Ballina / OP./INTERVISTA / Popull Pinok dhe oqeani i gënjeshtrave
edison ypi

Popull Pinok dhe oqeani i gënjeshtrave

Shkruan: Edison Ypi

Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë gënjejnë. Oqeani i gënjeshtrave ka mbështjell gjithçka si eteri materien.

Nuk i thua dot tjetrit asgjë. Sa të hapësh gojën, tjetri nis e lodh mendjen çfarë gënjeshtre po i thua, dhe me cilën gënjeshtër duhet të përgjigjet. Çfarë deliri. Çfarë llahtari. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të skaduar. Merimanga e gënjeshtrave ka hyrë në çdo skutë. Hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rekomandojnë drogën. Kurvën e shpallin model për tu imituar.

Rrugaçin e bëjnë hero. Budallain e quajnë mendimtar. Hajvanin patriot. Injorantin shkrimtar. Të çmendurin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar. Gënjeshtra këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që përmes komunikimeve të mundohesh ta korrektosh.

Gënjeshtra e këtushme është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i gënjeshtrës nga fëmija te buzëvarri, nga më i dituri te më injoranti, nga më mëndjelehti te më mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën.

Nuk gënjejnë një herë që ti falësh, apo tre herë që pasi të fjalosesh të mirkuptohesh. Gënjejnë pafundësisht herë. Gënjejnë kur flasin. Gënjejnë kur pyesin. Gënjejnë kur përgjigjen. Gënjejnë kur rrinë. Gënjejnë kur lëvizin. Gënjejnë kur hanë. Gënjejnë kur flenë. Gënjejnë kur ëndërrojnë. Gënjejnë kur dashurojnë. Gënjejnë kur urrejnë.

Nuk gënjejnë më të rrallë, pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Gënjejnë gjith kohën. Gënjenin dje, gënjejnë sot, do gënjejnë nesër, do gënjejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk gënjejnë bukur, nuk gënjejnë këndshëm, që të mendosh se gënjejnë për humor apo për të alternuar bisedën që të largojnë monotoninë, mërzitjen. Gënjejnë dosido. Gënjejnë si u vjen doresh.

Gënjejnë pa u menduar. Nuk gënjejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Gënjejnë kot. Gënjejnë me instinkt. Gënjejnë pa e ditur pse gënjejnë. Gënjejnë sepse u duket se duhet të gënjejnë.

Gënjeshtarët më të qelbët përsërisin vazhdimisht se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra, se gënjeshtra ka bisht, etj. etj. sikur demek gënjeshtra është gjë e gjallë, sikur brenda të vërtetës mbisunduese gënjeshtra është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera e të tjera gënjeshtra të pafundme.

Gënjeshtra e këtyre nuk ka këmbë, duar, bisht, nuk është gjë e gjallë. Gënjeshtra e këtyre është një makineri e skëterrshme që vigjëlon të vërtetën ta gjejë ku e ka nxjerrë kokën t’ja shtypi. Gënjejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje.

Gënjen muhabetçiu, gënjen dyqanxhiu, gënjen nëpunësi, gënjen eprori, gënjen inferiori, gënjen politikani, gënjen deputeti, gënjen ministri, gënjen kryetari, gënjen sekretari, gënjejnë statistikat, gënjejnë deklaratat, gënjejnë konferencat, kongreset gjithashtu gënjejnë, mbledhjet gënjejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse gënjejnë dhe gënjehen.

Fejsbuku dhe Instagrami që u duk se ishin shpikur për ta kufizuar gënjeshtrën, u dorëzuan para zulmës së pandalëshme gënjeshtare shqiptareske. U bënë vetë ata gënjeshtarët më të mëdhenj që gënjejnë e vetëm gënjejnë, e asgjë tjetër s’bëjnë. Gënjejnë edhe ata që për ti përcjellë me besnikëri gënjeshtrat paguhen, gënjejnë spiunat. Ndoshta kanë të drejtë. Se të spiunosh vetëm gënjeshtra, zor të vejë mendja se mund të ekzistojë e vërteta.

Gënjejnë dhe i gënjen inginieri. Gënjejnë dhe i gënjen ustai. Gënjen i sëmuri mjekun. Si pasojë gënjen mjeku të sëmurin. Thotë për mikun e kafenesë, është poet, është shkrimtar, ka kaq e aq vepra, kaq e aq përkthime. Ja pret miku-mikut; është studiues, shkencëtar, historian.

Të dy gënjejnë. Të dy janë mbijetuesa grafomanë, pa asnjë talent, pa asnjë ideal. Gënjen kafeneja, gënjen televizori, gënjejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Gënjejnë opinionistat, analistat, kazanistat, që për fakte konsiderojnë çfarë shohin nëpër ëndërra. Rretheqark, vetëm gënjeshtra. Bërtit sa ta tundësh dheun. Ulurit sa të ngresh dallgët e oqeaneve.

Grise qiellin duke klithur me turi nga hëna ose nga halja. Gjurmën, hijen, shijen e të vërtetës nuk e gjen dot kurrën e kurrës. As këtu, as atje, as në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, për t’ju lutur asaj grimce të të thotë ku është e tëra, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet.

E kotë. Sapo nis, ndjen se i je futur një aventure. Rrethohesh menjëherë nga gënjeshtra të tjera. Njerëz që gënjejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të përparojnë. Milet rrenacak. Turmë e drunjtë. Popull Pinok.

Check Also

dervisk_infoglobi

Demokracia përtej komb-shtetit

WASHINGTON, DC – Sipas ekonomistit të Harvardit Dani Rodrik, është e pamundur të arrihen njëherësh …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *