Ballina / Kulturë / Poezi: Robert Shvarc – Tingëllimet e plagueme

Poezi: Robert Shvarc – Tingëllimet e plagueme

– TINGËLLIMET E PLAGUEME

Po flen qyteti, vlla, dremit qyteti…
Nuk ka as dritë, as hapat nuk kërcasin,
veç val’t e qeta, ku andrrat i tret deti…
Sa vjet kaluen, vlla, qëkurse mbeti

nji zemër kndej plague – e nji coptue
përmbas prangoresh, n’rininë e saj shitue,
me dhimbë krenare, që asnji kangë poeti
ndër tela t’lyrës s’mundet m’e u naltue…

Po flen qyteti, vlla… Në breg ku rrimë
e lehtë përpëlitet vala-virgjineshë,
e don me folë, e don me na tregue

si netët shkojnë, e andrrat veç nji grimë
na puthin n’ballë, e ikin tue u qeshë…

– 2 –

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?…

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!…

-3 –

Mos pyet pse syt’e mi janë të trishtuem
n’pranver’n e bardhë të vjeteve të mia,
ata nuk dijnë t’shpërthejnë ndër mij shkëndia,
ata nuk dijnë si brof nji shpirt i gzuem…

Mos pyet pse hapat e mij i drejtoj
kah krah’t e butë, përkdhelës të vetmisë –
Ç’më duhet mue njaj gazi i rinisë
Kur gazi s’asht çka unë i trishtë andrroj?

Kush gjen çka zemra i lypë në këte shekull
ku vlerë nuk kanë as lotët, as betimet,
ku jeta lot me ty porsi n’nji shrregull

e gazi lind atje ku janë idhnimet?!
Mos kqyr pra, e dashtun, ti ndër syt’ e mia
unë s’mund t’dhuroj atë çka lypë rinia

Robert Shvarc

Provo po ashtu

lana del ray, worner brothers, Visual Media, youtube, Lizzy Grant

Vuante nga një gjendje mjekësore e padiagnostifikuar

Lana del Rey, dikur rikuperohej nga varësia e alkoolit, tash një super artiste Lana Del …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.