Protestuesit bllokojnë magjistralen Prishtinë-Pejë

Protestuesit kundër dënimit të grupit Drenica kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Pejë.

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Drenas, së bashku me disa qytetarë në shenjë proteste për dënimin e grupit Drenica kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Pejë, në fshatin Komoran.

Bllokimin e ka konfirmuar  edhe kryetari i organizatë së veteranëve të luftës së UÇK-së, në Drenas, Enver Hajdari, i cili tha se bllokimi është bërë për në shenjë të padrejtësive që po bën EULEX-i, njofton RTK në portalin në internet.

Ndërkohë, janë krijuar kolona të gjata të veturave.

protesta skenderaj

Më heret një protestë është mbajtur në Skënderaj. Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, për dënimin e Sami Lushtakut, Sylejman Selimit dhe ish-pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, mijëra qytetarë të Skenderajt, sot që nga ora 8 e mëngjesit kanë filluar një protestë në rrugët e Skenderajt.

Qytetarët në duar mbanin pankarta me thirrje kundër dënimit të ish komandantëve dhe kundër EULEX-it.

Ata bënin thirrje kundër dënimeve, sipas tyre, të padrejta që u bënë dje nga Gjykata në Mitrovicë.

Protesta e sotme është organizuar nga Shoqata e dala nga lufta dhe punëtorët e administratës komunale, ku me pasë janë bashkuar edhe shumë qytetarë.