Ballina / RAJONI / Plani sekret i Vatikanit- masat e sigurisë për Papës
vatikani

Plani sekret i Vatikanit- masat e sigurisë për Papës

Mariglen Mullai

Para mbërritjes së makinës së Papës, në Tiranë janë instaluar rreth 100 agjentë të shërbimeve sekrete të Vatikanit dhe të Italisë, ndërsa institucionet shqiptare të sigurisë kanë blinduar masat, duke angazhuar një numër rekord punonjësish që do të garantojnë mbarëvajtjen e aktivitetit.

Plani top sekret i Vatikanit 

Prej ditësh, në pikat kufitare, ajrore, tokësore dhe detare, janë skanuar hyrje- daljet e personave që mbaheshin nën vëzhgim, nga ku rezulton se situata është nën kontroll. Tarracat e pallateve përgjatë gjithë bulevardeve kryesore janë nën vëzhgim të rreptë ashtu si edhe katet me rreze pamore për nga altari. Lajmi mësohet për gazetën “Shekulli” nga burime të institucioneve të sigurisë, të cilat konfirmojnë gjithashtu se plani top sekret përfshin një strategji të ngjashme si me vizitën e ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush, në vitin 2010. Rreth 100 oficerë dhe agjentë të Vatikanit dhe Italisë, tashmë kanë vendosur pikat e kontaktit, duke instaluar edhe metodikën e vëzhgimit, kontrollit dhe mbledhjes së informacionit. Një element përbërës, që burimet e pohuan, është ai i lëvizjes së agjentëve civilë me mjete të ndryshme (kryesisht taksi), nëpër të gjitha akset që lidhin rrugët me bulevardin kryesor, duke grumbulluar të dhëna rreth personave, fakteve apo rrethanave të caktuara, të cilat përcillen për t’u analizuar në selinë qendrore të shtetit të Vatikanit. Në Romë, për llogari të Selisë së Shenjtë përfshihen disa shërbime sigurie, ku spikat xhandarmëria zvicerane, por aktivizohen edhe Jezuitët, Kalorësit e Maltës, Opus Dei, etj. Nga të dhënat e deritanishme nuk rezulton rrezik për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Siguria që garanton pala shqiptare 

Përmes një njoftimi për shtyp, u konfirmua se helikopterët, snajperët, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe mijëra punonjës sigurie do të jenë në gatishmëri. Për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve të programuara në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, me urdhër të kryeministrit, është ngarkuar Ministri i Punëve të Brendshme dhe ky i fundit caktoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë si drejtues i operacionit. Grupi i Punës përfshin Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ Shtetëror, Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Gardën e Republikës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile. Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara. Janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit dhe do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në të gjithë perimetrin që rrethon sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza”, janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje. U kërkohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit dhe nëse tentojnë të kalojnë jashtë tyre, do të shoqërohen në komisariatet e policisë. Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë, do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit do të shoqërohen në ambientet policore. Qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni të evitojnë veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore. Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme. Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë. Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.

Ndihma e shpejtë dhe autobusët 

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin ”Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa në mënyrë që qytetarët të asistohen nga çadra me staf mjekësor të specializuar, 15 ambulanca, helikopter mjekësor, dy qendra mjekësore të ndihmës së shpejtë do të ngrihen në Pallatin e Kongreseve dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Po ashtu është parashikuar të ketë vullnetarë në pikat e ujit përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të aktivitetit, vullnetarë me çanta uji përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Në këtë bulevard dhe përreth tij do të vendosen 60 tualete të lëvizshme, me akses edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara. Vullnetarët, e vendosur përgjatë gjithë bulevardit identifikohen nga shenjat dalluese, siç janë bluzat dhe baxhat. Ndërkaq, bashkia e Tiranës, në kuadër të vizitës së Papa Françeskut, ka njoftuar me anë të një deklarate për shtyp se ditën e diel do të vihen në dispozicion 5 autobusë. Këta të fundit do të mundësojnë transportin falas të personave në pamundësi ekonomike apo të sëmurëve, drejt sheshit Nënë Tereza. Në një deklaratë për shtyp thuhet se “Pavarësisht dëshirës për t’i uruar mirëseardhjen në Tiranë Papa Françeskut, jo të gjithë e kanë këtë mundësi, për shkak të gjendjes ekonomike dhe sociale”.

