fbpx
FMN

Prioritetet e qeverisë nuk i cakton FMN-ja

Buxheti për vitin 2014 nuk ka nevojë për paratë e privatizimit të aseteve publike.  Është me rëndësi se ai respekton rregullën fiskale të miratuar kohët e fundit nga Parlamenti i Kosovës për një deficit jo më të lartë se 2% të GDP-së si dhe ruajtja e nje bilanci bankar në fund të vitit prej 4.5% e GDP-së

Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë, Jose Sulemane, që prej fillimit të mandatit të tij në Prishtinë ka bërë përpjekje për krijimin raporteve konstruktive me Qeverinë e Kosovës. Ai është fokusuar në ofrimin e ndihmës për të ruajtur qëndrueshmërinë makrofiskale në mënyrë që shteti i ri të mos arrijë në pikën kur nuk mund të bëjë pagesa nga buxheti. Madje, është përvojë e kaluar ajo kur për shkak të rritjes së pagave përtej kufijve të caktuar në vitin 2011 u prish marrëveshja me FMN-në. Tash është krijuar një bazë e re e raporteve, sipas së cilës, FMN-ja pajtohet për te gjtha politikat dhe projektet, për të cilat qeveria fillimisht ka përllogaritur koston dhe ndikimin e tyre në buxhet. Duke pasur parasysh këtë, ka mbështetur rritjen minimale të pagave për vitin 2014 si dhe fillimin ndërtimit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, meqenëse asnjëra prej tyre nuk rrezikojnë qëndrueshmërinë e buxhetit. Në intervistën për revistën “Ekonomia”, z. Sulemane shpalos edhe vizionin për Kosovën më të zhvilluar si dhe drejt proceseve integruese.

FMN-ja ndihmon qeverinë

EKONOMIA: Z. Jose, duket se raportet  e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar kanë hyrë në një fazë të qetë. Çka ndikoi në relaksimin kësaj gjendjeje, kur dihet se kohë më parë ato ishin të çrregulluara për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovës që të respektojë marrëveshjen e arritur?

Sulemane: Së pari, Kosova është anëtare e plotë e FMN-së. Së dyti, si anëtare, ajo përfiton të gjitha të mirat të cilat janë në dispozicion si për të gjithë të tjerët. Së treti, si rregull, është një proces bashkëpunues mes qeverisë dhe stafit të FMN-së,  ku shkëmbimi i rregullt i pikëpamjeve vendoset për të gjetur pika të përbashkëta për ta ndihmuar vendin që të përparojë në agjendën e reformave dhe zhvillimit ekonomik. Së fundmi, ne duhet ta kuptojmë situatën politike të një vendi në mënyrë që të gjejmë format për të mbajtur lidhjet normale,  përderisa Kosova po integrohet gjithnjë e më shumë në sistemet  e organizatave ndërkombëtare. Në këtë kontekst, do të doja të përmendja që në 2010/2011 marrëveshja e parë Stan-by e ndihmës doli nga kontrolli për shkak të ndryshimeve të mëdha të politikave, me propozimin për rritje të pagave në atë kohë, që nuk isht e mundur të përshtatej me kornizln e harmonizuar tl  masave. Por, që prej atëherë Qeveria filloi një Program Monitorues nga stafi dhe tani është duke u kompletuar edhe  marrëveshja  20-mujore stan-by dhe që të dyja janë implementuar suksesshëm…

EKONOMIA: A mund të themi se tash ekziston një gatishmëri më e madhe nga ana e Qeverisë së Kosovës që të pranojë vërejtjet dhe sugjerimet që vijnë nga FMN-ja?

Sulemane: Ne duhet ta kuptojmë që Kosova është shtet i ri, ende është duke i ndërtuar institucionet e saj dhe duke i rritur kapacitetet njerëzore. Unë mund të them se përderisa Qeveria i përmirëson kapacitetet e saj, shkëmbimi i mendimeve dhe diskutimi i politikave bëhet edhe më pozitiv.

EKONOMIA: Po përmendim një detaj që mund të shënojë momente të reja në këto relacione. Më herët kishte vërejtje se Qeveria e Kosovës nuk mund të fillojë  autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, derisa nuk e privatizon PTK-në? Së voni, u arrti pajtimi që të fillojë autostrada, të bëhet ngritja e pagave pa privatizuar këtë aset. Çfarë ka ndikuar në ndryshimin e këtij qëndrimi?

