fbpx

Presidentja: Gjykata Speciale se gjykon luftën

Institucionet e Kosovës tashmë e kanë dëshmuar përgjegjësinë për këtë proces dhe mbesin të përkushtuara të përmbushin këtë obligim ndërkombëtar, që do të dëshmojë seriozitetin e Republikës së Kosovës si pjesëtare e përgjegjshme e arenës ndërkombëtare. Kështu ka thënë presidentja e vendit Atifete Jahjaga në takim me Stephen Rapp, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krime lufte.

Ajo u shpreh në këtë mënyrë duke folur për procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.

Presidentja Jahjaga e njoftoi Ambasadori Rapp për përmbylljen e procesit të shqyrtimit të amendamenteve nga Gjykata Kushtetuese që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të sigurojë një proces kredibil dhe të përgjegjshëm për t’u përballur me akuzat e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës.

Jahjaga theksoi se, duke u bazuar në rolin e saj kushtetues, do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha institucionet dhe grupet parlamentare e spektrin politik, të diskutojë përgjegjësitë dhe implikimet që dalin nga procesi i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila sipas saj nuk do të gjykojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, por do të përcaktojë përgjegjësinë individuale për akuzat e ngritura./Infoglobi.info