Ballina / Kulturë / Poezi: Të lindet njeriu – Migjeni

Poezi: Të lindet njeriu – Migjeni

Të lindet një njeri
nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri, –
Të lindet një njeri!

Pa hyll në ball – por që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë
rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!

Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re…
– Të gjithë kombet po dehen n’epopea të veta,
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ikjeta.
(Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon,
porgaforre asht…
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!),
Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar.

Migjeni, zë novator i epokës së tij

Tash e 79 vjet më parë, 26 gusht 1938, në spitalin “Torre Pellice” të Torinos, ndërroi jetë në moshë të re një nga poetët më me ndikim të letërsisë shqipe të shek XX, Millosh Gjergj Nikolla i njohur si Migjeni.

Migjeni (1911-1938) ishte poet dhe prozator i shquar i viteve 1930. Për epokën në të cilën jetoi konsiderohet si një zë krejtësisht novator, duke pasqyruar varfërinë e thellë të viteve kur jetoi.

Një shkrimtar jo i patalent Migjeni filloi të dëgjohej në vitin 1944, shumë vjet pasi kishte ndërruar jetë, kur doli në botim pas një çensurimi, vepra e tij “Vargjet e lira”.

Millosh Gjergj Nikolla lindi në Shkodër në një familje me origjinë nga Reka e Dibrës së Madhe. Shumë herët mbeti pa prindër, por edhe kur i kishte gjallë, u rrit në një familje ku autoriteti i pari ishte gjyshja.

Migjeni shkëlqente në mësime në dëftesën e shkollës fillore në Shkodër, Milloshi i ka të gjitha notat të shkëlqyera në mësime. Edhe në gjimnazin e Tivarit qëndron lart, dhe vetëm në serbisht ka notën “mirë”. Pas rezultateve të shkëlqyera ai u regjistru pa dëshirën e vet në Seminarin Ortodoks “Jan Shën Teologu”, me qëllim për tu bërë prift ortodoks.

Migjeni shkëlqente në lëndë si rusishtja apo greqishtja letërsia klasike por kishte vetëm notën “mirë” tek teologjia, latinishtja dhe letërsia e kishës.

Gjatë kësaj periudhe formimi i tij intelektual ishte disi origjinal, ai filloi të shkruante poezi të mbyllura, të errëta e me pak ajër sllav, ishte frymëzues i madh i Lindjes së egërsuar komuniste.

Pati gjithashtu edhe simpati për grupin komunist të Korçës e për shkrimtarët e realizmit sovjetik, si: Gorkin, Fadajevin etj. Prozat e tij të dhimbshme futen në thellësi të fatkeqsive, të mjerimeve tona. Prozat edhe poezitë e tij si kanë edhe tone të ateizmit.

Kadareja ka thënë për Migjenin kur ky i fundit përfundoi seminarin: “Mbaroi seminarin si një antiseminarist. Për sytë e në fetri, vazhdon Ismail Kadare ai ishte një dezertor i fesë. Migjeni dilte nga seminari ortodoks si një djallë me tre brirë”.

Në Shqipëri u kthye në fund të vitit 1932; ai nuk pranoi propozimin për të studiuar në Fakultetin teologjik të Oksfordit.

Pas vitit 1933 punoi si mësues në Vrakë të Shkodrës e më pas në Pukë. Atje ai shkroi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij. Në Pukë shkroi më 16 qershor 1937, këngën e tij të fundit “Nën flamujt e melankosisë”.

Në Shkodër, gjatë pushimeve dimërore, Migjeni shkroi novelat: “Studenti në shtëpi”, “Të çelen arkapiat”, “Historia e njanës nga ato” etj. Këto dhe shumë novela të tjera i mblodhi me një titull: “Novelat e qytetit të Veriut”. Megjithëse janë shkruar në koncept, në dorën e parë, e më lapës, ato janë kry si nga mendimi ashtu edhe thurja artistike.

Klima e rreptë e Pukës ja acaroi sëmundjen Migjenit, prandaj vendosi t’i bjerë pas shëndetit; të dilte jashtë për shërim.

Më 13 dhjetor 1937, Milloshi mori lejen dhe vizën italane; më 20 dhjetor u nis nga Shkodra dhe më 21 dhjetor nga Durrësi për në Itali; më 22 dhjetor në mëngjes arriti në Bari dhe brenda asaj dite në Torino.

U vendos së pari në Via della Rocca 10, ku banonte e motra Olga Nikolla, e cila ndiqte Fakultetin e Shkencave Ekzakte, dega fizikë matematikë, në Universitetin e Torinos. Migjeni ishte energjik plot shpresë për jetën, por natën e 26 gushtit të vitit 1938 tuberkolozi i mori jetën.

Në shtypin e Torre Peliçes lexojmë një pjesë në italisht:

“Në spitalin Valdes vdiq të premten që shkoi djaloshi shqiptar që ishte shtruar pak kohë më parë, Millosh Nikolla, vjeç 27. Shërbimi i varrimit, nën kryesinë e pastorit Z. Giulio Tron, u krye të shtunën pas mesdite. Së motës Znj. Olga, e cila me dashuri e mallëngjim i qëndroi pranë në çastin më të fundit fatal, i shprehim ngushëllimet tona”.

Telegramet e shumta ishin një lehtësim për familjen e Migjenit, e cila i shprehu mirënjohjen e saj miqve shqiptarë dhe italianë për fjalët ngushëlluese, dhe Bashkisë së Torre Pellices për vendin e bukur që i caktoi në varrezat e qytetit poetit tonë të dashur, dhe më vonë, edhe për kujdesin e madh që tregoi 18 vjet rresht për ta mbajtur atë varr, gjersa Qeveria Shqiptare i solli eshtrat më 5 shkurt 1956, për t’i varrosur në Shkodër, në tokën ku lindi Migjeni./Konica.al

Provo po ashtu

new zeland, amazon studio, okland, oscars. lord of the rings

Trilogjia “Lord of the Rings” në Zelandën e Re

Një miliard dollarë seriali më i shtrenjtë i realizuar ndonjëherë Zelanda e Re e ashtuquajtur …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.