Qeveria e Kosovës i ndan 250.000 euro për Koalicionin Global kundër IS-it

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 250.000 eurove për Koalicionin Global kundër grupit militant ekstremist, i ashtuquajtur Shteti Islamik (IS).

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se duke qenë pjesë e këtij koalicioni global, Kosova ka kryer këtë obligim financiar.

Sipas tij, shteti i Kosovës është i gatshëm të kryej edhe obligim ushtarak ndaj këtij koalicioni.

“Koalicionin Global kundër ISIS-it e përbëjnë 31 shtete, ku përfshihet edhe Kosova. Fatkeqësisht edhe Kosova është prekur nga kjo luftë, ku disa qytetarë kanë shkuar atje. Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë koalicion, ne i kryejmë obligimet. Kosova është e gatshme të kryej obligimin ushtarak, policor, inteligjencës e obligime logjistike ndaj këtij koalicioni”, ka thënë Haradinaj.

Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, e cila përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka falenderuar Kosovën për mbështetjen e palëkundur në luftën kundër IS-it.

“Ne falenderojmë Kosovën për mbështetjen e palënkundur dhe anëtarësinë në koalicionin për luftimin e ISIS-it”, thotë ambasada amerikane.

Edhe dy vite më parë, Qeveria e Kosovës, kishte ndarë 100.000 euro në përkrahje të këtij koalicioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.