Ballina / KOSOVA / Presidenti dhe kryeministri në garë politike për dominim
thaci dhe haradinaj portret

Presidenti dhe kryeministri në garë politike për dominim

Kosova është Republikë parlamentare dhe pushtetet janë të ndara sipas Kushtetutës së vendit, por përzierja e kompetencave ekzekutive dhe rivaliteti i pushteteve tashmë janë bërë dukuri në vend dhe ato po deformojnë strukturën e sistemit politik, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se pushtetin faktik ekzekutiv në Kosovë e ka Qeveria e saj, përkatësisht kryeministri i vendit, e që në mandatin e tanishëm është Ramush Haradinaj. Por, sipas tij, kjo nuk po ndodhë dhe aktualiteti i tanishëm shpërfaqë situatën në të cilën presidenti i vendit, Hashim Thaçi, po synon t’i marrë përgjegjësitë dhe kompetencat që i kanë institucionet tjera, kryesisht ato që i ka kryeministri.

“Deri më tash unë kam parë që presidenti Thaçi vazhdimisht kërkon t’i marrë kompetencat, përgjegjësitë e kryeministrit, tash kur në krye të vendit është Haradinaj, por edhe në të kaluarën kur ishte (Isa) Mustafa, në mënyrë që ai të tregojë se është kryesori në këtë vend”.

“Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme, për shkak se bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës në aspektin praktik. Por, në anën tjetër, më e rëndësishme se sa kjo, bëhet fjalë për përzierje të kompetencave dhe imponim të fuqisë politike të dikujt, që në këtë rast është Thaçi, për ta përkthyer pastaj këtë në fuqi ekzekutive”, tha Mushkolaj.

Ngjashëm e përshkruan situatën edhe analisti tjetër, Artan Muhaxhiri. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin se ndërhyrja e pushteteve në kompetencat e njëra-tjetrës, janë pasojë e rivaliteteve politike që synojnë shpërfaqjen e fuqisë së pushtetit.

“Tentimi që nga një nivel autonom i pushtetit të ndërhyhet në një nivel tjetër autonom të pushtetit, është dëshmi për nivelin jo të kënaqshëm të kulturës politike në Kosovës dhe të mentalitetit politiktë liderëve tanë institucionalë. Kjo është një garë politike për dominim në pushtet edhe atëherë kur një gjë e tillë nuk bazohet në rregullat e një politike normale dhe standarde. Kjo bëhet për tu imponuar si faktor i pushtetshëm në opinion, në spektrin politik, mirëpo edhe në raportin e shtetit të Kosovës me ndërkombëtarët”, u shpreh Muhaxhiri.

Ndërkaq, analisti Mushkolaj thotë se shembujt praktik të ushtrimit të rivalitetit politik përmes përzierjes së kompetencave ose ndërhyrjes së njërit nivel të pushtetit në kompetencat e nivelit tjetër të pushtetit, ka pasur edhe kohët e fundit.

“Pavarësisht që nuk është pranuar një gjë e tillë, se ka qenë iniciativë e presidentit Thaçi, ta zëmë, intervenimi i para pak ditësh në veri dhe arrestimi i zyrtarit të lartë serb, Marko Gjuriq, në njëfarë forme u bë nën skenarin dhe nën organizimin e Thaçit. Kjo nuk do të duhej të ishte kështu, për shkak se ka qenë një aksion që do të duhej të ndërmerrej nga Policia me bekimin e institucionit përkatës, respektivisht të Ministrisë së Brendshme. Por, ka pasur edhe raste të tjera, në kuptimin edhe të shfaqjes publike, kur Thaçi ka provuar t’i marrë kompetencat e kryeministrit, pavarësisht që Kushtetuta nuk ja lejon një gjë të tillë dhe nuk do të duhej të ndodhte kështu”, tha Mushkolaj.

Analisti Muhaxhir thotë se ndërhyrje në kompetenca të njërit nivel në nivelin tjetër të pushtetit, ka pasur edhe me rastin e arrestimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, me 29 mars. Siç thekson ai, në vend se kreu i Qeverisë, Haradinaj të ishte i njoftuar me operacioni dhe më pas ai ta njoftonte opinionin lidhur me detajet, këtë e bëri presidenti Thaçi.

“Kjo nuk do të duhej të ndodhte, mirëpo është një shembull, ku në këtë rast presidenti ishte më i fuqishëm se sa Qeveria, në një domen dhe për një çështje, në të cilën do të duhej të ishte ashtu. Ndërhyrja nga një nivel në tjetrin ndodhë për dy arsye. Për shkak të ambicieve politike të njërës palë që të dominojë ndaj palës tjetër, por edhe për shkak se liderët e caktuar institucionalë e lejojnë këtë dhe nuk ndërmarrin masa që ndarjen e pushteteve ta bëjnë në mënyrë të prerë, ashtu siç edhe duhet të jetë”, theksoi Muhaxhiri.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, ndërhyrja e njërit nivel të pushtetit në kompetencat e nivelit tjetër, ndikon negativisht jo vetëm në çështjet aktuale politike në vend, por krijon precedent që edhe në të ardhmen të ketë ndërhyrje dhe përzierje të kompetencave, të cilat e dëmtojnë rëndë sistemin politik të vendit.

Check Also

mishi i prishur

Musliu: Të shtohet kontrolli në thertoret vendore

Kuvendi i Kosovës po debaton për skandalin e mishit në Kosovë, i thirrur nga deputetja …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *