Qeveria franceze – 100 miliardë euro për rimëëmbjen e ekonomisë

Vendet e punës janë përparësia numër një, ka deklaruar qeveria franceze, ndërsa prezantoi një plan rikuperimi për ekonominë e goditur nga pandemia e koronavirusit.

Kryeministri Jean Castex premtoi 160 mijë vende të reja pune në vitin 2021, si pjesë e një plani rikuperimi me vlerë 100 miliardë euro, i projektuar për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe punësimin, në një kohë kur numri i përditshëm i të infektuarve po rritet përsëri në Francë.

“Rinisja e ekonomisë dhe luftimi i papunësisë është objektivi kryesor i planit. Shpresoj që plani i rimëkëmbjes do të krijojë 160 mijë vende pune në 2021 – ky është qëllimi ynë,” tha Castex.

Ekonomia franceze ka përjetuar rënien më të keqe që nga viti 1945 me Prodhimin e Brendshëm Bruto që ra me 13.6 për qind në tremujorin e dytë, pas një rënie prej më shumë se 5 për qind në të parin.

Qeveria pret që PBB-ja për vitin 2020 të tkurret me 11 për qind dhe me një total prej 800 mijë vendesh pune të humbura gjatë gjithë vitit.

Rritja e buxhetit, një kombinim i shpenzimeve të reja dhe anulimi i taksave, është katërfishi i shumës që Franca shpenzoi mbi një dekadë më parë për t’u marrë me krizën financiare globale, sipas qeverisë.

Ndryshe nga përgjigjja e krizës pas vitit 2008, shumica e planit të ri synon anën e furnizimit dhe investimeve të ekonomisë, përkatësisht bizneset.

Masat gjatë dy viteve të ardhshme përfshijnë një ndihmë me vlerë 35 miliardë euro për sektorin e korporatave, shumica e tyre në formën e shkurtimeve të taksave. Rreth 30 miliardë euro janë caktuar për politikat e ekonomisë së gjelbër./AFP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.