Sulemane: Është e rëndësishme ta qartësojmë këtë çështje, pasi i kam vërejtur disa interpretime për sa i përket kësaj. FMN-ja nuk vendos për prioritetet e qeverisë. Roli kryesor i FMN-së është t’i ndihmojë qeverisë të vendosë politikat dhe projektet përbrenda një kuadri fiskal të qëndrueshëm, jo vetëm në afat të shkurtër, por edhe në atë të mesëm e të gjatë. Në këtë çështje për autostradën në drejtim të Hanit të Elezit, parakushti për të hyrë në marrveshje  kontraktuale, ishte që në llogarinë e buxhetit të ketë së paku 300 milionë euro. Ta rikujtojmë këtë që në Letrën e Qëllimit të mirë, e cila është pjesë e marrëveshjes stan-by, kërkohej të ndiqen disa hapa para se të nënshkruhej kontrata për rrugën 6: një studim i fizibilitetit; proces i hapur dhe transparent i prokurimit; duke i kërkuar ofertuesit të paraqesin alternativat që do të jenë me kosto më efikase për qeverinë, dhe nevoja për të pasur para të mjaftueshme në llogarinë e qeverisë. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se ky është një projekt madhor, do të kërkojë shumë resurse financiare për më së paku katër vjetët e ndërtimit dhe është një barrë e madhe për buxhetin. Për këtë arsye është e nevojshme kujdes i veçantë gjatë këtij procesi. Një aspekt tjetër, gjendja e parasë së gatshme e parandaloi fillimin e R6 në 2013, përderisa qeveria po e përfundonte R7 në të njëjtën kohë. Me përfundimin e R7, tani ka një hapësirë fiskale në vitin 2014 për R6.

 Shpenzimet i përballon ky buxhet

EKONOMIA: A do të thotë se pas përfundimit të autostradës Vërmicë – Besi buxheti i Kosovës ka hyrë në “ujëra më të qeta”?

Sulemane: Mesazhi im këtu është se, kur ka filluar ndërtimi autostradës Vërmicë-Besi, financat publike nuk ishin të qëndrueshme. Rruga 7 ka qenë nje projekt i madhe që ka apsorbuar financiat publike, por që në kontekst të marrveshjes stand-by, situata fiskale është sjellë nën kontroll. Mesazhi kryesor këtu është se, përderisa projekti ishte duke u realizuar, qeveria nuk u fut në borxh dhe deficiti fiskal ishte nën kontroll. Dhe ky parim duhet të mbahet – të ketë qëndrueshmëri të financave publike, si në afat të shkurtër, po ashtu dhe në periudhën afatmesme.

EKONOMIA: Projeksioni i buxhetit për vitin 2014 parasheh një shpërndarje të parasë në kategori që nuk premtojnë zhvillim. Shpenzimet kapitale janë 15 për qind më të vogla, ndërsa është rritur shuma për paga, mallra e shërbime dhe subvencione. A është kjo qasje e qëndrueshme për sa i përket stabilitetit makroekonomik të vendit?

