Ballina / KOSOVA / Qeveria Haradinaj i përgjigjet Amerikës për demarkacion
Ramush Haradinaj

Qeveria Haradinaj i përgjigjet Amerikës për demarkacion

Qeveria e Kosovës është e vendosur që t’i shkojë deri në fund çështjes së kufirit me Malin e Zi, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha që po i bëhen nga ndërkombëtarët, e së fundmi edhe nga ambasada amerikane e Kosovës.

Komisioni i ri i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi as pas prezantimit të së hënës, nuk e ka bindur ambasadën amerikane se versioni aktual është i gabuar. Halil Matoshi nga Qeveria Haradinaj tha se i kuptojnë shqetësimet e ndërkombëtareve por presin nga Komisioni me të gjeturat tjera për të vazhduar tutje.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përmes një reagimi për media të martën, tha ishin zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i komisionit të ri për kufirin para komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane. Sipas tyre, pohimet e këtij komisioni ishin të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

Por Halil Matoshi, nga Qeveria Haradinaj ka thënë se i kuptojnë shqetësimet e miqve ndërkombëtar, por qëllimi i tyre përmes këtij komisioni është të arrihet në një zgjidhje.

“I kuptojmë shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë për këtë çështje dhe njëkohësisht konsiderojmë se adresimi i çështjes së demarkacionit prej nisjes së punës së Qeverisë Haradinaj është bërë me qëllim të zgjidhjes së kësaj çështjeje”, tha Matoshi.

Sipas tij, komisioni për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror pritet së shpejti të prezantojë një raport me gjetjet e tij dhe i njëjti pasi të vlerësohet e analizohet do të procedohet më tutje për ta përmbyllur procesin.

Mirëpo, ambasada amerikane goditi ashpër Shpejtim Bulliqin dhe Flroim isufin, që të dy pjesë e komisionit, dukë thënë se në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974.

“Që nga ajo kohë, nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar”, tha ndër tjerash kjo ambasadë.

Komisioni i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi të hënën mori reagime të ashpra nga deputetët e Kuvendit, dukë thënë se ai nuk ka sjell fakte të reja. Ndërkaq thirrje të vazhdueshme janë duke u bërë nga ndërkombëtarët që Kosova ta shfrytëzojë rrugën e fundit që çojnë drejt vizave, pasi edhe kjo rrugë shpejt mund të mbyllet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.