Ballina / RAJONI / Profil: Zaev, një sjellje evropiane ndaj refuzimit evropian

Profil: Zaev, një sjellje evropiane ndaj refuzimit evropian

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, sipas shumë raportimeve në media, mund të jetë drejt dorëheqjes, pasi Bashkimi evropian nuk i çeli negociatat me Maqedoninë e Veriut. Madje, Agjensia e njohur italiane e lajmeve, Ansa, në drekë shkroi se shefi i qeverisë së Shkupit, është larguar. Mirëpo zyrtarisht nuk ka asnjë njoftim që e konfirmon. Sipas Zërit të Amerikës, zhvillime politike ka në këtë drejtim.

Opozita atje ka kërkuar dorëheqjen e Zaev, dhe të hënën presidenti ka thirrur një tryezë mes partive. E gjitha kjo, nuk ndodh papritur, por sepse vetë Zaev ka deklaruar se nëse nuk ka një vendim pozitiv nga Brukseli, ai do të rishihte pozicionin e tij. Fakti që kryeministri i Maqedonisë së Veriut e mendon këtë si qasje, e kalon nëpër kokë si ide, edhe në mos ndodhtë, është një zhvillim mjaft i madh, po të kemi parasysh politikën ballkanike.

Gazeta Mapo e Tiranës vë në dukje se patjetër është një kontrast i plotë, i thellë me Edi Ramën. Krahasimi i Zaev me kryeministrin e Shqipërisë, është thjesht i pashmangshëm. Pasi të dy ishin në të njëjtën skenë këto kohët e fundit, dhe sidomos 72 orët që lamë pas. Vendimi ishte negativ për të dy vendet, e megjithatë pati zëra që kërkonin ta veçonin Shkupin nga Tirana, pasi vlerësonin se atje, janë kryer më shumë reforma.

Krejt ndryshe nga Zaev, në kokën e Edi Ramës qarkullojnë plot ide, reagime, justifikime, sulme po të duash, po në asnjë dekikë, nuk lëviz, nuk nxjerr krye mendimi për të mbajtur përgjegjësi, për të pranuar dështimin, për t’iu kthyer mandatin qytetarëve, të cilët lypset të thirren për të votuar, për të dhënë verdiktin e tyre sovran lidhur me qeverisjen dhe këtë moment.

Mund të jetë një rast ekzemplar, për t’u studiuar ndoshta në tekstet e shkollave politike, se si një kryeministër që nuk merr 3 herë radhazi miratimin e BE-së për reformat, thotë se fajin e ka çdokush tjetër në planet, përpos atij. Pra, asnjë shenjë llogaridhënieje. Ngjeshur pas karriges së pushtetit, si të jetë në një lidhje organike dhe biologjike me të, a thua se largimi do të ishte njësoj me një kataklizëm.

Kur merr një goditje, kur të ndodh një mosarritje në politikë, një disfatë, ajo çka përcakton rrugën e ngritjes dhe rikthimit, është mënyra se si reagon. Vendimi i Bashkimit evropian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë është cilësuar nga shumëkush si i padrejtë dhe shkurajues. Po ka disa përgjigje që vijnë nga kjo qoshe e evropës ku jetojmë.

Zaev i përgjigjet refuzimit evropian, me një mënyrë saktësisht evropiane. Ai ndihet përgjegjës, llogaridhënës dhe dendur po qarkullon lajmi se ka ndërmend të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Kjo është një arritje në politikë. Është një standard evropian. Është patjetër një investim për të ardhmen e vendit, pasi duke manifestuar vlera si këto, Maqedonia e Veriut patjetër që bën një hap të sigurt drejt vendimit tjetër që do të merret për negociatat nga BE, me 20 maj të vitit 2020, në samitin e Zagrebit.

Në të kundërt, përgjigja që i vjen vendimit të BE, nga Shqipëria, është tipike ballkanike, lindore, despotike. Kur pyetet Rama për mundësinë e dorëheqjes, e trajton këtë si një çështje që nuk meriton më shumë se ironi e përqeshje.

Dukshëm, Zaev që ka arritur më shumë suksese se Rama në vetëm një vit, arritje të njohura e vlerësuara nga evropa, prapë vendos parimet e standardet para pushtetit personal. Parimet, standardet, vlerat evropiane, për fat të keq tek ne, vijnë pas interesit dhe pushtetit personal.

Nuk është këtu fjala vetëm për të shkuar në zgjedhje. Po për të treguar përmes atij procesi, një standard, një kriter tjetër të përmbushur, nga më të rëndësishmit që kërkon integrimi evropian.

Nisur nga përpjekjet e mëdha, nga marrëveshja historike me Greqinë fqinje, dhe fakti se prapë këto nuk mjaftuan, Zaev shpreh vullnetin për të shkuar para qytetarëve e për të kërkuar votëbesimin e tyre, dhe kjo e bën atë patjetër favorit nëse do të ketë zgjedhje të reja të parakohshme. Shto këtu edhe raportimet e të dhënat se nën qeverisjen e tij, Maqedonia e Veriut ka patur rritje ekonomike, thithje të investimeve të huaja, dhe raste suksesi të drejtësisë dhe ndëshkimit të zyrtarëve të lartë.

Ndërsa në të kundërt, Edi Rama për shkak të një keqqeverisje të gjatë, për shkak të problemeve të mëdha ekonomike dhe të varfërisë, e di mirë se rezultati, në një palë zgjedhje të parakohshme nuk do t’i buzëqeshte. Dhe ndaj nuk e çon nëpër mend, edhe pse me zgjedhje, të mbajtura të rregullta, pa manipulim, por me votë të lirë e të ndershme, mund dhe do të fitonte Shqipëria.

Jo shumë larg nesh, këtë standard e aplikoi Kosova. E cila është shtet, prej jo më shumë se 11 vitesh. Ramush Haradinaj dha dorëheqjen, dhe e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, edhe pse nuk ishte i detyruar ta bënte. Ai u largua për standard moral. Dhe dihej mirë se nuk qe aspak favorit në provën elektorale që pasoi. Haradinaj humbi, por Kosova fitoi shumë. Mbarë bota ja njeh si arritje faktin që bëri zgjedhje të lira e të ndershme, dhe që shkoi në ballafaqim elektoral pas thirrjes që i bëri Haga sërish kryeministrit, edhe pse ajo doli jo relevante. Pra, në çdo drejtim, u dëshmua se ajo është një demokraci e gjallë dhe funksionale.

I vetmi vend në këtë cep të botës që me gjithë problemet me krimin, me drogën, me vjedhjen e votës, me mosarritje e dështime spektakolare, nuk e çon ndërmend të aplikojë thelbin e demokracisë, që është llogaridhënia dhe shkuarja para qytetarëve për të kërkuar konsensusin e tyre përmes votës, jemi ne. Dhe kjo, padyshim falë Edi Ramës, shkruan Gazeta Mapo.

Provo po ashtu

Vuqiç: ShBA-së i intereson vetëm pavarësia e Kosovës, pres qëndrimin e BE-së

Kosova është një shtet i pavarur për Shtetet e Bashkuara, ata nuk janë të interesuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.