Sulemane: Gjëja e parë për theksim është përgjegjësia e qeverisë për t’i definuar prioritetet e saj. E dyta është se për çfarëdo prioriteti që ajo vendos, është e nevojshme që të jetë në korniza të qëndrueshme të buxhetit. Për çdo projekt, apo masë politike, duhet të vlerësohet kostoja fiskale para se të përfshihet në buxhet. Po të shikojmë buxhetin e vitit 2014, në përgjithësi, ai ndjek rregullën fiskale të miratuar kohët e fundit: deficiti buxhetor jo më shumë se 2% e GDP-së dhe bilanci i parasë së qeverisë në fund të vitit të jetë 4.5% e GDP-së. Tani, disa këshilla, kur bëni krahasimin e shifrave buxhetore. Ju lutem që të keni kujdes të përmendni “on-offs”, d.m.th.,  disa zëra që shfaqen një herë dhe nuk vijnë përsëri në këto buxhete, në mënyrë që të bëhen krahasimet ekuivalente. Gjithashtu, duhet pasur kujdes në krahasimin e zërave.  Për shembull, ju u referoheni shpenzimeve kapitale që janë 15% më të ulëta. Këtu jeni duke e krahasuar buxhetin e vitit 2014 me atë të vitit 2013, por do të ishte më mirë që të bëhej krahasimi i buxhetit te vitit 2014 me shpenzimet e vlerësuara për 2013. Çështja kryesorë këtu, në rastin e R6 dhe në mënyrën që është strukturuar dhe planifikuar, është barrë më e vogël sesa R7-shi. Për vitin 2014 shpenzimet kapitale jashtë autostradës janë duke u rritur. Gjithashtu, shpenzimet kapitale si pjesë e GDP-së janë më të mëdha në krahasim me vendet e tjera në rajon.
Tjetër çështje është se si përbrenda institucioneve vendore diskutohen projektet dhe politikat, duke marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme të palëve të interesuara, si pjesë të procesit demokratik. Por, kjo është një çështje ku FMN-ja nuk është e përfshirë dhe nuk është në mandatin e tij. Këtu do ta këshilloja parlamentin, shoqërinë civile (mendimtarët akademikë, institucionet e sektorit privat, dhe shoqërinë në përgjithësi) që të kenë më shumë diskutime të hapura dhe racionale mbi çështje të ndryshme për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, institucionet vendore mund të përdorin ekspertizën e institucioneve ndërkombëtare për të ndihmuar ata në këtë diskutim të hapur.

EKONOMIA: Po ashtu, Qeveria e Kosovës synon, apo ka rezervuar fonde për rritjen e pagave, si edhe për kategoritë e dala nga lufta dhe ish-të burgosurit politikë. A do të jetë ky një shkas për presion të mëtejmë ndaj buxhetit nga kategoritë e tjera sociale? Deri ku mund ta përballojë buxheti këtë presion?

Sulemane: Mendoj se në përgjigjen e mëparme jam munduar ta vë kornizën e diskutimeve të politikave të brendshme në perspektivë. E rëndësishme është se gjithmonë duhet ta dini ndikimin e vlerësimit fiskal në çdo politikë, përpara se ajo të merret. Nëse kjo nuk është bërë, atëherë buxheti do të ballafaqohet me sfida të mëdha. Rritja e pagave duhet të jetë modeste. Përveç kësaj, është kritike se si të burgosurit politikë dhe veteranët e luftës të paguhen plotësisht. Është një limit, i cili mund të përballohet. Buxheti i vitit 2014 ka 15 milionë euro për të dyja qëllimet.

 Kosova po rritet 

EKONOMIA: Ndarjet e tilla po ndodhin në kohën kur zhvillimi ekonomik ende është i ulët (rreth 3 për qind), kurse bilanci tregtar është ende i madh (rreth 50 për qind të BPV-së). Në këto rrethana, a po rrezikohet qëndrueshmëria e buxhetit?

Sulemane:  Kosova po rritet me normë rreth 3% në vit, e cila është performancë relativisht e mirë, në qoftë se e krahason me vendet e tjera të rajonit. Pastaj, duhet ta kujtojmë se ekonomia botërore është në gjendje krize tash e sa vjet. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Kosova ka potencial të rritet edhe më shpejt, por kjo kërkon përmirësim në konkurrencë, të mjedisit biznesor dhe zhvillimi i sektorit të prodhimit të brendshëm e bën të mundshëm përballimin e sfidave në raporte me botën për ta përmirësuar deficitin tregtar. Gjithashtu, Kosova ka popullatë të re, një aset i rëndësishëm për zhvillim të mëtutjeshëm të vendit. Për këtë arsye, qëndrueshmëria e buxhetit do të varet nga aplikimi i Rregullës Fiskale, të bëjë vlerësime të përshtatshme për ndikimin fiskal të politikave dhe projekteve dhe ta zhvillojë një sektor të brendshëm produktiv dhe konkurrues. Me fjalë të tjera, secili buxhet është i qëndrueshëm përderisa është në  përputhje me rregullën fiskale.

EKONOMIA: Ngecje ka edhe te investimet e  huaja, kurse po vonohen shumë projekte kapitale, siç është ndërtimi i TC “Kosova e Re”. Me këto probleme, si edhe me një buxhet që më shumë stimulon segmentet sociale dhe zvogëlon investimet, si do të arrihet zhvillimi me normë 4,2 për qind, sa janë parashikimet ?

