Pse estonezët janë të mirë në testet botërore

Estonia është fuqia më e re arsimore e Evropës. Ajo ua ka kaluar shteteve kryesore evropiane në testet botërore, përfshirë Britaninë e Madhe.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Në testin PISA maten aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë për t’i zbatuar njohuritë dhe shkathtësitë e tyre në rastet e zgjidhjes së problemeve në jetën e përditshme në fushat e të kuptuarit të leximit, matematikës dhe shkencave.

Në rezultatet e testit PISA për vitin 2016, Estonia e kishte zënë vendin e tretë në fushën e shkencave, ndërsa Britania e Madhe ishte në vendin e pesëmbëdhjetë. Në të kuptuarit e leximit, Estonia ishte e gjashta, Britania e njëzetedyta.

Shpenzimet e Britanisë në fushën e arsimit janë relativisht të larta në krahasim me shpenzimet mesatare të shteteve më të mëdha, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për shtetin e vogël të Baltikut.

Edukimi fillon nga mosha 3-vjeçare

Orari ka mbaruar dhe tash është koha për t’u larguar nga kopshti “Kelmikula”, në kryeqytetin Tallin. Nënat Kristin Talvik dhe Elvira Uustalu i kanë fëmijët gjashtëvjeçarë në grupin e fëmijëve më të rritur.

Kjo nënkupton që ata do ta fillojnë shkollimin e detyrueshëm vitin e ardhshëm, prandaj prindërit mbështetet në kopshte për t’i përgatitur fëmijët.

Pothuajse të gjithë fëmijët në Estoni fillojnë të shkojnë në kopsht që nga mosha trevjeçare.

Prindërit duhet t’u paguajnë 80 euro në muaj  për një fëmijë.

“Të gatshëm për të mësuar”

Kopshtet presin që fëmijët të mësojnë përmes lojës së udhëhequr nga mësuesit, ndërsa mësimi më formal fillon në një fazë të mëvonshme.

Elvira thotë se shkollimi është i rëndësishëm, por është gjithashtu e rëndësishme që ky proces të bëhet në atë mënyrë që t’i kënaqë fëmijët.

Kjo është pika ku Estonia fillon ta shtojë arritjen e të gjithë fëmijëve, duke u siguruar që sa më shumë prej tyre të jenë të gatshëm fizikisht dhe psikikisht për mësim.

Menagjerja e kopshtit, Riina Lall, thotë se fëmijët nuk i notojnë me nota kur e përfundojnë përgatitjen.

“Fëmijët pajisen me kartën e gatishmërisë shkollore, në të cilën përshkruhen shkathtësitë e tyre, zhvillimi i tyre dhe ato për të cilat kanë më shumë nevojë”, thotë ajo.

Kjo është një botë krejt ndryshe nga Anglia, ku fëmijët e moshës së ngjashme përgatiten për t’iu nënshtruar testeve kombëtare në klasë të parë dhe të dytë.

Sistemi estonez është goxha më i ndryshëm, por nxënësit e moshës 15-vjeçare kanë performancë dukshëm më të mirë se Britania e Madhe në secilin sektor të testit PISA.

I synojnë standardet e vendeve nordike

Mësuesit estonezë e kanë një nivel relativisht të lartë të lirisë për të ndërmarrë rreziqe gjatë hartimit të mësimeve.

Rando Kuustik, drejtor i një gjimnazi në kryeqytet, thotë: “Mendoj se mësuesit janë arsyeja kryesore e rezultateve tona të mira. Ata kanë liri për t’i hartuar mësimet e tyre dhe nxënësit kanë vullnet për të mësuar”.

Kur Estonia e fitoi pavarësinë nga Rusia, e mori Finlandën si shembull për ide arsimore.

Ministra e arsimit dhe kërkimit, Mailis Reps, thotë se Estonia i ka synuar standardet nordike dhe se ato kanë një kosto.

Përpos kopshteve, prindërit nuk kanë nevojë të paguajnë për shkollimin e fëmijëve.

“Falas në Estoni vërtet nënkupton falas. Nuk keni nevojë të paguani për libra, nuk keni nevojë të paguani për ushqimin në shkollë, nuk keni nevojë të paguani për transportin e fëmijëve”, thotë ministrja.

Shkollim elektronik për të gjithë

Nxënësit estonezë po rriten në një ekonomi ku inovacioni digjital është në rend të parë.

Procesi i votimit në zgjedhjet e përgjithshme në këtë shtet kryhet përmes internetit.

Martini, një nxënës estonez, tregon se në shkollë e ka një sistem elektronik ku i bën detyrat e shtëpisë dhe notohet nga mësuesit.

Edhe librat merren në mënyrë elektronike dhe kjo shërben si ndihmë për sasinë e madhe të punës që i pret në shtëpi.

Sidoqoftë, një sfidë për arsimin e Estonisë është pensionimi i mësuesve. Pavarësisht kërkesës për mësues të rinj, një numër i pamjaftueshëm i të rinjve po e zgjedhin këtë profesion, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!