kuvendi komunal i prishtines

Pezullohet ‘plani ndërtimor’ për Badovcin

Një vendim dhe dy rekomandime ka miratuar Kuvendi Komunal i Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme me shumë përplasje rreth ndërtimeve në liqenin e Badovcit.

Ndonëse pranuan se nuk ka bazë ligjore, këshilltarët komunalë kanë vendosur të anulojnë një pjesë të Planit Zhvillimor Komunal, për zonat një, dy dhe tre deri në nxjerrjen e dokumenteve të tjera të planifikimit, raporton KTV.

Njëri nga rekomandimet e miratuara i kërkon Komunës t’i anulojë kushtet ndërtimore për projektin në fjalë, ndërsa i dyti rekomandon të nisin procedurat që pjesë të liqenit të përfshihen si pjesë e peizazhit të mbrojtur të Gërmisë.

“Në takim të gjithë asamblistët me vetëdije të plotë u dakorduan që jemi duke e vendosur një pikë që nuk ka bazë ligjore. Na sot mund të votojmë, nuk na ndjek ligji, unë do të votoj sepse nuk ka kurrëfarë rreziku prej kësaj pune, por dijeni që vendimi që komuna të pezullojë Planin Zhvillimor për atë pjesë absolutisht nuk e ndalë asnjë ndërtim në atë zonë”, ka thënë Nol Nushi, këshilltar komunal nga PSD-ja.

“Jemi mbledhur që të kundërshtojmë ndërtimet në Liqenin e Badovcit, të mos lejojmë shkeljet ligjore dhe të mbrojmë ujin e pijshëm të qytetarëve të Prishtinës”, ka deklaruar këshilltari komunal i PDK-së, Leotrim Retkoceri.

Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se këto vendime të Kuvendit Komunal nuk prodhojnë kurrfarë zgjidhje ligjore.

“Pala ka shumë të drejta të cilat me vendime të Kuvendit Komunal nuk mund t’ia pezulloni. Pra, më e mira do të ishte që të shohim mundësinë, të kërkojmë që t’ia shpronësojmë, të këmbejmë, që të mos lejohet nëse bash e kemi tepër me rëndësi. Pra, të bëjmë zgjidhje sepse të humbësh në Gjykatë dhe të merret leja është katastrofë”, ka deklaruar Ahmeti.

Gjatë diskutimit, ku morën pjesë edhe anëtarë të Grupit për mbrojtjen e Badovcit, kryetari Ahmeti është përplasur disa herë me dikur bashkëpartiakët e tij në Vetëvendosje.

Edhe pse grupi i tij u deklarua kundër ndërtimit, këshilltari komunal i LDK-së, Shefki Gashi, ka përkrahur këtë projekt.

“Qenka shqetësim një plan të cilin e kam parë në televizor, ai është një ëndërr, të cilin kisha ëndrruar ta shoh në vendin tim”, është shprehur Gashi.

Ndonëse nuk u lejuan të marrin pjesë në diskutim përpos paraqitjes së kërkesave të tyre, anëtarë të Grupit qytetar kanë mirëpritur vendimet e sotme.

“Ne do të vazhdojmë tash te Ministria, që atyre tu drejtohemi për kompetencat e tyre dhe ata të anulojnë vendimin me të cilin kanë lejuar kushtet ndërtimore”, ka thënë Egzona Shala, përfaqësuese e Grupit për Mbrojtjen e Qytetarëve të Badovcit.

Në seancën e së martës ka pasur kritika edhe për mënyrën se si janë hartuar dokumentet e planifikimit urban.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.