Policia nuk ka urdhërarrest të gjykatës për Kurtin, Haxhiun e Bujupin

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka urdhërarrest për tre deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe Donika Kadaj – Bujupin dhe Albulena Haxhiu, pavarësisht që një ditë më herët, trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte thënë se është lëshuar urdhri për arrestimin e tyre.

“Deri më tani, Policia e Kosovës nuk ka ndonjë urdhërarrest për tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje”, thonë zyrtarë të Zyrës për komunikim të Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës.

Tre deputetët akuzohen, për siç thuhet, përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm, përkatësisht hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Ndërkohë, deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi dhe Albulena Haxhiu i kanë dorëzuar kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, një kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues i cili kryesohet nga gjykatësi Beqir Kalludra, anëtarja Shadije Gëguri dhe Shasivar Hoti, anëtar në çështjen penale PKR.nr. 717/15 pranë Departamentit për Krime të Rënda.

Deputetët në arsyetimin e tyre për përjashtimin e këtij trupi gjykues kanë thënë se e vënë në dyshim paanshmërinë e tyre dhe se ky trup gjykues, sipas tyre, nuk është i besueshëm për një gjykim të drejtë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar të mërkurën një urdhërarrest për tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi të njëjtit nuk janë paraqitur në seancë.

Ndërsa nuk janë paraqitur në gjykatë, tre deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë të pranishëm në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Mosparaqitja në seancë gjyqësore e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, siç kanë thënë këta të fundit, ka të bëjë pikërisht me dënimin e aktivistëve të Vetëvendosjes, javën e kaluar, me 21 vjet burgim.

Glauk Konjufca deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në fjalën e tij në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se gjyqtari në çështjen penale kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe i njëjti që ka lëshuar urdhërarrest për deputetë ‘po fut Kosovën të një fazë të re mes drejtësisë dhe pushtetit’.

“Si u bë që pesë ditëve pasi shpërndau 21 vite burgim për aktivistët e Vetëvendosjes, në ditën e djeshme dha urdhër për bastisjen e shtëpive të deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj, Faton Topalli dhe dha urdhër për arrestimin e tyre. Ky njeri nuk po e fsheh fytyrën, po thotë unë jam pushteti, unë jam këtu. Me gjyqtarë të tillë ky pushtet është në gjendje të bëjë gjithçka”, thotë Konjufca.

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për javën tjetër pasi pas që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovë në shenjë proteste me veprimet e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, la lëshuar seancën plenare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.