Ballina / OP./INTERVISTA / Qosja komenton idenë e korrigjimit të kufijve të Kosovës
rexhep qosja 2

Qosja komenton idenë e korrigjimit të kufijve të Kosovës

Debati i kohëve të fundit për një korrigjim të mundshëm kufijve me Serbinë, eventualisht për një shkëmbim territori mes dy vendeve, ka sjellë qëndrime të ndryshme nga politikanë e nga shoqëria civile, dhe jo vetëm.

Këtij debati i ka hyrë edhe akademik Rexhep Qosja, i cili, ka thënë se kjo çështje nxiti shumë paraqitje individuale e partiake në Kosovë, por edhe në Shqipëri, dhe, siç thotë ai, këto paraqitje sollën disa koncepte, nocione dhe togfjalësh politikë.

“Koncept kryesor i këtyre diskutimeve u bë togfjalëshi ‘Ndarja e Kosovës’. Prej diskutimeve rreth këtyre koncepteve, nocioneve e togfjalëshave shihet se disa prej autorëve nuk i kuptojnë, kurse disa të tjerë i keqkuptojnë mund të jetë qëllimisht ato. Mund të them se ata që kanë përdorur konceptin e shkëmbimit të territoreve dhe ata që kanë përdorur konceptin e korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë nuk kanë menduar në asnjë mënyrë, dhe kurrë, për ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nuk nënkuptojnë ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë lëvizje, në të vërtetë ndryshim të kufijve në skaje të Kosovës, në skajin verior të Kosovës”, thotë Qosja në një përgjigje për Koha.net.

Tutje, ai thotë se kushdo që mendon racionalisht, me të dhëna, me argumente, me të vërteta e të drejta në mendje, togfjalëshi “ndarje e Kosovës” do të thotë “Ndarje e Kosovës”, që do të bëhej me një kufi i cili do të shtrihej nëpër Kosovën e kufijve që ka ajo sot.

“Të përsëris: shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë ndryshim vetëm të kufirit të skajshëm verior të Kosovës e jo Ndarje të Kosovës”, thekson Qosja.

Qosja pyet se pse atëherë ata që ju vardisën mosegzistueses, ata akuzues për Ndarje të Kosovës, po i akuzojnë për Ndarje ata që këtë kërkesë në asnjë mënyrë nuk e bënë?

“Mund të jenë disa arsye për këtë. E para, mosdija. E dyta, inatet, që shpesh përcaktojnë përmbajtjen e mendimeve të disave prej atyre akuzuesve dhe, e treta, ndoshta kryesorja, përpjekja për të pastruar jetëshkrimin e vet politik në të kaluarën e tyre të derivonshme. Them kështu për shkak se ndër këta akuzues që akuzuan disa ish-prijës politikë e ushtarakë të UÇK-së, që më në fund i sollën lirinë dhe pavarësinë Kosovës, natyrisht në saje të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian; ndër këta akuzues që akuzuan kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, Edi Ramën, i cili është politikani i vetëm në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Serbisë dhe Shqipërisë e Greqisë që Serbisë e Greqisë ua tha të vërtetat më të rënda që nuk ua kishte thënë asnjë politikan shqiptar në Tiranë apo në Prishtinë deri sot, nuk është e çuditshme se ndër këta akuzues, që akuzën e tyre e bazuan në Ndarje të Kosovës, pra, pati të tillë që Kosovën e ka quajtur territor të bineqve, domethënë territor gjysma e të cilit i takon Serbisë e gjysma tjetër i takon Kosovës dhe ashtu e mohonte çdo mundësi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye kundër tij shqiptarët në Evropë bënin protesta duke e quajtur tradhtar kombëtar”, ka thënë ndër të tjera Qosja.

Ai më tej thotë se “ndër këta akuzues pati të tillë që si pjesëmarrës në pushtetin e Kosovës në kohën e dhunës e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Kosovë morën pjesë në urdhërdhëniet për shuarjen e demonstratave të rinisë shqiptare të Kosovës me ç’rast u vranë dhjetëra të rinj”.

Pati edhe akuzues, sipas tij, që në kohën e Millosheviqit i shërbyen Sigurimit Shtetëror duke ofruar informata armiqësore ndaj UÇK’së.

