Ballina / Kulturë / Përvjetori i 400’të i Shekspirit-shfaqet premiera Princi I

Përvjetori i 400’të i Shekspirit-shfaqet premiera Princi I

Shkruan: Evliana BERANI

Spektatorë dhe aktorë njëkohësisht, në një hapësirë të zymtë, hamletiane. Probleme të shoqërisë mesjetare të ‘dekoruara’ me elementet e bashkëkohësisë.

Një shoqëri e ngrirë, e udhëhequr nga të moshuarit që i mbyllin perspektivën rinisë, e dominuar nga papunësia dhe varfëria, e me karaktere që vihen në lëvizje vetëm nga drama personale e individëve, që u mungon ndjeshmëria për rrethin ku jetojnë e veprojnë. Një shoqëri që mbetet peng i së kaluarës, shoqëri që është peng e fantazmave që prekun, përcaktojnë dhe ngrijnë fatet individuale në formën më të vrazhdët të provincializmit mesjetar … .

Pak a shumë, ky është thelbi i shfaqjes teatrale “Princi I” , në skenar e regji të britanezit Mark Norfolk, e cila do të shfaqet sonte për herë të parë në Teatrin “Dodona” në Prishtinë. Me këtë shfaqje, të inspiruar nga “Hamleti” edhe Kosova i bashkëngjitet vendeve që po shënojnë 400 vjetorin e jetës dhe veprës së Uiliam Shekspirit.

Teksti i Shekspirit, i shqipëruar nga imzot Fan Noli, e sjellë një Hamlet të përshtatur për rrethanat e Kosovës, një Princ modern e me moshë jashtëzakonisht të re, Hektorin, që ballafaqohet me problemet, me të cilat dikur, larg në të shkuarën, ballafaqohej vet Hamleti.

Dy ditë para premierës, infoGlobi pati ekskluzivitetin të jetë musafirë i provës së fundit të shfaqjes.

Aktori Florist Bajgora, në rolin e Hektorit, shpalon vlera të mëdha artistike. I qëndrueshëm në skenë, me një tekst voluminoz, i disciplinuar në lëvizje, gjestikulacione e shprehje të fytyrës, Bajgora sjell në skenë botën e vogël të Hamletit të shpërqëndruar nga dhimbja e humbjes së babait dhe lëndimi i shkaktuar nga martesa e hershmea e të ëmës së tij me xhaxhain.

I poshtëruar nga rrethi mospërfillës, mosdija e perceptimi i gabuar, në një hapësirë të ngushtë e me fare pak njerëz, ai e jeton të tashmen e të shkuarën njëkohësisht.

Princi i brishtë, e i pafuqishëm, i kufizuar nga ‘bota e tij’ , sikurse edhe shumica e personazheve të tjera të shfaqjes, ka rol të dyfishtë. Ai është aktor, e njëkohësisht edhe spektator.

Aktorët mbesin në skenë gjatë gjithë shfaqjes, si figura të ngrira, që observojnë para tyre ‘botën e vogël’ të zënë peng nga emocioni e mosdija e pakicës, nga patriarkalizmi, mitet dhe e kaluara. Ata i lëshojnë karrigen njëri tjetrit në kohën kur u vie radha që mekanikisht ta luajnë rolin e vet. Një art mekanik i bashkëkohësisë, i tkurrur në numër personazhesh, i reduktuar në dekorime skene, por i fuqizuar nga mesazhet universale shekspiriane, nga talenti i shkëlqyeshëm i aktorëve, nga zgjidhjet jo konvencionale regjisoriale dhe vija e pasur melodike që përshkojnë gjithë shfaqjen.

“Të jeshë apo mos të jeshë, është pyetja….”, ky momenti dramatik i shfaqjes është realizuar krejtësisht ndryshe nga shfaqjet e ‘Hamletit’ që jemi mësuar ta shohim deri tash. Fantazma, të cilën në shfaqje e luan aktori i shquar i Kosovës, Besim Ajeti, është e fshehur pas nje deriqke , mu pranë publikut.

