fbpx
kuvendi, kosova

Qeveria e Parlamenti-marrëveshje për Gjykatën?!

Përderisa, autoritetet nga Prishtina, nuk konfirmojnë në mënyrë kategorike se a do të formohet Tribunali, apo Gjykata për krime të luftës në Kosovës, institucionet ndërkombëtare në vend, kanë deklaruar  se e rëndësishme është, që Qeveria dhe Parlamenti të bëjnë një marrëveshje me Bashkimin Evropian për këtë çështje, në mënyrë se si do të shkohet përpara.

Tashmë sipas tyre, formimi i Gjykatës është punë e përfunduar, por ende nuk dihet se ku do të vendoset, brenda apo jashtë Kosovë.

Megjithatë, në vend të Tribunalit, do të formohet  një Gjykatë Speciale, sepse heqja e emrit Tribunal është arritur si rezultat i mbështetjes së disa shteteve të fuqishme që druajnë se krijimi i një Tribunali në formën çfarë është paraqitur me anë të një draft-statuti të hartuar nga ekspertët evropianë, do ta dëmtonte rëndë imazhin e Kosovës.

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka thënë se, për mediat se ShBA-të, e kanë përkrahur këtë Task Forcë, që ekziston nën ombrellën e BE-së tash e sa kohë.

Por ajo nuk dëshiron ta komentoj për një proces hetimor që po vazhdon, por  ka theksuar se më rëndësi për Kosovën është se Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, të bëjë një marrëveshje me Bashkimin Europian se si të lëvizë përpara për themelimin e kësaj Gjykate.

“Nuk mund të komentoj se si do të jenë modalitetet për një gjykatë të tillë, si do të duket, ku do të jetë, por, ajo që duam të shohim është një proces kredibil ndërkombëtar, pas të cilët mund të lëvizim përtej kësaj çështjeje dhe të fokusohemi në sfida tjera me të cilat ballafaqohet Kosova”, ka thënë ajo, duke shtuar se shkatërruese për imazhin e Kosovës do të ishte një procedurë gjyqësore që nuk është transparente dhe që nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, e jo se ku do të vendoset Gjykata, jashtë apo brenda Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka konsideron se institucionet e Kosovës në përgjithësi dhe politika e Kosovës në veçanti, duhet ta shikoj dhe rishikoj mirë funksionimin e sistemit të drejtësisë, se a është duke funksionuar ky sistem sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Përndryshe Tribunal të Hagës, nëse veç precizohet për luftën jam i bindur se nuk ka nevojë për një gjë të tillë, pse edhe ashtu ishte një Tribunal i Hagës”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se nga ai ende nuk është kërkuar nga askush ndonjë mendim për këtë çështje.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, nuk e ka mohuar në mënyrë kategorike se nuk do të ketë një Tribunal, por, ka thënë se asgjë nuk ka të re për këtë dhe se draft-statusi që është paraqitur nëpër media, nuk është valid.

Sipas tij, Kosova ka institucionet e veta dhe se diçka që nuk i ka ndodhur asnjë vendi në ish-Jugosllavi nuk mund t’i ndodhë as Kosovës.

“Draft- statuti nuk është valid, është i paqëndrueshëm. Ne kemi dhënë premtime për bashkëpunim për zbardhjen e pretendimit fantastiko-shkencor të Dick Martyt. Kosova ka institucionet e veta funksionale të drejtësisë, gjithçka do të jetë në kuadër të ligjeve të Kosovës. Diçka që nuk i ka ndodhë asnjë vendi të ish-Jugosllavisë, nuk mund t’i ndodhë as Kosovës. Asgjë jashtë juridiksionit të Kosovës nuk do të ndodhë”, ka thënë  Thaci.

Në anën tjetër, për  liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kjo legjislaturë e ka për obligim që ta themeloi Dhomën e Veçantë për krime lufte gjatë muajit prill.

Ndërkaq, për kryetarin e Graçanicës nga Lista “Srbska”, Branimir Stojanoviq,Tribunali apo Gjykata për krimet e luftës nuk duhet të vendoset në Kosovë.

“Tribunali ose Gjykata duhet të jetë jashtë Kosovës, sepse është dëshmuar se s’ka kapacitete institucionale që të mbrohen dëshmitarët e mbrojtur. Kjo do të jetë sfida më e madhe e këtij Tribunali. Prandaj, është mirë që të jetë në një shtet tjetër për shkak se kushtet janë më të kapshme. Larg politikanëve lokal dhe politikanëve në përgjithësi sepse ky Tribunal duhet të jetë i drejt e jo politik”, ka thënë Stojanoviq.

Kurse, kundër krijimit të një Tribunali për hetimin e krimeve të pretenduara nga UÇK-ja, është kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj.

Ai ka thënë se një Tribunal i tillë është një akt barbar dhe “gjenocid demokratik” që vjen nga Brukseli.

“Është hakmarrja e lobit pro-serb në Bruksel kundër bombardimeve të NATO-s mbi Beograd. Si i tillë duhet të refuzohet kategorikisht”, ka thënë Danaj.

Ndërkaq, analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka thënë se arsyeja se pse po vjen deri te themelimi i Tribunalit kur dihet se në Kosovë është EULEX-i, është momenti kur Clint Ëilliamson, është caktuar si Prokuror për të hetuar pretendimet e Senatorit Dick Martyt, dhe është ditur se në fund të ketë një rezultat.

Rashiqi, i bindur , ka thënë se themelimi i Tribunalit ose Gjykatës, tashmë është çështje e kryer, porse sipas tij, dilema është se a do të ketë brenda apo jashtë vendit.

Por përfundimisht, do të jetë një Gjykatë Speciale, e cila do t’i gjykojë ish-pjesëtarët e UÇK-së, që do të mund të akuzohen si rezultat i një hetimi trevjeçar për dyshimet e ngritura në raportin e eurodeputetit Dick Marty. InfoGlobi/Lumturie. BEKA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.