fbpx
projektligji

Qeveria e ka miratuar Projektligjin për parandalim të konfliktit të interesit

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar propozim-vendimin me të cilin autorizohet komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, që ka të bëjë me vlerësimin e punës së komisionit të mëparshëm si dhe të përgatisë raportin së bashku me rekomandimet për të gjeturat brenda afatit optimal.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se me këtë projektligj institucioneve po u ofrohet legjislacion adekuat, në drejtim të luftimit të dukurive negative, luftimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

Tahiri: Ky projektligj ndikon në avancimin e luftimit të korrupsionit

“Miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane të reformave tjera. Përmes angazhimeve tona, duke përfshirë dhe aprovimin e këtij projektligji, konsideroj se institucioneve kompetente, po iu ofrojmë legjislacion adekuat, në mënyrë që puna e tyre të jetë sa më efikase dhe efektive, në drejtim të parandalimit dhe luftimit të dukurive negative, veçmas korrupsionit dhe në këtë aspekt konfliktit të interesit. Përmes këtij Projektligj është bërë përpjekje që t’i kushtohet vëmendje e veçantë aspektit preventiv, përkatësisht parandalimit të konfliktit të interesit”, tha Tahiri.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me fillimin e zbatimit të projekteve të financuara nga fondet e instrumentit të para-anëtarësimit IPA.

Hoxha: Aktualisht janë duke u zbatuar 240 projekte

“Dëshiroj t’ju njoftoj për statusin e projekteve të financuara nga fondet e para anëtarësimit të BE-së. Shuma e alokuar për Kosovën në programin e IPA II për vitet 2014-2020 është 645.5 milionë euro. sektorët prioritare janë demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, energjia, konkurrenca dhe inovacioni, arsimi, punësimi dhe politikat sociale, bujqësia dhe zhvillimi, rural, mjedisi dhe bashkëpunimi regjional. Ju njoftojmë se aktualisht janë duke u zbatuar rreth 240 projekte, të financuara nga IPA në vlerë prej 174 milionë euro. Ndërsa së shpejti do të fillojë zbatimi i rreth 50 projekteve të tjera, të planifikuara me një shumë totale prej 145 milionë eurove”, tha ministrja Hoxha.

Qeveria po ashtu ka miratuar propozim-vendimin me të cilin aprovohet falja e borxheve për ambalazhuesit e ujit. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se me këtë vendim sigurohet nisje e re, pasi që kjo është një histori e vjetër e një borxhi pa epilog.

Haradinaj: Është një borxh pa epilog

“Është një histori e vjetër e një borxhi pa epilog dhe me këtë vendim e sigurojmë një nisje të re që konsolidon marrëdhënien e tatimpaguesve, në këtë rast ambalazhuesve të ujit me buxhetin e konsoliduar të vendit”, ka thënë Haradinaj.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se qeveria është përcaktuar në përkrahje të prodhuesve vendorë.

Hamza: Jemi përcaktuar në përkrahje të prodhuesve vendorë

“Ky vendim do të këtë ndikim negativ buxhetor. Mirëpo, ne jemi përcaktuar në përkrahje, sidomos të ndërmarrjeve prodhuese dhe prodhuesve vendorë. Ne kemi reflektuar me masa tjera në lehtësirat që do t’iu krijojmë njerëzve, me qëllim që të avancojnë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zgjerimin e investimeve të tyre. Sa i përket impakteve negative buxhetore ne kemi diskutuar dhe më herët, kjo do të kompensohet pastaj nga rritja e vendeve të punës, nga tatime të tjera që do të paguhen dhe sigurisht se nuk do të ketë ndikim në qëndrueshmërinë e stabilitetit makrofiskal në vend”, tha Hamza.

Kryeministri i Kosovës në mbledhjen e Qeverisë, ka ngritur dhe problemin për qentë endacak, për të cilin ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje.

Haradinaj: Qentë endacakë dukuri shqetësuese, të gjejmë zgjidhje për këtë

“Problemi me qentë endacak. Është rrit numri i tyre shumë, t’iu them të drejtën gjithkund janë. Dhe është bërë dukuri e rrezikshme në vend. Me ligj Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë, Zhvillimit Rural, kishte lëshuar më herët një udhëzim administrativ që këtë çështje e kishin kompetencë komunat. Ajo që na bien ne si Qeveri është ndoshta ne me ra dakord, që nëse duhet masë shtesë nga niveli qendror ose ndonjë mënyrë e kyçjes në këtë temë me i kërkuar ministrit Rikallo. Le ta shqyrtojë ky ose le të na propozojë si të veprojmë rreth kësaj teme. Çfarë partneriteti me bë me komunat, ose me nxjerr një informatë njëherë pse komunat nuk e trajtojnë këtë. A është mungesë buxheti, ku qëndron problemi, sepse nëse vazhdon kështu do të ketë pasoja tragjike për qytetarët. I kemi gjithkund qentë endacakë. Vërtet, është bërë dukuri shqetësuese”, tha Haradinaj.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Qeveria do të ndajë mjete financiare për komunat, për të zgjidhur këtë problem, pasi që komunat kanë mungesë të mjeteve financiare për t’u përballur me këtë problem.

Hamza: Do t’i mbështesim komunat

“Nëse janë problem mjetet financiare dhe sigurisht komunat kanë me kërkuar mjete financiare shtesë. Duke parë rëndësinë e kësaj çështje, ne si MF do ta ndajmë një rezervë kontingjente një fond të caktuar brenda buxhetit të Kosovës për këtë destinacion. Dhe pastaj komunat mund t’i shfrytëzojnë këto mjete mbi buxhetet e tyre aktuale, për këtë shqetësim të qeverisë dhe qytetarëve. Ne na lejohet mundësia që përmes ligjit të buxhetit të ndajmë mjete për organizatat buxhetore, duke e përfshirë dhe nivelin lokal. Dhe nëse komunat e Kosovës vijnë më një plan të qartë brenda këtij viti, se sa mjete iu nevojitet për këtë vit. Ne, si Qeveri e Kosovës, do t’iu dalim në mbështetje. Po, ato duhet të vijnë me kërkesë të qartë, drejtohen në MF dhe MF mbi bazën e kërkesës së tyre. Ne do të modelojmë zgjidhje brenda infrastrukturës ekzistuese dhe do t’i përkrahim financiarisht”, tha Hamza.

Kryeministri Haradinaj tha se nga mbledhjet e qeverisë të mbajtura deri më tani, janë marrë veprime me rëndësi për jetën e qytetarëve.

Haradinaj: Kemi marrë veprime me rëndësi për jetën e qytetarëve

“Unë veç mund t’ju them që takimet e qeverisë deri tani, gjashtë pra kanë qenë takime vërtet vepruese. Janë marrë shumë veprime me rëndësi për jetën e qytetarëve dhe për proceset në të cilat ndodhemi”, tha Haradinaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.