Qeveria Kurti vendosi, këto janë datat e kthimit në çerdhe e shkolla

Çerdhet hapen me një qershor, kthimi i klasave të nënta në shkollë bëhet prej datës 8 qershor deri më 19 qershor kurse kthimi i klasave të dymbëdhjeta në shkollë bëhet nga 15 qershor deri më 30 qershor. Testi i arritshmërisë mbahet me 23 qershor kurse testi i maturës me 4 korrik 2020.

Këto janë vetëm disa nga vendimet e seancës së sotme të Qeverisë Kurti, ku për arësyet që nuk dihen nuk kanë marrë pjesë ministrat e LDK-së, edhepse gjatë seancës pritej të merren vendime të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

VENDIMI i plotë që ka të bëjë me çerdhe, kopështe e shkolla është si në vijim:

2. Plotësohet dhe ndryshohet pika 1.1. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/07 të datës 11 mars 2020 si në vijim:

2.1. Rihapja e kopshteve dhe çerdheve nga mosha 0 deri në 5 vite në Institucionet publike dhe private të nivelit parashkollor nga 1 qershori;

2.2. Organizimi i ambientit dhe përgatitjeve për testin e arritshmërisë me klasat e nënta (kthimi i klasave të nënta në shkollë bëhet prej datës 8 qershor deri më 19 qershor me qëllim të mbajtjes së testit të arritshmërisë me 23 qershor 2020);

2.3. Organizimi i ambientimit dhe përgatitjeve për testin e maturës me nxënësit e klasave të dymbëdhjeta (kthimi i klasave të dymbëdhjeta në shkollë bëhet nga 15 qershor deri më 30 qershor dhe mbajtja e testit të maturës më 4 korrik 2020);

2.4. Lejimi i orëve praktike/laboratorike për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe organizimi i provimeve duke zbatuar në mënyrë strikte rekomandimet e IKSHPK-së.

Pak pas seancës së Qeverisë MASHT ka nxjerr udhëzuuesin për testin e arritshmërisë

Testi i Arritshmërisë 2020 për klasat e nënta këtë vit pritet të mbahet më ndryshe. Për shkak të pandemisë COVID-19, kësaj here, shkollat në të cilat do të mbahet testi duhet të jenë të dezinfektuara, derisa nxënësit dhe i gjithë stafi janë të detyruar të mbajnë dorëza e maska dhe të respektojnë distancën deri në 2 metra.

Bazuar në dy udhëzime që i ka nxjerrë MASHTI, më 23 qershor, kur edhe pritet të mbahet testi, në klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës, të cilët do të ndahen në 3 rreshta.

Në hyrje të qendrës së testimit, në korridore e klasë, do të vendosen posterë me informacione për respektim të rregullave për mbrojtje nga COVID-19. Kushdo që nuk i respekton rregullat, sipas MASHTI-t, do të largohet nga qendra e testimit dhe nuk do të ketë mundësi t’i nënshtrohet testit në këtë afat.

“Drejtori i shkollës në Qendrën e testimit (me ndihmën e DKA) sigurohet që në çdo hyrje të Qendrës dhe në çdo klasë testimi të ketë dezinfektues për pastrimin e duarve dhe vend të caktuar dhe të mbyllur për hedhje të letrave apo faculetave të xhepit”, shkruhet në udhëzuesin e MASHTI-t.

Sipas Udhëzuesit, drejtoritë komunale, përveç tjerash, e kanë për detyrë të bashkëpunojnë me shkollat për t’u informuar nëse ndonjë nga nxënësit apo familjet e tyre kanë qenë apo janë të prekur nga COVID-19.

“Përcjellin gjendjen e nxënësve në ditën e organizimit të testit, për të parë nëse shfaqin simptoma si ethe, kollë e thatë, probleme me frymëmarrjen, humbje shije, dhimbje të fytit”, shkruhet po ashtu.

Kryesuesi i kolegjiumit të drejtorëve komunalë të arsimit, Besim Avdimetaj, ka thënë se të gjitha rekomandimet mund të realizohen, por vetëm dezinfektimi mund të jetë më problematik për shkak të buxhetit të kufizuar. Për këtë çështje, sipas tij, komunat kanë kërkuar përkrahje financiare nga Qeveria.

Testi i Arritshmërisë do të mbahet në të njëjtën ditë në të gjithë Kosovën dhe atij pritet t’i nënshtrohen 26.261 nxënës. Rezultatet do të shpallen më 30 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.