Ballina / KOSOVA / Prokuroria Speciale e Kosovës i ka ngritur aktakuzë një gruaje të kthyer nga lufta në Siri

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka ngritur aktakuzë një gruaje të kthyer nga lufta në Siri

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka ngritur aktakuzë N.H., e cila në vitin 2014 “u është bashkuar grupeve terroriste në Siri”.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se aktakuza është ngritur për shkak se N.H. ka kryer veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

E akuzuara dyshohet se me dashje ka udhëtuar drejt Sirisë, ku është bashkuar me grupet terroriste, si Shteti Islamik dhe Al Nusra.

Ajo është në mesin e dhjetëra grave të kthyera nga Siria në Kosovë, në muajin prill.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.H., me dashje direkte që nga data 26.09.2014, ka kaluar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, në drejtim të shtetit të Maqedonisë (së Veriut) për në Turqi dhe më pas ka përfunduar në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak, me qëllim që t’iu bashkëngjitet grupeve terroriste ISIS dhe Al Nusra”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Petrit Tahiri nga Qendra Kosovare e Edukimit, i pyetur nga InfoGlobi nëse Kosova është duke iu qasur siç duhet ri-integrimit të të kthyerve nga vatrat e luftës, konsideron se në aspektin legjislativ po, mirëpo mungon një qasje e përbashkët institucionale.

“Shpeshherë, mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit të institucioneve në nivel qendror dhe lokal, madje, mungesa e bashkëpunimit edhe brenda mekanizmave komunal, prolongon dhe vështirëson procesin. Po ashtu, duhet theksuar që kjo sfidë nuk është vetëm detyrë e institucioneve, nevojitet një mobilizim shoqëror për të krijuar ambient sa më të favorshëm për integrimin e tyre. Pra, bashkëpunimi me OShC-të dhe komunitetin është shumë i rëndësishëm”, tha Tahiri për InfoGlobin.


Petrit Tahiri, Qendra Kosovare e Edukimit

Në fillim të muajit shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” Merita Aliun, e cila po ashtu është njëra prej grave të kthyera.

Aliu është dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim me kusht, pasi ka pranuar fajësinë, duke thënë se është penduar që ka shkuar në Siri.

E nxënësit e ri-atdhesuar duhet ti nënshtrohen disa obligimeve, ku rol të rëndësishëm kanë dëshmitë nëse nxënësit gjatë kësaj periudhe kanë vazhduar shkollimin, konsideron Tahiri.

“Pastaj duhet të bëhet baraz-vlefshmëria e shkollimit, nostrifikimi i dokumentacionit, regjistrimi apo ri-regjistrimi etj. Për këtë do të duhej një bashkëpunim i shtuar kros-sektorial ku do të përfshiheshin edhe mekanizmat në nivel qëndron të krijuara nga MASHT dhe MPB, por edhe ato lokal. Po ashtu, një rol shumë të rëndësishëm do të kenë edhe OJQ që merren me këtë fushë”, thotë ai.

Ai, konsideron se vendimi për përfshirjen e fëmijëve të kthyer nga Siria në sistemin shkollor është i drejtë dhe në linjë me obligimet ligjore që kanë institucionet.

Ndërsa, për sa i përket menaxhimit,ai beson se do të duhej të organizohej më mirë. “Sipas mendimin tim, duhet të ketë kujdes të shtuar për mënyrën e organizimit të procesit të integrimit, duke shmangur maksimalisht margjinalizimin dhe segregimin e tyre. Pra, është shumë evidente që këta fëmijë kanë nevojë për trajtim më specifik, por, p.sh. nëse ne organizojmë transport të veçantë për këta fëmijë, atëherë kam dilemë nëse një mase e tillë do ti kontribuonte integrimit të tyre”, thotë ai.

Në prill, institucionet e Kosovës kanë kthyer nga Siria 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë që kanë luftuar për grupin militant Shteti Islamik, 74 fëmijë dhe 32 gra.

Pas marrjes në pyetje nga hetuesia, shumicës së grave u është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Shumica prej tyre ende e kanë të shqiptar këtë masë./InfoGlobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.