Fantazma këtu është komandant Selmani, ehoja e zërit të të cilit ngrinë aktorët në skenë . Fantazma vije nga terri ku ndodhet edhe publiku, ngjitet shkallëve për ta pushtuar skenën dhe për t’i lënë aktorët të ngrirë e të hutuar më pas, për t’i lënë të ndërveprojnë sot nën ndikimin e mitit për ate që ishte dje.

Ndërlidhja e të kaluarës me të tashmen, përmes dialogut të Hektorit me Fantazmën, i jep jetës në skenë ndjesinë e reales, ate të jetës së Kosovës së pasluftës, jetës ku vija që ndanë të kaluarën dhe të tashmën është shumë e hollë, e ku njeriu reduktohet në mbijetesë dhe në tejkalimin e problemeve personale. Më këtë rol, aktori Ajeti, sërish solli dimenzionet komplekse artistike në skenën teatrale të Kosovës.

Pjesa e fuqishme e shfaqjes, është femra dhe jeta e saj. Gertruda enigmatike e Hamletit, që këtu na vjen si Marigona të cilën e luan aktorja Makfire Miftari. Aktorja ia arrin të nxjerrë në skenë një grua të pushtetshme mbi burrat, por të pafuqishme për të zgjidhur problemet që e rrethojnë.

Loja e mrrekullueshme e Makfire Miftarit, sjellë momentet dramatike me gjithë fuqinë që mund t’i sjellë në skenë një aktore e vërtetë. Aktrimi i saj është real , i fuqishëm . Zëri i saj është i qartë e shprehjet e fytyrës janë të sakta dhe bindëse.

E ndodhur në epiqendër të tragjedisë, Marigona – ish grua, e di se e ka humbur dikë që nuk meriton të glorifikohet në shkallën që po glorifikohet. Të paktën ky është perceptimi i saj! I gruas që vazhdon pushtetin mbi trungun familjar përmes ‘dashurisë’ me bashkëshortin e saj të tanishëm, dikur kunatin.

Marigona – nënë, sheh botën të rrënohet para këmbëve të saj, të birin që e ka dhe nuk e ka. Ajo duket sikur është personazhi i vetëm mbi situatat e përditshme të jetës, por nuk e ka as fuqinë më të vogël që t’i ndryshojë ato. Është peng e komploteve dhe e mendësisë provinciale poashtu.

Shfaqja në përgjithësi është e pasur me personazhe e me lojë unike të aktorëve. Shquhet aktrimi i Ermal Sadikut, i cili dominon skenën përmes rolit të Ceranit, që në fakt është refleksion i personazhit të ‘Hamletit’ , të njohur si Rosencrantz. Në dërrasat e “Dodonës” dy ditë para shfaqjes, aktori Sadiku dëshmoi sërish aftësitë e tij të aktrimit, aftësitë e një talenti që tejkalon përmasat e Kosovës. Në skenë ai ishte i vërtetë. Cdo lëvizje ishte e ushtruar mirë, kurse e folura dhe zëri i tij janë konform standardeve të aktorëve të dalluar botëror.

Sado që realizimi i shfaqjes është bashkëkohorë, ambienti që reflekton ajo e sjellë në detaje mendësinë e gërshetuar mesjetare me ate të bashkëkohësisë. Personazhe të modifikuara, me lojën e tyre të shkëlqyeshme, bënë që sonte Kosova të shënojë ballë lartë përvjetorin e 400’t të jetës dhe veprës së Shekspirit.

Shfaqja “Princi I” me regji të Mark Norfolk, dhe skenografi të Bekim Korca, është inspiruar nga William Shakespear.

Në rolet kryesore në shfaqje do të jenë Besim Ajeti, Florist Bajgora, Ermal Sadiku, Ftesa Hazrolli, Lulzim Bucolli, Adriana Morina, Maki Makfire, Ekrem Sopi. Kompozitor i muzikës është Agron Shala.

Premiera do të shfaqet në orën 20:00 në Teatrin ‘Dodona’ , në Prishtinë./infoglobi

 

Check Also

mantra, france

Aty ku ka vullnet, lulëzon arti

Mantra është një artist i talentuar me bazë në Francë, i cili ka kthyer mure …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *