e ka pranuar fajësinë, unë jam i asaj që të vërtetojë që në këtë rast mund të bëhet fjalë mbi veprën e rëndësisë së vogël, kur rreziku shoqëror të mos jetë i njohur. Sipas nenit 11 të KPRK-së nuk është vepër penale edhe pse përmban të gjitha veprimet penale, e pandehura e ka pranuar fajësinë e i ka arsyet e saj për çfarë arsye e ka bërë këtë. Unë besoj që ekzistojnë kushtet që në këtë rast të aplikohet neni  11 i KPRK-së”, ka thënë avokati Pantoviq.

Ndryshe, e akuzuara Radosavljeviq, ishte deklaruar e pafajshme seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 12 dhjetor 2019.

Sipas aktakuzës, e pandehura më 11 gusht 2018, duke shfrytëzuar cilësinë e këshilltares politike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me udhëzimin administrativ ka shfrytëzuar veturën zyrtare, të tipit “Jeep”, që është pasuri e qeverisë, për qëllime private.

Siç thuhet në aktakuzë, e pandehura veturën zyrtare ia kishte dhënë ta drejtojë familjarit të saj, djalit të tezes, Aleksander Sharkoviq, e ku po ashtu në veturë kishte qenë prezent edhe udhëtarja Violeta Mitroviq, e cila udhëtonte në të njëjtën veturë për qëllime private.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura ishte ndaluar në pikë kalimin kufitar në Jarinje, nga zyrtarët doganorë, ku e njëjta nuk kishte poseduar dokumentacione përkatëse për kalimin nga Republika e Kosovës në Serbi, po që ajo personit zyrtar ia kishte prezantuar një autorizim pa datë dhe protokoll, me ç` rast i ishte përgjigjur zyrtarit se me këtë veturë ka dashur që bashkudhëtaren ta dërgojë për ta kontrolluar te mjeku në Rashkë.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.