fbpx

Plani i liderëve: Në Ballkan 'miratim' për 100 mijë refugjatë

Shqipëria mund të presë me mijëra emigrantë gjatë dimrit, pas valës në rritje të emigrantëve. Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka paralajmëruar prej javësh pritjen e një numri refugjatësh, kjo edhe pas uljes së temperaturave me ardhjen e dimrit.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit ranë dakord mbi një plan me 17 pika lidhur me rrugën që do të ndjekin refugjatët përgjatë Ballkanit Perëndimor drejt Evropës.

Gjatë samitit të së dielës në Bruksel, udhëheqësit krijuan një shtesë prej 100.000 vendesh në Greqi dhe në Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar strehimin e refugjatëve.

Greqia do të strehojë 50.000 refugjatë në kampe, ndërsa 50.000 refugjatë të tjerë do të strehohen në shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia. CNN shkruan se për marrëveshjen ranë dakord liderët nga Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Serbia, Kroacia, Hungaria, Sllovenia, Austria dhe Gjermania.

“100,000 vende në qendrat e pritjes do të ofrohen përgjatë rrugës së emigrantëve në Ballkan duke filluar nga Greqia, për të ndihmuar BE-në në përballimin e fluksit historik”, tha të hënën presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Plani i tyre merr parasysh edhe rritjen e patrullimeve për emigrantë në brigjet e Greqisë. Vendet ranë dakord gjithashtu për të dekurajuar emigrantët për të kaluar në kufirin e një vendi tjetër.

Masa të tjera përfshijnë përmirësimin e komunikimit dhe koordinimin mbi emigrantët, luftimin e kontrabandës, si dhe informimin e tyre mbi të drejtat dhe detyrimet.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, u shpreh se ndihej i lumtur që ishte rëndë dakord për planin, “që njerëzit të mos jenë pa mbështetje në shi dhe në të ftohtë”.

“Refugjatët duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore përgjatë rrugës së tyre në Ballkanin Perëndimor, për të shmangur një tragjedi humanitare në Evropë”, tha Juncker.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen sot në Luksemburg për bisedime të mëtejshme mbi krizën e refugjatëve.

* * *

Plani i veprimit me 17 pika, për të cilin u ra dakord në takimin e liderëve

Konkretisht, liderët ranë dakord të implementojnë masat operacionale të mëposhtme:

Shkëmbim të përhershëm informacioni

1.Pika kontakti që brenda 24 orëve mundësojnë shkëmbimin e përditshëm dhe koordinim për të mundësuar lëvizjen graduale, të kontrolluar dhe të rregullt të personave përgjatë rrugës për Ballkanin Perëndimor.

2. Dorëzimi i vlerësimeve të përbashkëta mbi nevojat për mbështetje nga BE brenda 24 orëve.

Kufizimi i lëvizjeve dytësore

3. Moslejimi i lëvizjes së refugjatëve drejt kufirit të një vendi tjetër të rajonit pa njoftuar vendet fqinje

Mbështetja për refugjatët dhe sigurimi i strehimit

4. Rritje e kapaciteteve për të siguruar strehim të përkohshëm, ushqim, asistencë shëndetësore, ujë dhe kushte higjieno-sanitare.

5. Greqia duhet të shtojë kapacitetin pritës me 30 mijë vende deri në fund të vitit dhe të mbështesë UNHCR-në për subvencionimin e qirave dhe programet e pritjes së familjeve për të paktën 20 mijë më shumë, një parakusht ky për të bërë të funksionojnë zhvendosjet e emergjencës. Mbështetje financiare për Greqinë dhe UNHCR-në.

6. Bashkëpunimi me UNHCR-në, e cila do të mbështesë rritjen e kapaciteteve pritëse me 50 mijë vende përgjatë rrugëve të Ballkanit Perëndimor.

7. Bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka e Zhvillimit e Këshillit të Europës, të cilat janë të gatshme të mbështesin financiarisht vendet që do të vënë në dispozicion resurset e tyre.

Manaxhimi i emigracionit së bashku

8. Sigurimi i kapacitetit të plotë për të regjistruar të ardhurit me maksimumin e të dhënave të tyre biometrike.

9. Shkëmbim informacioni mbi numrin e emigrantëve të mbërritur në ditë dhe nëse kërkohet edhe numrin total të emigrantëve brenda territorit të një vendi.

10. Bashkëpunimi me agjencitë e Bashkimit Europian për të rritur shpejtësinë e shkëmbimit të informacionit

11. Rritja e përpjekjeve kombëtare të koordinuara për të kthyer emigrantët, të cilët nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me Frontex.

12. Bashkëpunimi me Komisionin Europian dhe Frontex për të nxitur ndërveprimin praktik mbi pranimin me vende të treta dhe intensifikimin e përpjekjeve në mënyrë të veçantë me Afganistanin, Bangladeshin dhe Pakistanin. Komisioni duhet të punojë për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese të ripranimit plotësisht dhe të nisë punën për marrëveshje të reja të ripranimit me vendet përkatëse;

Menaxhimi i kufijve

13. Rritja e përpjekjeve për menaxhimin e kufijve, duke përfshirë:

– Finalizimin dhe zbatimin e Planit të Veprimit të BE-Turqi;

-Përdorimin e plotë të potencialit të marrëveshjes së ripranimit BE-Turqi dhe udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave;

-Operacione të përbashkëta me Poseidon në brigjet e Greqisë;

-Përforcimi i mbështetjes së Frontex në kufirin midis Bullgarisë dhe Turqisë

– Forcimi i bashkëpunimit kufitar midis Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, me rritjen e angazhimit të UNHCR-së;

– Greqia dhe Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Shqipëria do të forcojnë menaxhimin e kufirit tokësor të jashtëm, me Frontex për të mbështetur regjistrimin në Greqi;

-Të punohet së bashku me Frontex për të monitoruar vendkalimet kufitare dhe regjistrimin e refugjatëve në pikat kroate e serbe të kalimit kufitar;

-Vendosjen në Slloveni të 400 oficerëve të policisë dhe pajisjeve esenciale brenda një jave, përmes përkrahjes bilaterale;

14. Rikonfirmimi i parimit për të refuzuar hyrjen e shtetasve të vendeve të treta, të cilët nuk konfirmojnë dëshirën për të aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare (në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të BE-së për refugjatët dhe duke iu nënshtruar kontrolleve);

15. Rritja e veprimeve kundër kontrabandimit të emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, me mbështetjen e Europol, Frontex dhe Interpol;

16. Përdorimi i të gjitha mjeteve të komunikimit në dispozicion për të informuar refugjatët dhe emigrantët rreth rregullave ekzistuese, si dhe për të drejtat dhe obligimet e tyre, sidomos me pasojat e refuzimit për t’u regjistruar dhe refuzimit për të kërkuar mbrojtje ku ata janë;

17. Monitorimi. Monitorimi i këtyre angazhimeve mbi baza javore. Komisioni do të koordinohet me pikat kyçe të vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.