shendetesia_QKUK_infoglobi

PRAK-u kërkon dorëheqjen e drejtorit të SHSKUK-së

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, pas raportimeve se disa pacientë me koronavirus kanë vdekur në Klinikën Infektive si rezultat i problemeve me oksigjen.

Kjo shoqatë ka vlerësuar se situata po shkon drejt humbjes së kontrollit, pas rritjes së rasteve të vdekjeve dhe rasteve të reja me koronavirus në Kosovë.

Në orët e para të së dielës Klinika Infektive u rrethua me shirita policorë pas dyshimeve për shkak se katër pacientë kishin vdekur në një periudhë tejet të shkurtër kohore. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë detaje për rastet, duke kërkuar që t’u jepet kohë autoriteteve të kryejnë hetimet.

“Sipas raportimeve të mediave, 4 nga 12 pacientët e vdekur kanë ndërruar jetë si rezultat i problemeve me Oksigjen. Kjo mbetet të vërtetohet nga institucionet përgjegjëse. Megjithatë, kujtojmë se një problem i ngjashëm ka bërë që ish-Drejtori i SHSKUK-së të japë dorëheqje. Duke e parë që një problem i tillë nuk është rregulluar edhe pas 3 vjetësh ne konsiderojmë se pesha e përgjegjësisë është edhe më e madhe. Prandaj kërkojmë nga Drejtori i SHSKUK-së që të japë dorëheqje nga pozita, ose të shkarkohet nga Bordi i SHSKUK-së. Jeta e pacientëve nuk duhet të jetë kundërvlerë e çfarëdo pozite, por kjo duhet të bëhet për arsye morale dhe t’i japë hapësirë një hetimi të pavarur dhe një satisfaksion moral për familjarët e viktimave”, thuhet në një reagim të PRAK-ut.

Kjo shoqatë po ashtu konsideron se masat e lirimit kundër COVID-19 kanë kontribuar në situatën “ku gjendja bëhet e pamenaxhueshme”.

“Kalimi nga masa rigoroze në masa tejet liberale pa u ngritur kapacitetet spitalore, ka kontribuuar që institucionet të vijnë në prag të kolapsit. Është a pa shpjegueshme që në kohën kur rriteshin rastet e konfirmuara me COVID 19 masat preventive liroheshin edhe më shumë! Edhe më vështirë e shpjegueshme është reduktimi i gjurmimit të kontakte të personave të prekur me Covid-19. Publiku nuk u informua asnjëherë se pse kishte disproporcion të rritjes së numrit të rasteve, lirimit të masave dhe reduktimit të testimeve, edhe pse ishin premtuar testime masive. Të vlerësosh se rekomandimet do të zbatohen nga qytetarë të cilët për 20 vite nuk kanë marrë edukim shëndetësor është një iluzion! Aq më tepër kur mbikëqyrja e respektimit të masave ka qenë minimale”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Shoqata ka vlerësuar se është gabim që të vihet në peshore “shëndeti i ekonomisë” me atë të shëndetit publik.

“Por, përkundër kësaj vërehet që vendi po kthehet në pikën zero ku “shëndeti i ekonomisë” dhe ai publik do të jenë seriozisht të rrezikuar!”, përfundon reagimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!