Protesta në SHBA pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd

Vdekja e një burri afrikano-amerikan në pranga, që humbi jetën ndërsa një oficer i bardhë policie, i bllokonte frymën duke mbajtur gjurin në grykën e tij, ka shkaktuar protesta në gjithë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump tha se mbështet protestat paqësore por se nuk do të lejojë situatën “të degradohet më tej në anarki dhe kaos të paligjshëm”, njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara.

Protestat vazhduan të premten në Mineapolis të Minesotës, për vdekjen e George Floyd-it. Floyd, një afrikano-amerikan vdiq më 25 maj pasi një një oficer i bardhë policie kishte mbajtur gjurin në qafën e tij për mbi tetë minuta.

Floyd ishte nën pranga dhe i paarmatosur dhe mund të dëgjohet të lutet për jetën e tij, duke thënë “nuk marr dot frymë”.

Oficeri Derek Chauvin është arrestuar dhe mbi të janë ngritur akuza për vrasje.

Presidenti Donald Trump ka kërkuar përshpejtimin e hetimit për vdekjen e Floyd-it. “Kemi protestues paqësore dhe unë e mbështes të drejtën për protesta paqësore. Nuk mund të lejojnë një situatë si ajo që ndodhi në Mineapoli të shkojnë më tej në anarki dhe kaos të paligjshëm”, tha ai.

Në një mesazh të premten që Twitter-i e konsideroi si “nxitje të dhunës”, zoti Trump shkruante se nëse ishte e nevojshme do të dërgonte ushtrinë.

Ai tha gjithashtu se “kur fillojnë plaçkitjet, fillojnë të shtënat”, një frazë e përdorur në vitet ’60 nga një oficer policie në Majami, i akuzuar për metoda raciste.

Kritikët akuzojnë zotin Trump se po nxit dhunë.

“Ai po nxit ndasitë racore. Kemi qenë në një situatë shpërthyese e cila është keqësuar kur ai mori detyrën në vitin 2016. Mund të themi që kemi qindra vjet me këtë situatë, që ai po e ndez më tej”, thotë Keith Mayes, porfesor i marrëdhënieve racore në Universitetin e Minesotës.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz e pranoi dhimbjen dhe ankthin e komunitetit me ngjyrë, por bëri thirrje për ndalejne plaçkitjes dhe dhunës. “Nuk mund ta pranoj se nuk funksionojmë dot si shoqëri dhe nuk dua të largohet vëmendja nga njolla që duhet të heqim, që është ajo që ndodh kur ka racizëm të institucionalizuar që lejon trajtimin e tillë të një njeriu në mes të ditës”, tha ai.

Protestat janë përhapur në gjithë vendin.

“Dikur, varnim një flamur në dritare për të treguar se dikush tjetër ishte linçuar. Ka ardhur koha të bëjmë të njëjtën gjë në median sociale, për të thënë: nuk duam të vdesim më”, thotë Derrick Johnson, President i Shoqatës Kombëtare për Avancimin e Personave me Ngjyrë.

Kandidati demokrat për President, Joe Biden nga shtëpia e tij në Delaware tha se pas vdekjes së Floyd-it ishte “plaga e hapur” e racizmit të vazhdueshëm. “Nuk mund të shohim nga ana tjetër. Nuk mund të heshtim. Nuk mund t’i dëgjojmë më fjalët ‘nuk marr dot frymë’ dhe të mos bëjmë asgjë”, tha ai.

Numri i protestuesve në afërsi me njëri-tjetrin në gjithë Shtetet e Bashkuara, ka ngritur shqetësime se grumbullimet e mëdha do të shkaktojnë një rritje të rasteve me koronavirus në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.