fbpx
agjensioni i privatizimit

Privatizimi nuk ka dhënë efekte pozitive në zhvillimin ekonomik të vendit

Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, i filluar vite më parë, nuk ka dhënë efekte pozitive në zhvillimin ekonomik të vendit. Për më shumë, ky proces ka rezultuar me shkurtim të vendeve të punës. Kështu thonë përfaqësues të partive politike si dhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, të cilët potencojnë se disa prej ndërmarrjeve të privatizuara, u është ndërruar veprimtaria.

Shumë prej ndërmarrjeve të privatizuara në Kosovë, janë shndërruar në diskoteka. Dardan Sejdiu nga Partia Social Demokrate, thotë për Radio Kosovën, se privatizimi është nisur me idenë e rimëkëmbjes së atyre ndërmarrjeve. Por siç thotë Sejdiu, ka ndodhë e kundërta. Privatizimi nuk ka rezultuar me hapjen e vendeve të punës.

“Që nga viti ’99 kur edhe është filluar diskutimi se çfarë do të bëjmë me asetet shoqërore, qasjen e kemi pas të gabuar, meqë nuk kemi menduar për revitalizimin e tyre, por për heqjen qafe nga to, shitje ne tyre me idenë që investitorët e huaj vinë. Pas disa vitesh kemi parë që investitorët nuk kanë ardh, potenciali për revitalizim industrial është shkatërruar dhe kemi përfunduar në hipermarke, diskoteka apo hekurishte. Një industri e cila bazohet në tregëti dhe shitje, nuk ndërton vende të reja të punës dhe nuk sjell investime të huaja”.

Deputetja nga radhët e AAK, Donika Kadaj- Bujupi thotë për Radio Kosovën se ky proces në disa raste duhet të rivlerësohet.

“Konsideroj sa ka pas shumë mangësi me përjashtime, ku disa ose një numër jo shumë i madh kryesisht hoteleri kanë rezulto si privatizime të suksesshme. Në përgjithësi privatizimi në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar dhe është proces që në disa raste duhet edhe të rivlerësohet”.

Edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, thotë për Radion tonë se privatizimi në Kosovë ishte një proces i egër që u bë pa kurrfarë analize.

“Pa zhvillim ekonomik as familja nuk mund të mbahet. Jo që u hapën vende të punës, por u zvogëluan vendet e punës, u shuan totalisht. Ne nuk kemi parë fitime nga privatizimi, por kemi parë vetëm humbje. Sot në punë nuk janë 70 për qind por janë 50 për qind dhe atë më shumë në sektori privat. Sektori privat i ka shfrytëzuar punëtorët me një kapacitet jashtëzakonisht të madhe po duke u dhënë shumë pak punëtorëve. Punëtorët të cilët janë duke punuar në sektorin privat nuk janë duke e marr as pagën minimale”.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka arritur të identifikoj 597 ndërmarrje shoqërore, me gjithsej 3 mijë e 932 asete. Prej tyre deri më tani janë privatizuar rreth 50 për qind e pronave apo aseteve shoqërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.