Ballina / OP./INTERVISTA / Pse SHBA-ja e ka prioritet luftën kundër korrupsionit
korrupsioni

Pse SHBA-ja e ka prioritet luftën kundër korrupsionit

Lufta kundër korrupsionit është shndërruar në top-prioritet të politikës së jashtme për Qeverinë e SHBA-së.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit kjo luftë është e domosdoshme, sepse e lufton krimin e organizuar dhe terrorizmin, e promovon stabilitetin, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe forcon rritjen ekonomike në tregjet e huaja, ku bizneset amerikane kanë qasje.

Studimet amerikane kanë nxjerr në pah se prania e madhe e korrupsionit ka shtyrë shumë qytetarë të dëshpëruar në vendet në zhvillim, që të bëhen radikalistë fetarë dhe pjesë e lëvizjeve terroriste, prandaj korrupsioni shihet si kërcënim i drejtpërdrejtë i interesave amerikane nëpër botë.

Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit brenda Departamentit Amerikan të Shtetit, e cila është përgjegjëse për nismat antikorrupsion anembanë globit, ka marrë një mbështetje dhe peshë shumë më të madhe kohëve të fundit.

Edhe USAID-i ka rritur shumë fondet për t’i mbështetur iniciativat antikorrupsion të ndërmarra në vendet e ndryshme.

Por, vetëm Zyra për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit brenda Departamentit Amerikan të Shtetit aktualisht financon dhe administron projekte në mbi 4 miliardë dollarë, në më shumë se 80 vende ku janë përfshirë mbi 5000 punonjës apo nënkontraktues.

Rëndësinë e madhe që masat globale antikorrupsion kanë për politikën e jashtme dëshmohet më së miri edhe me Ligjin Global Magnitsky.

“Zanafilla e këtij ligji ka të bëj me Sergei Magnitsky, i cili ishte një llogaritar rus që u fut në burg si pasojë e një procesi gjyqësor të montuar dhe aty vdiq në vitin 2009, pasi u torturua dhe iu mohua ndihma mjekësore. Autoritetet ruse e kishin vënë në shënjestër atë për rolin e tij në denoncimin dhe zbardhjen e një skeme gjigante të mashtrimit të taksave që përfshinte zyrtarët më të lartë qeveritar. Në vitin 2012, Kongresi Amerikan miratoi një ligj me emrin e tij, që vendoste sanksione për një listë të zyrtarëve rusë, të cilët besohet se ishin përgjegjës për burgosjen dhe vdekjen e tij. Ky ligj parashikonte ngrirjen e çdo pasurie amerikane që ata mbajnë dhe ndalimin e tyre nga hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhej për këtë ligj në mediat amerikane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një hap shumë të rëndësishëm në vitin 2016, duke miratuar Ligjin Global Magnitsky, i cili autorizon institucionet shtetërore amerikane që të vendosin ndalime të vizave dhe sanksione të tjera ndaj politikanëve e zyrtarëve, nga cilido vend në botë, nëse ata janë përgjegjës për korrupsion apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Sanksionet e tjera ndërlidhen me formën e ngrirjes së pasurisë së tyre apo fondeve, që ata mbajnë në bankat amerikane.

Në prill të vitit 2017, Presidenti Trump e rikonfirmoi mbështetjen e administratës së tij për këtë legjislacion të rëndësishëm dhe, po ashtu, theksoi se administrata e tij ishte në proces të identifikimit dhe përpilimit të një liste të njerëzve të cilët i prek ky ligj, si dhe kërkimit të të dhënave për pronat e tyre.

Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri u bë shumë e madhe ndalesa që iu bë bazuar në këtë ligj nga Departamenti Amerikan i Shtetit të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos dhe familjes së tij, ish Kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, si dhe deputetit socialist Tom Doshi.

Në Ballkan, anti-korrupsioni si prioritet i politikës së jashtme demonstrohet edhe prej mbështetjes së dhënë për reformat e mëdha në sistemin e drejtësisë.

SHBA-ja ishin mbështetësit kryesorë për reformën radikale shqiptare në drejtësi, e cila ka konsistuar në krimin e së ashtuquajturës Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), që pritet të hyj në fuqi në fund të këtij viti.

Në SPAK bëjnë pjesë Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat do të hetojnë dhe gjykojnë aktet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha veprat penale të zyrtarëve të lartë, të kaluar apo atyre aktualë.

Pavarësisht hezitimit fillestar, ligji për krijimin e SPAK-ut u miratua me pjesëmarrje edhe të opozitës, si pasojë e presionit të madh qe erdhi nga amerikanët.

Këmbëngulja e SHBA-së ishte vendimtare edhe në Maqedoninë e Veriut për krijimin e strukturës speciale anti-korrupsion, të quajtur Prokurori Speciale për Ndjekjen e Veprave Penale, që lidhen me Përgjimet e Paligjshme. Puna e këtij institucioni të ri që kishte mbështetje shumë të madhe perëndimore, çoi në urdhrin e dhënë për arrestimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkrahur edhe krijimin e Byrosë për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci apo siç e quajnë ndryshe atje, USKOK, si dhe një strukturë të ngjashme antikorrupsion edhe në Rumani me emrin Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit.

USKOK-u në Kroaci ka çuar në gjyq mbi 2000 personalitete dhe si rrjedhojë janë dënuar mbi 95% për të të gjithë të akuzuarve. Ndër të dënuarit ka qenë edhe ish-kryeministri Ivo Sanader.

Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit në Rumani, po ashtu, ka bërë padi për rreth 12,300 zyrtarë, duke burgosur 23 ministra dhe ish-kryeministrin Adrian Nastase.

Pas një shtrirje të madhe të ndikimit amerikan kudo në rajonin tonë, si duket tashmë i ka ardhur radha edhe Kosovës.

Provo po ashtu

Vogel: Rezultati zgjedhor përcakton dinamikën e dialogut me Serbinë

Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë ishin model për Ballkanin Perëndimor, thotë Toby Vogel, ekspert …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.