Ballina / KOSOVA / Policia: Kujdes me mashtrimet, ka ndërhyrje në e – maila

Policia: Kujdes me mashtrimet, ka ndërhyrje në e – maila

Në Kosovë janë regjistruar raste të ndërhyrjes së kundërligjshme të bizneseve. Sipas Policisë  “në disa raste transferet janë realizuar dhe mjetet janë tërhequr, por në disa raste ato janë stopuar dhe mjetet janë bllokuar në bankat jashtë Kosovës, pasi është arritur të raportohet shpejtë mashtrimi”.

Kohëve të fundit janë duke u raportuar raste nga pronarët e kompanive të bizneseve të ndryshme që kanë të bëjnë me një formë mashtrimi përmes sistemeve kompjuterike, ku si pasojë shkaktohet edhe dëm i konsiderueshëm, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë dhe të Odës Ekonomike të Kosovës.

” Personat e dyshuar arrijnë në forma të ndryshme të sigurojnë të dhëna për kompanitë e biznesit, siç janë: qarkullimin e mallrave, faturat, pagesat e ndryshme, komunikimet përmes kompjuterit (e-mail-ave) etj. Këto të dhëna i përpunojnë apo falsifikojnë në atë mënyrë që të jenë të besueshme dhe pastaj fillojnë me mashtrim”, thonë mes tjerash Policia dhe Oda.

 Bazuar në rastet e deritanishme, personat e dyshuar kanë arritur që të ndërhyjnë në komunikimin përmes internetit (shkëmbimin e e-mail-ave) të kompanive biznesore (njëra në Kosovë e tjetra jashtë Kosovës) duke ndryshuar të dhënat e xhirollogarive si dhe duke u paraqitur në emër të kompanisë tek e cila është dashur të transferohen mjetet për pagesë të mallit.

 Fatkeqësisht në disa raste transferet janë realizuar dhe mjetet janë tërhequr, por në disa raste ato janë stopuar dhe mjetet janë bllokuar në bankat jashtë Kosovës, pasi është arritur të raportohet shpejtë mashtrimi.  Teknikisht, kjo formë e krimit është e mundur të kryhet, por duhet të krijohen kushtet paraprake. Një gjë e tillë mund të bëhet përmes infektimit me ndonjë virus të kompjuterëve të kompanive, ku më pastaj arrihet qasja në kompjuter dhe njëkohësisht në të gjitha dokumentet dhe të dhënat që i posedon kompjuteri përkatës, thonë këtu.

Në shpjegimet e mëtejme Policia dhe Oda Ekonomike e Kosovës shpalojnë se “ Infektimi i kompjuterit me virus bëhet në disa mënyra, si: përmes “attachement-eve” në e-mail-a të falsifikuar, përmes USB-ve e formave të tjera.  Hetimi dhe identifikimi i kryeseve të këtyre veprave nuk është i lehtë, gjithashtu më komplekse situatën e bën edhe natyra e rasteve ku pothuaj të gjitha janë jashtë Kosovës, ndërkombëtare”.

 Menaxhimi i biznesit natyrisht se është përgjegjësi individuale e çdo pronari të biznesit, por duke pasur parasysh rastet që kanë ndodhur, Policia e Kosovës së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, e sheh të nevojshme që të nxjerrë disa rekomandime për kompanitë e bizneseve, me qëllim që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.

Ja çka rekomandojnë Policia dhe Oda: 

–          Të sigurojnë sistemet kompjuterike me antivirus;

–          Të përdorin vetëm një kompjuter për komunikim si dhe kjo të bëhet në formë të kontrolluar, p.sh. të autorizohet vetëm një apo dy punonjës të kompanisë që merren me komunikim dhe transaksione; në këtë kompjuter mos të instalohen kurrfarë programesh përpos atyre që janë të nevojshme për kryerjen e punëve dhe për të cilat ka licencë;

–          Të mos hapen e-mail-a të dyshimtë apo që nuk iu dihet dërguesi;

–          Të vërtetohet se e-mail-i nga kompania partnere është i vërtetë (keqbërësi e ndryshon vetëm një karakter në e-mail p.sh. në vend të shkronjës o shkruhet me ujohnson@mail.com – e-mail i vërtetë kurse johnsun@mail.com – e-mail i rrejshëm);

–          Para autorizimit të kryerjes së transaksionit, të konfirmohet me kompaninë partnere nëse xhirollogaria është e vërtetë, kjo mund të bëhet përmes komunikimit në forma tjera (p.sh. me telefon fiks etj.); për çdo transaksion të kontaktojnë bankat respektive në Kosovë, gjithashtu edhe në këtë mënyrë mund të dihet se ku gjendet xhirollogaria;

 Nëse ndërmerren këto masa, me siguri se rreziku për të qenë viktimë e mashtrimit do të jetë shumë i ultë.

 Gjithashtu ju inkurajojmë që, nëse eventualisht hasni në diçka të tillë apo vini në dijeni se është duke u tentuar të kryhet vepra, të raportoni rastin në stacionin më të afërt të Policisë së Kosovës.

 Policia e Kosovës është e gatshme që në çdo kohë të angazhohet në krijimin e sigurisë për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe pikërisht ky njoftim për bizneset besojmë se do të ndikojë në vetëdijesimin e tyre dhe nuk do të ketë dëme të cilat janë të vështira të rikuperohen.

Provo po ashtu

Shpend Ahmeti thotë se qeveria PAN 2 do të ishte gjëja më e keqe për Kosovën

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, thotë se gjëja me e keqe për Kosovën do …