Qeveria: Nuk ka mësim deri më 6 Prill

Qeveria në detyrë e Kosovës ka shtyrë afatin e rinisjes së procesit mësimor, i paraparë për 27 mars, proces ky që u ndërpre si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë (28 mars), në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndërmarrjen e masave shtesë për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së COVID-19, thuhet se është vendosur që rinisja e procesit mësimor të shtyhet deri më 6 prill.

Po ashtu, është vendosur që hyrje-daljet e qytetarëve në komunat Klinë, Viti e Malishevë të vazhdojnë të jenë ndaluara deri më 6 prill.

Deri më 6 prill do të vlejë edhe masa e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve private, kufizim që vlen nga ora 17:00 deri në orën 06:00.

Vendimi i njëjtë vlen edhe për transportin ndër-urban dhe atë të organizuar ndërkombëtar; për mbylljen e kufijve tokësorë për udhëtarët që hyjnë në Kosovë (kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’u nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vetizolohen për 14 ditë; për pezullimin e përkohshëm të të gjitha linjave të udhëtimit ajror në aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake dhe emergjencave medicionale (MEDIV AC). Përjashtim bëjnë edhe linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova; për mbylljen e kafeterive, bareve, pabeve dhe restoranteve, qendrave tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore; për pezullimin e të gjitha aktiviteteve kulturore dhe sportive; për mbylljen e tregjeve e kafshëve dhe tregjeve të automjeteve; për reduktimin në veprimet esenciale dhe në staf esencial për çdo institucion publik përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë; për kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia. Po ashtu, pjesë e këtij vendimi është edhe thirrja e Qeverisë që u bëhet të gjithë qytetarëve që t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me njerëz dhe t’u përmbahen të gjitha masave të ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Gjithashtu, qeveria ka vendosur që kjo masë e re të vlejë edhe për shpalljen e emergjencës së shëndetit publik.

“Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, jo më vonë se 3 prill 2020, vendimet e mësipërme i rishqyrton, në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertë dhe ministritë tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe i jep rekomandim Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me vazhdimin ose jo të vendimeve përkatëse. Situatën epidemiologjike, ministri i Ministrisë së Shëndetësisë do ta ri-analizojë çdo ditë dhe në lidhje me secilin vendim të lartcekur dhe pas konsultave paraprake, mund t’i rekomandojë Qeverisë mbetjen në fuqi të Vendimit, ndryshimin apo plotësimin e masave të përcaktuara me Vendim ose shfuqizimin e Vendimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.