“Ndër këta akuzues pati të tillë që në kohën e dhunës e terrorit të regjimit të Millosheviqit i shërbyen Sigurimit Shtetëror të atij regjimi me informacionet më akuzuese, në të vërtetë armiqësore ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare në Kosovë në përgjithësi. Ndër këta akuzues pati të tillë që si prijës partiakë në vitet e ‘90-ta dhe si gazetarë e publicistë në atë kohë e mohuan çdo mundësi jo vetëm për pavarësinë, por edhe për ngritjen e statusit të Kosovës në Republikë në kuadrin e Federatës apo Konfederatës Jugosllave. Ndër këta akuzues pati të tillë që morën pjesë në hartimin e programeve të partive të tyre, që u regjistruan në ministrinë përkatëse të Beogradit dhe që mohonin çdo rezistencë aktive dhe që ardhmërinë e Kosovës e shihnin në lidhje shtetërore me Jugosllavinë e mbetur e kjo domethënë më në fund me Serbinë. Ndër këta akuzues që u ngritën kundër idesë së ndarjes së Kosovës të cilën nuk e kërkuan të akuzuarit u ngritën edhe një intelektual dhe një intelektuale në Tiranë, por u ngritën me një gjuhë të butë e të ngatërruar me të cilën, megjithatë, thanë çka atyre, për shkak se janë njohës të jashtëzakonshëm të marrëdhënieve Shiptaro-Serbe, nuk u kishte hije që ta thoshin”, u shpreh ai.

Për të gjitha këto arsye, pjesëmarrjen e këtyre akuzuesve në diskutimet që po bëhen për bisedimet e ardhshme të quajtura përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, “sipas mendimeve të mija, nuk do marrë seriozisht”.

“Në asnjë mënyrë unë këtyre akuzuesve nuk ua mohoj të drejtën që të ndërrojnë mendimet e tyre të dikurshme, të cilat, ç’është e vërteta, i kanë ndërruar pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ua mohoj të drejtën që të akuzojnë të tjerët në vend se vetveten e dikurshëm”, thekson Qosja.

Ndërkaq, thotë se seriozisht i merr “këshillimet e dy të parëve zyrtarë të sotëm të Kosovës me disa analfabetë, në mënyrë të veçantë këshillimet me analfabetin e parë, të kryekorruptuar, të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, të cilin me gishtin e tyre tregues e bënë kryetar të asaj Akademie partiake e private me qëllim që të mund ta përdorin atë Akademi siç e përdorën më në fund në bisedimet për një marrëveshje ndërshtetërore cenuese për Kosovën tashmë të miratuar në Kuvendin e Kosovës”.

“Seriozisht do marrë këtë çështje: çështjen e delegacionit shqiptar që po merr pjesë dhe që do të marrë pjesë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova ka historianë, ka juristë, ka gjeografë, ka antropologë, ka politikanë, ka intelektualë, me përgatitje të ndryshme historike e të përshtatshme për të gjitha problemet e çështjet që mund të ngrihen në ato bisedime. Por, në grupet që deri tani biseduan në Vjenë e në Bruksel, e që po bisedojnë edhe tani në Bruksel për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë, pothuajse mbizotërojnë diletantët. Prej tyre, jo pse nuk do të donin, por pse nuk dinë, nuk mund të pritet ndonjë e mirë për Kosovën. Ata që po programojnë bisedimet me Serbinë dhe ata që morën pjesë në diskutimet për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufirit do të duhej ta dinë një gjë: faktorët ndërkombëtarë zakonisht në bisedimet mes dy palëve nuk lejojnë që njërës palë t’i jepet çdo gjë e palës tjetër asgjë. Ata që po i programojnë bisedimet me Serbinë dhe ata që morën pjesë në diskutimet për shkëmbim të territoreve do të duhej të përpiqen e të mësojnë se shkëmbime të territoreve, madje, në disa raste edhe të pjesëve të popullatës në mes dy shteteve, janë bërë gjatë historisë. Dhe janë bërë madje dhe jo shumë larg në kohë edhe në Ballkanin Juglindor”, deklaron Qosja.

Ai thotë se ata që po merren “me çka u tha më sipër”, do të duhej që më në fund “të dinë se faktorët e mëdhenj ndërkombëtarë zakonisht nuk i kundërshtojnë pajtimet mes dy shteteve e dy popujve qoftë edhe kur me to preken disa parime të përgjithshme që ato politikisht i mbrojnë”.

“Ata që po merren më çka u tha më sipër, në mënyrë të veçantë ata që po predikojnë retorikën e korrigjimit të kufirit, domethënë të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, do të duhej të dinë se faktorët ndërkombëtarë nuk do t’u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t’u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës”, vlerëson akademiku Rexhep Qosja.

“Le të thuhet në fund, prandaj, se ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshën apo s’deshën, po ia dhurojnë Serbisë edhe njërën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale (si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”, përfundon Qosja përgjigjen dhënë portalit Koha.net rreth çështjes së shkëmbimit të mundshëm të territorit mes Kosovës dhe Serbisë.

@Fluidi

Provo po ashtu

llogoja e fmn

FMN: Kosova mund të shkojë drejt krizës fiskale

“Buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.