Ndodhi në këtë ditë

Pse njeriu ka mjekër

Misteri pse njerëzit kanë mjekër mund të jetë zgjidhur së fundimi nga shkencëtarët, që sugjerojnë se ajo lidhet me shpikjen e gatimit. Një numër shpjegimesh të ndryshme janë ofruar për këtë pjesë “ekstra” të fytyrës, përfshirë edhe idenë se ajo ndihmon në tërheqjen e një partneri.

Mirëpo, kërkimet e reja duket se e hedhin poshtë këtë shpjegim. Një kërkim i fundit në Universitetin e Floridas shënon një përpjekje për të shpjeguar pse njerëzit, ndryshe nga primatët e tjerë, kanë mjekër. Autori James Pampush tregon se fakti që majmunët dhe shimpanzetë nuk kanë mjekër provon se ata mund të kenë evoluar pasi paraardhësit e njeriut janë ndarë në disa degë brenda familjes së primatëve.

Disa kanë argumentuar se në të shkuarën, zhvillimi i mjekrës mund të jetë një shembull i pastër i “ndryshimit gjenetik” pa qëllime evolucionare. Megjithatë, kërkimi i ri, i publikuar në Revistën e Evolucionit Njerëzor, sugjeron se për shkak se evolucioni i mjekrës ndodhi 77 herë më shpejt sesa ndryshimi gjenetik i përgjithshëm, ka pak gjasa që ai të ketë qenë rastësor.

Dr. Pampush ka llogaritur se mjekra filloi të krijohej diku midis 6 milionë dhe 200 mijë vjet më parë dhe gjasat më të mëdha janë që të jetë shfaqur rreth 2 milionë vjet më parë. Kjo mund të përkojë me kapërcimin e madh drejt inteligjencës humane, që çoi në ndryshime rrënjësore, përfshirë këtu shpikjen e gatimit. Evolucioni i mjekrës erdhi edhe si rezultat i ndryshimit të dhëmbëve njerëzorë, pasi nuk nevojiteshin më dhëmbë të fortë për të prerë mishin dhe bimët e gjalla.

“Ideja ime është se kjo ndodhi rreth 2 milionë vjet më parë, kur ndodhi ndryshimi në trurin njerëzor. Ne kaluam në një dietë më të lehtë, për të cilën nuk nevojiteshin më dhëmbët e mëdhenj”, tha Dr Papush për “Independent Sunday”, raporton “Daily Mail”. “Mendojmë se ndryshimet që çuan përfundimisht në krijimin e mjekrës lidhen direkt me gatimin dhe në mënyrë indirekte me zmadhimin e trurit dhe trupit”, ka shtuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.