Rrugët që do të bllokohen dhe ku nuk lejohet parkimi 

Nesër, do të bllokohet aksi rrugor në drejtim të Rinasit, nga ora 08:00 deri në orën 10:30 dhe të gjitha akset në drejtim të fshatit Bubq, nga ora 17:00 deri në ora 19:00 si dhe aksi Bubq-Rinas, nga ora 17:00 deri në 20:30. Do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 20:30 e ditës së sotme, deri në orën 19:00 të ditës së nesërme, përgjatë sheshit “Nënë Tereza”, i kufizuar me rrugët “Skerdilajd Llagami dhe “Abdyl Frashëri”. Qarkullimi do të ndalohet në rrugët: “Ismail Qemali”, “Themistokli Gërmenji”, “Asim Zeneli”, “Dervish Hyka”, “Faik Konica”, “Skerdilajd Llagami”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu”, “Avdi Toptani”, “Lidhja e Prizrenit”, “Perlat Rexhepi”, “Abdyl Frashëri”, “Frederik Shopen”, “Nikolla Tupe”, “Ismail Qemali”, “Adem Jashari”, “Pjetër Bogdani” dhe “Brigada e VIII”. Do të bllokohen edhe bulevardi “Zhan D’Ark”, sheshi “Sulejman Pasha” në drejtim të sheshit “Skënderbej”, “Rruga e Dibrës-sheshi “Skënderbej”, “Urani Pano”, bulevardi Zogu I në drejtim të sheshit “Skënderbej”, rruga “Dervish Hatixhe-Bulevardi Zogu I në drejtim të sheshi “Skënderbej”, rruga Parku i Madh- Ibrahim Rugova, bulevardi “Bajram-Curri” te Kryqëzimi i Policisë së Tiranës, rruga “Myslym Shyri” nga kryqëzimi me rrugën “Muhamet Gjollesha”, nga Kryqëzimi i Bankës drejt Sheshit dhe “Rruga e Durrësit”, nga sheshi “Shqiponja” deri te Muzeu Kombëtar. Do të ndalohet parkimi i të gjithë automjeteve duke filluar nga ora 12:00 e ditës së sotme, e deri në orën 20:00 të ditës së nesërme në akset rrugore si bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, bulevardi “Zogu I”, bulevardi “Zhan D’Ark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, “Rruga e Durrësit”, nga mbikalimi i Kamzës-sheshi “Shqiponja”-sheshi “Skënderbej”, “Rruga e Elbasanit”, “Rruga e Kavajës”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Muhamet Gjollesha”, rruga “Ibrahim Rrugova”, nga sheshi “Frederik Shopen”- Gjykata e Lartë-Banka e Shqipërisë deri te “Rruga e Durrësit”, “Rruga e Dibrës, aksi “Unaza e Re-sheshi “Shqiponja”- Ura te “Shkolla Teknologjike”- “Rruga e Kavajës”. Nuk do të lejohet qarkullimi në të gjitha akset rrugore të Tiranës i automjeteve të tonazhit të rëndë mbi 7.5 ton.

Lëvizjet, takimet dhe xhiroja me makinën e blinduar deri tek altari 

Ditë e diel, Papa pritet që të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 09.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Në orën 9:30, Papa do të pritet nga Presidenti i Republikës. Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë. Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Nënë Tereza”, që do të jetë e shoqëruar nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj. Në orën 13:30, Papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë Shqiptare dhe Shpurën Papnore. Në orën 16:00, Papa Françesku, do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë një fjalim. Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmësore në katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm. Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës Betania, në fshatin Bilaj të komunës së Bubqit dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të Kishës Katolike në Shqipëri. Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”. Sipas planit të masave parashikohet që autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen tek sheshi “Shqiponja”, përmes Unazës së Re, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori”, ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re. Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë ku do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve. Për automjetet me të cilat do të bëhet transporti i personave me aftësi të kufizuara pjesëmarrës në aktivitetet, parkimi i tyre do të bëhet tek Fakulteti Filologjik. Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyjë në qytet. Papa Françesku do të lëvizë në sheshin “Nënë Tereza” me një automjet të të bardhë dhe të hapur për të përshëndetur kështu qytetarët shqiptarë dhe besimtarët katolikë. Mjeti është një “Mercedez- Benz” me ngjyrë të bardhë dhe e hapur, duke i dhënë mundësi Papa Françeskut që të takojë edhe gjithë besimtarët që has në rrugë. Ky automjet mbërriti dje, rreth orës 08:00 në portin e Durrësit dhe u transportua me tragetin “Claudia” të kompanisë Adria, nëpërmjet linjës Bari-Durrës. Pas mbërritjes në Durrës, mjeti u transportua në ambientet e Presidencës. Ardhja, takimet dhe Mesha e shenjtë që do të mbajë Papa Françesku do të transmetohen direkt në ekrane të vendosur përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Nënë Tereza” dhe “Pallatit të Kongreseve”, i cili do të transformohet në një qendër mediatike ku agjencitë ndërkombëtare të medies, të akredituara për këtë vizitë, do të transmetojnë direkt vizitën e Papa Françeskut.

Ja vendet që Ministria e Turizmit u këshillon pelegrinëve për t’i vizituar  

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është përgatitur t’i ofrojë shërbime të mirëseardhjes dhe të zbulimit të Shqipërisë, grupeve të mëdha të pelegrinëve, gazetarëve apo vizitorëve të tjerë, që do të ndjekin Papën, në 21 shtator në Tiranë. Janë përgatitur botime promocionale të ideuara dhe printuara posaçërisht për këtë event, në gjuhën angleze që përmbajnë informacion të ilustruar mbi Shqipërinë. Konkretisht: “Travel & Discover”, “Albanian Cultural Attractions”, “Albanian Iconography”, “TIRANA”, “Tourist Map”. Paketat turistike kanë për qëllim t’u japin mundësi vizitorëve, që do të jenë në Shqipëri për të ndjekur eventin e madh, të zbulojnë një pjesë të Shqipërisë. Qytete si Berati, Kruja, Durrësi, Shkodra, Lezha, Apollonia e Ardenica, Amfiteatri i Durrësit, etj dhe do të vihen botime informuese në pikat kryesore hyrëse si aeroporti i Rinasit, Morinë, Muriqan, Han i Hotit, Kapshticë, Kakavijë dhe Qafë Thanë. Shekulli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.