Sulemane: Përgjigjja ime e mëparshme prek çështjet kryesore që do të trajtohen në aspektin e të menduarit rreth perspektivave të rritjes dhe të investimeve në sektor me ndikim të madh në procesin e zhvillimit të Kosovës. Ju jeni duke u fokusuar në disa çështje që nuk janë fusha të ekspertizës së FMN-së. Këto më mirë është të ngrihen me institucionet, si Banka Botërore, apo agjenci të ngjashme të tjera.

 Buxheti 2014 pa paratë e PTK-së

EKONOMIA: A  e ndërlikon çështjen edhe më shumë komplikimi i procesit të privatizimit të  aseteve publike, konkretisht PTK-së, si dhe mungesa e konsensusit rreth kësaj çështje?

Sulemane: Në perspektivën tonë, mënyra se si ne e diskutojmë politikën fiskale me qeverinë, nuk është e lidhur me rezultatet e privatizimit. Sido që të jetë, rregulla fiskale do të lejojë shpenzime më të larta në rast të ardhjes së mjeteve  nga privatizimi. Por, pika kyç është se buxheti i vitit 2014 nuk ka nevojë për të ardhura nga privatizimi. Ai  është i financuar i tëri edhe pa këto para. Ne nisemi nga kjo situatë dhe i zbatojmë disa rregulla themelore, të lidhura me deficitin fiskal, nivelin e borxhit publik dhe nevojën për vetadministrimin e parave publike, për të mbrojtur zonën fiskale si dhe stabilitetin e sektorit financiar. Me pak fjalë, në këtë kontekst qëndron edhe dialogu mes qeverisë dhe FMN-së.  Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se Rregulla Fiskale lejon që të gjitha paratë nga privatizimi duhet të përdoren për financimin e projekteve kapitale të realizueshme, si dhe mbajtjen e balanceve të qendrushme të Qeverisë, ashtu siç edhe parashihet me “Rregullën Fiskale”.

EKONOMIA: Çfarë ndihma mund të presë Qeveria e Kosovës nga FMN-ja dhe ku do të fokusohet kjo ndihmë?

Sulemane:  Kosova eshte anëtare e plotë e FMN-së, përfiton nga të gjitha fromat që FMN-ja ofron. Autoritetet kanë qasje në: a) Diskutimet e politikës, sipas të ashtuquajturave konsultime të Nenit IV, që është pjesë e mekanizmit të mbikëqyrjes, sipas neneve të Marrëveshjes me FMN-në; b) Asistencë teknike nga departamentet e veçanta të FMN-së, si dhe objekte të trajnimit të ofruara nga FMN-ja në Institutin e saj, si në Vjenë dhe në Uashington, c) asistencë financiare përmes mekanizmave të ndryshëm financiarë, të disponueshëm për të gjithë antarët; d) Eksperiencë, e cila do të jetë shumë e nevojshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës, duke përfituar nga përvojat e vendeve të tjera.

Dhe, së fundi, më duhet të shtoj se, për një vend të ri si Kosova, për disa nga vizionet e afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata për zhvillim, kusht është të kemi një mendim strategjik. Në këtë proces roli i qeverisë është që t’i definojë prioritetet në koordinim me palët e tjera të interesuara në shoqëri, si pjesë e procesit demokratik. Pikë e rëndësishme është shmangia e përdorimit të buxhetit për qëllime elektorale. Pastaj, projektet dhe politikat e përfshira në buxhet duhet të jenë me kosto të llogaritur më përpara dhe vlerësimi i ndikimit fiskal duhet të definohet për një horizont relativisht të gjatë, me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale. Në këtë kontest, duhet të krijohet një bazë e fortë për zhvillim, ndryshimet strukturale që do të ndodhin, kontributi për përmirësimin e të hyrave, me një distribuim më të mirë të tyre, duke e zhvilluar klasën e mesme dhe duke i mundësuar Kosovës që ta zërë hapin dhe shpejtësinë me nivelet e të ardhurave të vendeve në rajon, si edhe drejt integrimit evropian.

– See more at: http://revistaekonomia.com/sulemane-fmn-ja-nuk-i-cakton-prioritetet-e-qeverise/#sthash.E0NxDjwk.dpuf

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.